Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar vendet evropiane që të mos bien pre e përpjekjeve të Rusisë për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni kundër Ukrainës. Ajo ka theksuar se Moska po përpiqet të hapë debat për rendin e sigurisë në Evropë, në kuadër të negociatave për përfundimin e luftës
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar vendet evropiane që të mos bien në kurthet që, sipas saj, po përpiqet t’u ngrejë Rusia. Ajo ka thënë se Moska po synon të hapë debat për sigurinë e Evropës, me qëllim që të largojë vëmendjen nga agresioni i saj kundër Ukrainës.
“Ne kemi një agresor dhe një viktimë, ndërsa agresori nuk ka arsye të shqetësohet për sigurinë e vet. Askush nuk e ka sulmuar ndonjëherë Rusinë. Ajo ka sulmuar të tjerët. Duhet të mos e humbim vëmendjen nga kjo”, ka deklaruar Kallas, para nisjes së samitit të liderëve të BE-së në Dublin.
Gjatë negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë, Rusia ka rikthyer kërkesat e saj për ndryshime të thella në rendin e sigurisë në Evropë. Këto kërkesa ishin kundërshtuar në vitin 2021, pasi konsideroheshin si cenim i sovranitetit të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Raundi i fundit i bisedimeve mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara u mbajt këtë javë në Abu-Dabi.
I dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, deklaruan të enjten se Rusia dhe Ukraina kishin rënë dakord që në raundin e ardhshëm të negociatave të përfshiheshin edhe përfaqësuesit evropianë. Megjithatë, Kremlini e kundërshtoi shpejt këtë deklaratë.
Liderët evropianë kanë përsëritur se do ta mbështesin Ukrainën në çdo negociatë për paqe, por kanë kërkuar që fillimisht të arrihet një armëpushim. Ata theksojnë gjithashtu se Evropa ka një sistem të gjerë marrëveshjesh të sigurisë, të cilat Rusia i ka shkelur.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se nuk ka nevojë të diskutohet për krijimin e një rendi të ri të sigurisë në Evropë, pasi një sistem i tillë tashmë ekziston. Ai ka shtuar se pjesëmarrja e Gjermanisë në çdo delegacion evropian është e vetëkuptueshme.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar se përfshirja e Evropës në negociata është e domosdoshme, si për mbrojtjen e interesave të saj, ashtu edhe për mbështetjen e Ukrainës.
Ndërkohë, Kremlini ka deklaruar se vendimi për përfshirjen e vendeve evropiane në një format më të gjerë negociatash do të merret pasi Rusia të kuptojë qëllimet e tyre dhe gatishmërinë për të kontribuar në procesin e paqes. Negociatori kryesor rus në Abu-Dabi, Vladimir Medinsky, ka vënë në pikëpyetje nevojën për bisedime me Evropën, duke thënë se nuk është e qartë se çfarë do të kishte për të diskutuar me të.
Përfshirja e Evropës në negociata ka nxitur gjithashtu diskutimin se kush duhet ta përfaqësojë atë. Edhe pse bisedimet për këtë çështje kanë vazhduar prej më shumë se dy vjetësh, Bashkimi Evropian ende nuk ka vendosur nëse do të përfaqësohet nga një person i vetëm apo nga disa përfaqësues.
Franca dhe Gjermania mbështesin vazhdimin e rolit të të dërguarve të tyre në kuadër të formatit E3, ku bëjnë pjesë edhe Britania e Madhe, ndërsa vendet më të vogla të BE-së kërkojnë që përfaqësimi të mbështetet më shumë tek institucionet e Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër përmenden presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe vetë Kaja Kallas.
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka vlerësuar se debati për përfaqësimin e Evropës po merr më shumë vëmendje sesa duhet, pasi vendet evropiane kanë interesa të ndryshme. Ai ka theksuar se disa çështje, si financimi i Ukrainës dhe anëtarësimi i saj i ardhshëm në BE, janë drejtpërdrejt në interes të Bashkimit Evropian. Megjithatë, sipas tij, mund të përdoren edhe formate të tjera negociatash, si E3 apo E5, ku përfshihen edhe Italia dhe Polonia. Kristersson ka shtuar se më e rëndësishme se numri apo përbërja e përfaqësuesve është qëndrimi që do të paraqesë Evropa në këto bisedime.
Në samitin e Dublinit, disa liderë, përfshirë Kallasin, kanë theksuar edhe rëndësinë e përfshirjes së Britanisë së Madhe në këtë proces. Londra është pjesë e koalicionit të vendeve që janë zotuar të kontribuojnë në garantimin e paqes në Ukrainë pas përfundimit të luftës.
Kryeministri irlandez, Micheál Martin, ka thënë se Britania e Madhe dhe Norvegjia kanë rol të rëndësishëm në këtë proces, pasi çështja e sigurisë së Ukrainës prek të gjithë kontinentin evropian.
Ndërkaq, kryeministri britanik, Andy Burnham, ka deklaruar se i takon Bashkimit Evropian të vendosë se kush do ta përfaqësojë atë në negociata. Ai ka theksuar se vendet evropiane duhet të vendosin vetë për mënyrën se si do të organizojnë bashkëpunimin dhe garancitë e tyre të sigurisë.