Dukagjin Lipa, babai dhe njëkohësisht menaxheri i këngëtares me famë botërore, Dual Lipa, në një intervistë për emisionin “RTL Direkt”, ka treguar për rrugëtimin e së bijës, lidhjen e saj me Kosovën dhe marrëdhënien e veçantë që kanë mes vete. “Kur bëhet fjalë për vendimet krijuese, Dua e ka gjithmonë fjalën e fundit”, ka thënë ai ndër të tjera
Nga Kosova në skenat më të mëdha të botës, Dua Lipa është shndërruar në një prej emrave më të suksesshëm të muzikës ndërkombëtare. Suksesi i saj është dëshmi e një karriere të ndërtuar me punë, talent dhe përkushtim, por edhe e një lidhjeje të fortë me vendin e origjinës, të cilin këngëtarja nuk e ka lënë asnjëherë jashtë vëmendjes.
Performanca e saj në festivalin “Coachella” pritet të shënojë një tjetër moment historik, pasi ajo do të bëhet artistja e parë britanike që kryeson këtë festival prestigjioz. Ndërkohë, dy vjet më parë, ajo konfirmoi statusin e saj si një prej yjeve më të mëdhenj të muzikës botërore edhe me performancën në festivalin “Glastonbury”.
Përveç hiteve që kanë kryesuar klasifikimet ndërkombëtare, Dua ka arritur ta shndërrojë famën e saj në një mundësi për promovimin e Kosovës në botë.
Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka edhe babai i saj, Dukagjini, i cili është njëkohësisht menaxheri i këngëtares dhe një prej njerëzve që e kanë shoqëruar nga fillimet e karrierës. Ai është gjithashtu ideatori dhe organizatori i festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë, i cili ndër vite ka sjellë në Kosovë emra të njohur ndërkombëtarë, si Miley Cyrus, Peggy Gou dhe Katy Perry.
Gjatë një vizite në Zagreb, ku mori pjesë në një konferencë për zhvillimin e festivalit “Sunny Hill”, Dukagjini ka dhënë një intervistë ekskluzive për emisionin “RTL Direkt”, ku ka folur për suksesin e së bijës, raportin e tij me Duan si baba dhe menaxher, si dhe për mënyrën se si muzika mund të ndihmojë në promovimin e Kosovës.
“Muzikantët dhe sportistët mund të bëjnë më shumë për një vend sesa politikanët”
I pyetur nëse Dua Lipa do ta shoqëronte në këtë vizitë në Zagreb, Dukagjini ka treguar se këtë herë ajo nuk kishte mundësi të vinte.
Ai ka folur edhe për lidhjen e tij me rajonin, duke kujtuar se gjatë studimeve kishte kaluar shumë kohë në Sarajevë.
Lidhur me “Sunny Hillin” dhe ndikimin që një festival muzikor mund të ketë në imazhin e Kosovës, ai u shpreh se arti dhe sporti kanë një fuqi të veçantë për të afruar njerëzit.
“Unë besoj se muzikantët dhe sportistët, jo vetëm kur bëhet fjalë për Kosovën, por për çdo shtet, mund të bëjnë shumë më tepër sesa politikanët. Ky është mendimi im personal”, ka thënë ai.
I pyetur se kush ka ndikuar më shumë në njohjen e Kosovës në botë, e bija apo politikanët dhe diplomatët, Lipa ka theskuar se kjo ishte një pyetje e vështirë.
“Promovimi i vendit dhe prezantimi i tij në dritën më të mirë është përgjegjësi e përbashkët. Dua e promovon Kosovën në mënyrën më të mirë që mundet, ndërsa ne përpiqemi ta bëjmë këtë përmes festivalit ‘Sunny Hill’”, u shpreh ai.
Ai ka theksuar se puna që bëjnë për promovimin e Kosovës është vullnetare dhe nuk lidhet me ndonjë marrëveshje apo mbështetje nga institucionet shtetërore.
“Ne jemi krenarë për atë që po bëjmë për Kosovën. E bëjmë këtë sepse besojmë se vendi ynë meriton të prezantohet ashtu siç e shohim dhe e njohim ne”, ka thënë ai.
Duke kujtuar periudhën e viteve ’80 dhe ’90 në ish-Jugosllavi, Dukagjini ka thënë se atëherë kishte shumë keqkuptime dhe mungesë njohjeje mes njerëzve. Sipas tij, shumëkush nuk e njihte realitetin e shqiptarëve të Kosovës dhe i konsideronte ata si një popull krejtësisht të ndryshëm.
“Sot kemi mundësinë ta promovojmë vendin tonë, të tregojmë mikpritjen dhe bukurinë e tij, si dhe faktin se Kosova i ka mirëpritur gjithmonë njerëzit me krahë hapur”, ka theksuar ai.
Nga Prishtina në Londër, një rrugëtim i shënuar nga rrethanat politike
Gjatë intervistës, Dukagjini u kthye edhe pas në kohë, duke kujtuar largimin nga Kosova në vitin 1992 për shkak të rrethanave politike.
Ai tregoi se në atë periudhë vendosi të shpërngulej në Londër, ndonëse ky nuk ishte destinacioni më i zakonshëm për shqiptarët që largoheshin nga vendi për arsye ekonomike.
