Erërat e fuqishme që kanë përfshirë vendin gjatë natës kanë lënë pas dëme në disa komuna të Kosovës. Kulmet e ndërtesave dhe të shkollave janë dëmtuar, ndërsa në disa vendbanime janë shkaktuar edhe probleme me furnizimin me energji elektrike. Përkundër dëmeve materiale nuk është raportuar për persona të lënduar
Erërat e fuqishme që kanë përfshirë Kosovën gjatë së premtes kanë lënë pas dëme materiale në disa komuna, duke dëmtuar kulme të ndërtesave dhe objekteve shkollore, si dhe duke shkaktuar probleme në rrjetin e energjisë elektrike.
Ato janë shkaktuar nga stuhia atlantike Charles, që është zhvendosur drejt Evropës Jugore dhe Ballkanit, pas Portugalisë dhe Spanjës. Stuhia ka shkaktuar tashmë probleme serioze në Gadishullin Iberik, me erëra deri në 148 kilometra në orë në Ishujt Kanarie, qindra fluturime të anuluara, përmbytje dhe evakuime.
Intensiteti i saj në Kosovë ka qenë më i ulët.
Në Deçan, zyrtarët kanë thënë se ekipet emergjente komunale kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë natës për të menaxhuar situatën dhe për të intervenuar në vendet ku është paraqitur nevoja.
Drejtori i Emergjencave në këtë komunë, Izet Zenuni, ka theksuar nuk është raportuar për persona të lënduar. Megjithatë, erërat kanë shkaktuar probleme kryesisht në rrjetin e energjisë elektrike, duke prekur disa fshatra.
“Është një fat i mirë që nuk kemi dëme në njerëz apo dëme më të mëdha. Kryesisht dëmet përfshihen në rrjetin e energjisë elektrike duke përfshirë fshatrat Voksh, Drenoc, Gllogjan, Gramaçel, Shaptej, Strellc dhe vendbanime të tjera. Me mëngjes i kemi ofruar edhe KEDS-it, në qoftë se është e nevojshme për teknikë, ekstravatorë apo me forma të tjera. Ekipet emergjente janë në terren së bashku me zjarrfikësit duke e parë situatën dhe duke qenë reaguesit e parë në situata të tilla”, ka thënë Zenuni.
Dëme nga erërat e forta janë raportuar edhe në Drenas. Komuna ka njoftuar se në rrugën “Adem Mulaj”, afër parkingut, një pjesë e kulmit të një ndërtese është shkëputur dhe ka rënë në tokë.
Po ashtu, dëmtime serioze të kulmit janë vërejtur edhe në objektin e çerdhes së vjetër.
“Në rrugën ‘Adem Mulaj’, në afërsi të parkingut, një pjesë e kulmit të një ndërtese është shkëputur dhe ka rënë. Po ashtu, te objekti i çerdhes së vjetër, është vërejtur dëmtim serioz i kulmit, me rrezik që pjesë të tij të shkëputen. Lusim të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në këto zona, të shmangin qëndrimin pranë objekteve të dëmtuara dhe të mos parkojnë automjetet në hapësirat ku ekziston rreziku i rënies së materialeve nga kulmet”, thuhet në njoftim.
Dëme materiale si pasojë e erërave të forta janë raportuar edhe në Rahovec.
Irfan Berisha, drejtor i Drejtorisë për Emergjenca ka bërë të ditur për KOHËN se është dëmtuar kulmi i një shkolle fillore të fshatit Kramovik të Rahovecit.
Sipas tij, ndonëse fëmijët kanë qenë brenda shkollës, nuk ka të lënduar si pasojë e këtij dëmtimi.
“Në fshatin Kramovik, në shkollën fillore ‘Mustaf Ibishi’ një pjesë e kulmit në orët e para të paradites është hequr. Domethënë, është bërë zhvendosja e disa llamarinave. Ekipet e shpëtimit, zjarrfikësit, kanë dalë në terren dhe gjendja është nën kontroll. Fatmirësisht nuk kemi të lënduar nga personeli arsimor edhe gjendja tash është e qetë. Kurse sa i përket në pjesë të tjera të Komunës së Rahovecit deri më tani nuk kemi informata që ka ndonjë problem”, ka thënë Berisha.
Komunat u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i kufizojnë lëvizjet e panevojshme dhe të shmangin qëndrimin apo parkimin pranë pemëve, ndërtesave dhe objekteve të pasigurta.
E nga komuna e Gjakovës thirrje u është bërë edhe përgjegjësve të kantiereve të ndërtimit dhe bizneseve që të sigurojnë materialet, rrethojat dhe reklamat, në mënyrë që të mos paraqesin rrezik për kalimtarët.
Edhe Komuna e Mitrovicës u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, për shkak të paralajmërimeve meteorologjike për erëra të forta. Sipas njoftimit, në territorin e Mitrovicës nuk është evidentuar asnjë rast apo dëm i shkaktuar nga erërat e forta.