UDHËZIM PËR PËRDORIMIN E INTELIGJENCËS ARTIFICIALE (IA) NË REDAKSI
Ky dokument përcakton mënyrën e përdorimit të Inteligjencës Artificiale (IA) në punën e redaksive të KOHËS. Qëllimi parësor është që IA të shfrytëzohet si mjet për rritjen e efikasitetit, duke ruajtur standardet etike e profesionale si dhe besueshmërinë e informacionit.
1. Parimi
Përderisa IA është mundësi për përshpejtimin e procesit të punës, përdorimi i saj nënkupton kujdes dhe qasje kritike për të shmangur dëmtimin e standardeve profesionale dhe besueshmërinë tonë.
2. Përdorimi i IA-së lejohet për
- Monitorimin e temave dhe trendeve.
- Transkriptimin dhe përkthimin.
- Redaktimin e teksteve (gabime drejtshkrimore/gramatikore).
- Shërbime për publikun (newsletter, përmbledhje të shkurtra, sugjerime për lexim).
- Shpërndarje përmbajtjeje (caktimin e tagave, hashtagave, e të ngjashme).
- Analizimin e të dhënave (krijimin e një produkti inhouse).
- Automatizimin e proceseve në shumë gjuhë, përfshirë dërgimin e newsletters.
3. Ndalimi i përdorimit të IA-së
- IA nuk mund të përdoret si burim i vetëm dhe raportet, hulumtimet e intervistat duhen të kryhen nga gazetarët sipas standardeve etike dhe profesionale.
- Nuk lejohet prodhimi i çfarëdo përmbajtjeje vetëm me IA. Artikujt, fotot dhe materialet origjinale prodhohen dhe redaktohen nga reporterët dhe redaktorët.
- Fotot, videot dhe materialet audio duhen të jenë origjinale prodhuar/krijuar nga stafi i KOHËS ose të blera nga agjenci të licencuara.
4. Testimi
- Stafi inkurajohet të testojë opsione që i ofron IA për ta bërë punën më efikase.
- Testimi do të bëhet në hapësirat e punës ku ka siguri ruajtjeje të të dhënave.
- Përdorimi eventual i inovacionit kërkon miratimin e kryeredaktores dhe drejtoreshës menaxhuese.
5. Përgjegjësia
- Materiali i prodhuar me ndihmën e IA duhet të kontrollohet nga redaktori përkatës para publikimit dhe duhet t'i plotësojë standardet profesionale.
- Është i detyrueshëm verifikimi i burimeve dhe i fakteve.
- Duhet shmangur paragjykimin a diskriminim eventual që mund ta prodhojë përdorimi i IA-së si burim.
- Kujdes i veçantë për të përdorur gjuhë gjithëpërfshirëse, pa paragjykime ose diskriminim.
6. Transparenca
Kur IA përdoret në mënyrë të konsiderueshme për një material (p.sh. përkthim i plotë, analizë të dhënash), kjo do t'i bëhet me dije publikut.
7. Mbrojtja e të Dhënave
Të dhënat personale, përmbajtjet me të drejtë autori, dokumentet e brendshme dhe informacioni konfidencial përpunohen vetëm me mjete IA të testuara dhe të miratuara nga redaksia.
8. Foto, Audio dhe Video
Nuk lejohet përdorimi i IA për krijimin e përmbajtjes mashtruese. Përpunimet teknike mund të mbështeten nga IA, por gjithmonë duke e respektuar etikën profesionale.
9. Trajnimi
Stafi është njoftuar me udhëzimin dhe informohet rregullisht mbi mundësitë dhe rreziqet që mund t'i shkaktojë përdorimi i IA-së.
Ky udhëzim është miratuar më 21 prill 2025 dhe hyn në fuqi menjëherë. Rishikimi i tij do të bëhet në baza periodike.
Flaka Surroi
Drejtoreshë Menaxhuese
KOHA