Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rruga e Ligjit për Specialen e paqartë pas kthimit të tij në Kuvend

Specialja

Deputetët e Kuvendit të Kosovës ende nuk e kanë të qartë rrugën se si do të ecet para me projektligjin që synonte plotësim ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale. E derisa kjo çështje të qartësohet, përfaqësuesit e pushtetit e të opozitës do të ballafaqohen në diskutimet për tema të tjera, të cilat do të adresohen në dy seancat që planifikohet të zhvillohen këtë javë

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës janë duke vazhduar diskutimet lidhur me procedimin tutje të projektligjit për Gjykatën Speciale, pas kthimit prapa nga presidentja Justina Shiroka-Pula, me kërkesë të PDK-së.

Shefja e deputetëve të VV-së, Arbërie Nagavci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të hënën, është shprehur optimiste se do të arrihet një pajtim se si të adresohet kjo çështje.

“Ne e kemi të qartë se tashmë ka një aktgjykim të Gjykatës Kushtetueses dhe ka edhe dy raste të tjera të cilat kanë ndodhur në kohën sa ishte presidente zonja Osmani, të cilat e bëjnë të qartë që ligji nuk mund të amandamentohet. Dhe ky është jo vetëm qëndrimi jonë, por janë argumentet që e tregojnë bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe shpresoj që këtë e kanë të qartë edhe PDK-ja”, ka thënë ajo.

Për diskutimet me Lëvizjen Vetëvendosje apo çështjet që janë trajtuar në kryesi nuk janë deklaruar nga Partia Demokratike e Kosovës.

E ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, në një intervistë për EkonomiaOnline, ka thënë se dakordim kanë për përmbajtjen e projektligjit.

“Ligji është tani në procedurë të rregullt parlamentare, përmbajtja është pak a shumë e dakorduar, diskutimi është thjesht për procedurën. Unë jam e bindur që, nëse vazhdojmë me vullnetin politik që kemi demonstruar ditën kur e kemi miratuar Ligjin, do të gjejmë zgjidhje dhe Ligji do të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Çitaku.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë thënë se janë ende duke pritur sqarimin nga Kuvendi për mënyrën se si duhet t`i qasen projektligjit pas kthimit prapa.

“Ajo çka LDK-ja ka thënë qysh në fillim në procedim të këtij ligji ka qenë që kjo nuk është rruga e duhur për të proceduar, sepse sfida e vërtetë është në Apel, është ligjor, por nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me një ligj që kanë proceduar partitë në Kuvend”, ka deklaruar Jehona Lushaku, shefe e Grupit Parlamentar të LDK-së.

Ndryshimet në Ligjin për Specialen janë votuar më 6 tetor. E më 22 tetor, është kthyer në Kuvend nga presidentja Shiroka-Pula me kërkesë të PDK-së, që inicioi ndryshimet.

Ndërkohë, për këtë javë janë caktuar të mbahen dy seanca. 

Lidhja Demokratike e Kosovës ka iniciuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të mërkurën, në të cilën do të diskutohet për konstatimet e raportit të BE-së për Kosovën.

Kurse, të enjten do të mbahet seanca e rregullt e Kuvendit, në të cilën, mes tjerash, do të diskutohet edhe për gjendjen me energjinë elektrike.

“Do të debatojmë për temën më të rëndësishme që sot ka Kosova e ajo është jo vetëm mungesa e energjisë elektrike, por edhe aspektet që ndërlidhen me çmimin e rrymës, por edhe njëkohësisht edhe me .. transaksionet dhe blerjen e rrymës”, ka thënë Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës.

Në agjendë, krahas këtij diskutimi është edhe shqyrtimi i katër marrëveshjeve ndërkombëtare, dhe interpelanca e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.