“Nëse emigroje për arsye ekonomike, zakonisht shkoje në Zvicër, Gjermani, Shtetet e Bashkuara apo në vendet skandinave. Unë u largova nga Kosova për shkak të problemeve politike dhe shkova në Londër”, ka kujtuar ai.
Londra, sipas tij, ishte një qytet që e tërhiqte për shkak të muzikës dhe artit, një vend ku mund të dashuroheshe lehtësisht me atmosferën dhe jetën kulturore.
Ai ka treguar gjithashtu se gjatë asaj periudhe kishte mbetur i bllokuar në Sarajevë, së bashku me të dashurën e atëhershme, e cila sot është bashkëshortja e tij.
Duke parë rrugëtimin që ka bërë familja e tij ndër vite, ai shprehu kënaqësinë që sot mund të kthehen në Kosovë dhe të kontribuojnë në prezantimin e saj ndërkombëtar.
“Dua dhe unë e njohim shumë mirë njëri-tjetrin”
Një nga pjesët më interesante të intervistës ishte ajo që lidhej me marrëdhënien e tij me Duan, pasi ai është njëkohësisht babai dhe menaxheri i saj.
I pyetur nëse ky kombinim krijon vështirësi apo konflikte mes interesave të karrierës dhe jetës personale të së bijës, Dukagjini ka thënë se ata kanë arritur të krijojnë një ekuilibër të shëndetshëm.
“Dua dhe unë jemi në një pozicion të veçantë, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal. Jemi shumë të afërt, kuptohemi jashtëzakonisht mirë dhe kemi punuar së bashku që kur ajo ishte fëmijë. Prandaj, i dimë shumë mirë kufijtë mes punës dhe jetës private”, ka shpjeguar ai.
Sipas tij, asnjë vendim i rëndësishëm për karrierën e këngëtares nuk merret pa dijeninë dhe përfshirjen e saj.
“Vendimet i marrim gjithmonë në konsultim me Duan. Ajo është e informuar për gjithçka që lidhet me punën, biznesin dhe karrierën e saj. Asnjë vendim nuk merret pa dijeninë e saj”, ka thënë Lipa.
Ai ka shtuar se shumë çështje as nuk kanë nevojë të diskutohen gjatë, pasi përjashtohen menjëherë nëse nuk janë të realizueshme për shkak të angazhimeve apo arsyeve të tjera.
Por kur bëhet fjalë për vendimet e rëndësishme, ato diskutohen dhe merren së bashku.
I pyetur se kush e ka fjalën e fundit në këto vendimmarrje, përgjigjja e tij ishte e shkurtër dhe domethënëse: “Gjithmonë ajo!”
Ai ka treguar se Dua nuk i ka thënë asnjëherë të mos ndërhyjë në punët e saj, pasi të dy e kuptojnë shumë mirë mënyrën se si funksionon bashkëpunimi i tyre. Megjithatë, në çështjet që lidhen me krijimtarinë dhe drejtimin artistik, vendimi përfundimtar sipas tij, i takon gjithmonë këngëtares.
Si është Dua Lipa larg kamerave dhe skenës?
Edhe pse jeta e Duës është vazhdimisht nën vëmendjen e publikut, babai i saj thotë se familja përpiqet që ajo të bëjë një jetë sa më normale.
Sipas tij, fama nuk e ka shkëputur këngëtaren nga njerëzit dhe gjërat që kanë qenë pjesë e jetës së saj përpara suksesit ndërkombëtar.
“Nëse e ndiqni në rrjetet sociale, mund ta shihni se si është në të vërtetë. Ajo kalon shumë kohë me shoqet e fëmijërisë, të cilat vazhdojnë të jenë edhe sot shoqet e saj më të mira. I kushton shumë kohë familjes, vëllait dhe motrës, shkon në restorante dhe e shijon jetën në mënyrë krejt të zakonshme”, ka treguar ai.
Dukagjini ka theksuar se një rreth i mirë njerëzish dhe miqsh e ndihmon Duan të qëndrojë me këmbë në tokë, pavarësisht famës dhe suksesit të madh.
“Në shtëpi i përziejmë gjuhët, por të tre fëmijët flasin shqip rrjedhshëm”
Gjatë bisedës pati vend edhe për gjuhët që fliten në familjen Lipa.
I pyetur nëse në shtëpi flasin shqip, ai ka treguar se familja përdor një përzierje gjuhësh, por konfirmoi se të tre fëmijët e tij e flasin rrjedhshëm shqipen.
Ai tregoi gjithashtu se di të flasë edhe kroatisht, ndonëse me theks boshnjak, duke e bërë intervistën edhe më interesante për publikun e rajonit.
Mesazhi i tij për të rinjtë: E ardhmja është në duart e tyre
Në fund të intervistës, biseda preku edhe zhvillimet politike në rajon. I pyetur për ndryshimet politike në Serbi dhe rolin e studentëve në përcaktimin e së ardhmes së vendit, Lipa preferoi të mos komentonte politikën e një shteti tjetër.
Megjithatë, ai u shpreh se i vjen gjithmonë mirë kur sheh të rinjtë të marrin përgjegjësi dhe të angazhohen për të ardhmen.
“Bota po ndryshon dhe edhe natyra njerëzore duhet të evoluojë. Siç kemi thënë gjithmonë, e ardhmja është në duart e të rinjve. Mund të shpresojmë vetëm që brezat e rinj të sjellin ndryshime të mira në çdo vend”, ka përfunduar ai.