Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Emini: Duket se Ligji për Specialen po përdoret për pazare brenda PDK-së

Donika Emini

Ilustrim

Njohësja e politikës së jashtme, Donika Emini, ka thënë se zhvillimet rreth Ligjit për Gjykatën Speciale lënë përshtypjen se ky proces po përdoret për pazare politike brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Emini ka kritikuar mënyrën se si është trajtuar ligji, duke thënë se ai është kthyer në një çështje të pazareve politike dhe se zhvillimet e fundit brenda PDK-së e forcojnë këtë përshtypje.

“Është e pamundur të mos besohet opsioni i dytë, që ligji është përdorur për luftë të brendshme partiake. Ne e pamë se si u përdor ky ligj dhe ky proces shumë i rëndësishëm si pazar politik. Në natën e zgjedhjes së presidentes u tregtua dhe u imponua në mënyrë të tillë që është shumë problematike”, ka thënë Emini në “Interaktiv” të KTV-së. 

Por ajo ka thënë se tërheqja e ligjit mund të ketë ardhur edhe si pasojë e presioneve nga shtetet aleate, pas reagimeve që mund të kenë pasur ndaj nismës.

“Fakti që u dorëzua ky ligj, pastaj u kërkua nga vetë PDK-ja që ai ligj të tërhiqej, mund të ketë pasur normalisht edhe presion, sepse ka pasur reagime nga shtetet aleate, shtete të cilat PDK-ja i ka mbrojtur shumë shpesh dhe e ka kritikuar Qeverinë Kurti si qeveri që po na prish me aleatët tanë”, ka deklaruar ajo.

Edhe Ligji për Specialen, rivotimi dhe reagimi i ashpër ndërkombëtar – Donika Emini sonte në “Interaktiv” Arbëri Ligji për Specialen, rivotimi dhe reagimi i ashpër ndërkombëtar – Donika Emini sonte në “Interaktiv”

Emini ka thënë se zhvillimet e fundit duhet të shihen edhe në kontekstin e krizës politike brenda PDK-së.

“Fakti që tërheqja e këtij ligji u asociua edhe me linçime brenda partisë, tashmë që partia po kalon në një krizë të madhe politike, po shihet qartazi se edhe lidershipi po shihet që ka problem fundamental për të ardhmen e partisë. Duket se krejt kjo po përdoret për pazare të brendshme politike”, ka thënë Emini.

Ajo nuk është pajtuar me mënyrën se si PDK-ja po kërkon ta kthejë sërish ligjin në miratim pasi, siç thotë Emini, kjo mund të sjellë probleme mes institucioneve. 

“PDK-ja po kërkon mbështetjen e partive të tjera për ta kundërshtuar vendimin e presidentes, vendim që megjithatë e kishte kërkuar vetë PDK-ja. Kjo mund të sjellë problematikë mes institucioneve. Po detyrohet Kuvendi të bëjë veto ndaj një vendimi të presidentes”, ka thënë ajo.

Emini ka bërë thirrje për kujdes dhe debat më të gjerë për këtë çështje, duke thënë se nuk duhet të ketë nxitim në trajtimin e Ligjit për Specialen.

“Duhet t’i thërrasin mendjes dhe të mos nxitohen. Nuk mjaftojnë dy javë”, ka deklaruar Emini.

Një ditë më parë, Kuvendi e kishte përfshirë në rend dite shqyrtimin e Projektligjit që synon kufizimin e mandatit të Gjykatës Speciale, pas kërkesës së PDK-së që të rrëzohej vetoja e presidentes Justina Shiroka-Pula dhe të hynte në fuqi versioni i miratuar nga deputetët në dy lexime më 6 tetor. 

Edhe PDK-ja sërish bëhet pishman për Ligjin për Specialen Arbëri PDK-ja sërish bëhet pishman për Ligjin për Specialen

Por në seancën e sotme të Kuvendit, e cila zgjati gati 12 orë, nuk u zhvilluan diskutime për të. Kjo ndodhi për shkak të numrit të pamjaftueshëm të deputetëve në sallë.

Presidentja e kishte kthyer ligjin në Kuvend pikërisht pas kërkesës së PDK-së për ndryshime në të. Megjithatë, ky subjekt politik më pas kërkoi që përmbajtja e njëjtë e ligjit të miratohej dhe që, pas hyrjes së tij në fuqi, ai t’i nënshtrohej amendamentimit.