Përderisa për Malin e Zi dhe Shqipërinë synohet përmbyllja e suksesshme e negociatave të anëtarësimit, pasi këto dy vende kanë avancuar më së shumti, për vendet tjera synohet një fazë kalimtare gjatë së cilës do të ndiqej synimi i integrimit gradual në ato fusha ku do t’i përmbushnin kriteret pa pasur nevojë për të pritur anëtarësimin formal në Bashkimin Evropian
Komisioni Evropian javën që vjen, më saktësisht më 6 tetor, do të miratojë një raport për politikën e zgjerimit ku do të bëjë një analizë të gjerë dhe precize të këtij procesi të rëndësishëm dhe sfidave që ka për BE-në, por edhe të japë disa rekomandime për hapat që duhet të ndërmerren për ta bërë zgjerimin me sukses të dyanshëm.
Sipas propozimeve të komisionit të cilat do t’i prezantohen BE-së për vendet e reja anëtare do të vendosen disa kufizime, së paku në një fazë të kufizuar kohore. Kjo do të përfshinte përkohësisht edhe mohimin e së drejtës së vetos e në raste ekstreme, nëse do të ketë dëshmi se vendi i ri anëtar nuk i respekton vlerat themelore të BE-së, do të mund të çonte edhe deri te heqja e të drejtës së votës.
Në raste kur vendi i ri anëtar nuk do të kishte mundësi për të përdorur të drejtën e vetos, Këshilli do të bënte përpjekje maksimale për të adresuar ndonjë interes vital kombëtar të atij vendi.
BE-ja shpesh në të kaluarën ka pasur raste kur vendimet janë bllokuar vetëm nga një shtet anëtar. Kjo ka ndodhur edhe në rastet e sanksioneve ndaj ndonjë shteti apo në çështjet tjera të politikës së jashtme.
Përderisa do të mohohej përkohësisht e të drejtat e vetos për vendet e reja anëtare, Komisioni propozon që të zgjerohet fusha e vendimmarrjes me shumicë të kualifikuar në përgjithësi që do të hiqte të drejtën e vetos edhe për vendet e tashme anëtare. Kjo do ta bënte BE-në më të aftë për të vepruar ndërkohë që nuk do të prekte traktatet themelore të bllokut. Për ndryshimin e traktateve është i nevojshëm pajtimi i të gjitha vendeve anëtare dhe pastaj ratifikimi i këtyre ndryshimeve në Parlamentet e secilit vend, diçka që është bërë shumë joreale.
Të ashtuquajtura “klauzola mbrojtëse”, BE-ja do të vendoste edhe në aspektin financiar, atë institucional, tregun e përbashkët, çështjet e brendshme dhe disa fusha tjera. Por këto nuk do të ishin të njëjta për secilin vend të ri anëtar sepse, sipas propozimit të Komisionit Evropian, do të dizajnohen veç e veç për secilin kandidat duke i pasur parasysh specifikat e tyre.
Mali i Zi duket se do të jetë vendi i parë i ri anëtar në të ardhmen. Ai nuk do të paraqesë ndonjë sfidë për BE-në në asnjë aspekt. Një qytetari të BE-së, pranimi i Malit të Zi do t’i kushtonte më pak se 1 euro në vit. Por gjërat do të ndryshonin shumë me vendet tjera, sidomos nëse në radhe do të jetë Ukraina.
Komisioni Evropian beson se një prej ndryshimeve praktike do të duhej të jetë kalimi i vendimeve me shumicë të kualifikuar në vend të unanimitetit. Madje Komisioni vlerëson se edhe tash sipas Traktatit konsensusi është i nevojshëm vetëm për pranimin e një vendi të ri anëtar ndërsa Këshilli po e përdorë në praktikë konsensusin në secilin hap, përfshirë edhe hapjen dhe mbylljen e kapitujve. Kjo, beson Komisioni Evropian, mund të ndryshohet me vendim të Këshillit pa pasur nevojë të ndryshohen traktatet e BE-së.
Komisioni Evropian pritet të propozojë kalimin e vendimeve me shumicë të kualifikuar në vend të konsensusit në procesin e negociatave të anëtarësimit në hapat e ndërmjetëm, duke ruajtur konsensusin për vendimin përfundimtar. Po ashtu do të kërkohet nga vendet e reja anëtare zotimi se nuk do të përdorin veton e tyre as në vazhdimin e zgjerimit.
Përderisa për Malin e Zi dhe Shqipërinë synohet përmbyllja e suksesshme e negociatave të anëtarësimit, pasi këto dy vende kanë avancuar më së shumti, për vendet e tjera synohet një fazë kalimtare gjatë së cilës do të ndiqej synimi i integrimit gradual në ato fusha ku do t’i përmbushnin kriteret pa pasur nevojë për të pritur anëtarësimin formal në Bashkimin Evropian.
“Nuk ka një model të njëjtë të integrimit gradual. Rruga më e përshtatshme varet nga niveli i përgatitjes së secilit vend në procesion e negociatave të anëtarësimit dhe sektori në të cilin një pjesëmarrje e hershme do të sillte përfitime. Për Malin e Zi dhe Shqipërinë, të cilat kanë avancuar mirë në procesin e anëtarësimit prioritet mbetet përmbyllja e suksesshme e negociatave. Për vendet e tjera kandidate integrimi gradual ofron mjete më të hershme për avancimit në konvergjencën ekonomike, forcimin e bashkëpunimit politikë dhe rezultatet me përfitime të prekshme krahas vazhdimit të reformave”, është shkruar në këtë draft.
Pra edhe integrimi gradual nuk do të jetë i pakusht dhe ai nuk e zëvendëson anëtarësimin formal në BE në një të ardhme.
Liderët e BE-së do të diskutojnë për këtë propozim në samitin e tyre në Bruksel me 15 tetor ndërsa paketa e zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet kandidate dhe Kosovën, e cila e vetme nga ky proces nuk është kandidate, do të miratohen dhe publikohen në fund të muajit tetor.