Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Disa nxënës e ndërprenë mësimin, pasi Komuna e Podujevës ua ndali transportin

shkolla në Orllan

Prindërit në disa fshatra përreth Podujevës, ua kanë ndërprerë mësimin fëmijëve për shkak të mungesës së transportit. Nga data 15 tetor, komuna e ka ndërprerë kontratën me operatorët me të cilët udhëtonin nxënësit. Komuna ka vendosur që t’i subvencionojë prindërit e nxënësve për t’i mbuluar shpenzimet e udhëtimit, por ata  thonë se kjo përbën barrë meqë duhet ta ndërpresin punën për t’i dërguar fëmijët në shkollë

Rezana Bozhlani

Ismajl Kastrati nga fshati Godishnjak i Podujevës është i detyruar që nga 15 tetori ta dërgojë vajzën e tij në shkollën që ndodhet shumë kilometra larg shtëpisë.

Por tash e dy javë, Kastrati ia ka ndërprerë mësimin tërësisht, për shkak të vështirësive për të ecur gjatë deri te shkolla.

E krejt këtë ai thotë se e ka shkaktuar ndërprerja e shërbimit të transportit të nxënësve të lagjes. 

Komuna e Podujevës e ka ndërprerë kontratën me operatorin, me qëllim që prindërit të subvencionohen për shpenzimet e udhëtimit. 

Por, Kastrati thotë se ky vendim është bërë barrë shtesë për prindërit. 

“Telashe kemi me kombi. Duhet me e dërgu 9 kilometra, sa janë nuk e di, por unë qe dy javë ia kam ndërpre mësimin. Nuk po munden me shku në shkollë shkaku i transportit”, ka treguar ai. 

Shqetësim të njëjtë ka ndarë edhe Iliaz Uka, nga fshati Orllan, fëmijët e të cilit nuk e kanë vijuar mësimin për shkak të mungesës së transportit. 

“Shqetësimi ynë si prindër është bartja e nxënësve, transporti. Kanë udhëtuar me kontratë deri tash. Prej të 15-tit ka skaduar kontrata e kombit, dhe tash janë në shtëpi për momentin. Nuk e kanë vijuar mësimin prej atëherë”, ka treguar ai. 

Por subvencionimi nuk është zgjidhje sipas Ukës, sepse është e vështirë për prindërit që ta sigurojnë operatorin.

“Ne kemi shkuar edhe në Komunë, dhe kemi mbajt mbledhje këtu në Komunë me drejtorin Avni Fetahu, me drejtorin e Arsimit. Na kanë thënë që ‘aplikoni edhe ju subvencionojmë fëmijët, edhe bartni vetë ose siguroni qysh doni, edhe i kryeni vetë këto punë’. Megjithëse, neve nuk na konvenon kjo punë, nuk na konvenon në kurrfarë mënyre sepse ne nuk mundemi vetë kurrgjë hiq, edhe me na subvencionu nuk mundemi sepse nuk gjejmë kontraktues këtu fare, je në katun”, ka thënë ai.

Njësoj janë ankuar edhe prindërit e nxënësve të fshatit Bervenik. 

Avdullah Halili i cili ka qenë vetë operator përgjegjës për dërgimin e fëmijëve në shkollë, thotë se një obligim i tillë i lë prindërit pa punë.

“Shqetësimi im është që unë nuk mundem ta siguroj transportin e fëmijës tim, dhe më duhet me e lëshu punën, dhe me u përcaktu njëri prej prindërve për me kry transportin e fëmijës vajtje-ardhje, dhe ne duhet të tërhiqemi nga puna, për t’iu përshtatur asaj, edhe me e lanë punën për ekonomi familjare. Kanë udhëtuar me transport, me kontratë 18 vjet unë kam qenë operatori, tash është ndërprerë kontrata dhe tash kam mbetur si prindër dhe në cilësinë e prindit unë dua që të bëhet një zgjidhje që të mos na qesin barrë, me lënë një punë për t’u angazhuar me nxënës të shkollës, me i çu në shkollë dhe me i kthy në shtëpi”, ka thënë ai. 

Drejtori i shkollës “Zahir Pajaziti” në Orllan, Naim Bajrami, thotë se një pjesë e prindërve të nxënësve nuk kanë aplikuar për subvencione.

“Ndryshimet vijnë nga Komuna. Jemi informuar se Komuna e ka ndryshuar vijën buxhetore, e kanë bërë me subvencione. Përpara kanë aplikuar me operatorë që i kanë bartur. Unë në këtë rast e kam pritur se do të kemi problem të tillë për arsye se prindërit janë të vendosur që të kthehet si ka qenë përpara. E politikat buxhetore i bën Komuna, nuk i bëj unë. Kemi mbet, fëmijët nuk po vijnë, një pjesë e madhe, diku 10 vijnë, tetë ose nëntë nuk vijnë. Është një barazim ata që vijnë e nuk vijnë”, ka thënë Bajrami.

Ai ka treguar se disa nga prindërit e nxënësve kanë nisur të bëjnë aplikime për subvencionim të transportit.

“Deri më tani janë nëntë aplikime. Dy i kanë marrë, janë bërë 11. Pra, 11 aplikime e unë i kam 18 nxënës në listë”, ka thënë Bajrami.

Prindërit e nxënësve e kanë konsideruar problem edhe çështjen e shumës së subvencionit, për të cilën nuk kanë dijeni se sa është pagesa për një fëmijë. 

Drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu, thotë se kjo shumë përcaktohet nga komisioni përkatës.

“Shuma e subvencionit nuk është përcaktuar në mënyrë arbitrare, por do të caktohet nga komisioni përkatës, duke marrë për bazë kriteret e përcaktuara, kushtet e transportit, largësinë nga shkolla dhe rrethanat specifike të secilit lokalitet. Në veçanti, dua t’i siguroj prindërit e Orllanit dhe fshatrave përreth se kjo zonë do të trajtohet me kujdes dhe dinjitet të veçantë, duke marrë parasysh specifikat e terrenit, distancat dhe vështirësitë që paraqet transporti në këtë pjesë të komunës”, ka thënë Fetahu.

Me problemin e njëjtë ballafaqohen edhe prindërit e nxënësve në fshatrat Llapashticë, Dyz, Dumnicë dhe Buricë.