Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Kikirikët mund të ndihmojnë shëndetin e trurit te të moshuarit

Kikirikët

Kikirikët

Një ushqim i zakonshëm, që shumë njerëz e konsumojnë si messhujtë, mund të ndihmojë në mbështetjen e shëndetit të trurit në moshë të madhe. Bëhet fjalë për kikirikët, të cilët, sipas një studimi të ri, mund të ndikojnë pozitivisht në mënyrën se si zonat e trurit të lidhura me kujtesën reagojnë ndaj insulinës, ka shkruar FoxNews.

Hulumtimi u krye nga studiues të Qendrës Mjekësore të Universitetit të Mastrihtit në Holandë dhe u publikua në revistën shkencore Food & Function.

Studimi përfshiu vetëm 31 të rritur të shëndetshëm, të moshës 60 deri në 75 vjeç. Për 16 javë, pjesëmarrësit konsumuan çdo ditë 60 gramë kikirikë të pjekur me lëkurë, pa kripë, afërsisht dy racione.

Gjatë një faze tjetër të studimit, ata nuk konsumuan fare kikirikë, në mënyrë që studiuesit të krahasonin rezultatet.

Përmes rezonancës magnetike (MRI), studiuesit vlerësuan disa tregues të shëndetit të trurit. Ata vunë re se konsumimi i përditshëm i kikirikëve për 16 javë u shoqërua me një rritje prej rreth 4 për qind të qarkullimit të përgjithshëm të gjakut në tru.

Gjithashtu, u vu re një reagim më i mirë ndaj insulinës në zonat e trurit që lidhen me kujtesën, përfshirë hipokampusin, një strukturë e rëndësishme për të mësuarit dhe ruajtjen e kujtimeve.

Insulina njihet kryesisht për rolin e saj në rregullimin e sheqerit në gjak, por ajo ndihmon edhe qelizat nervore të rriten dhe të komunikojnë me njëra-tjetrën. Këto procese janë të rëndësishme për funksionimin e trurit.

“Ky është një studim interesant, sepse po kuptojmë gjithnjë e më shumë se insulina luan rol të rëndësishëm në shëndetin e trurit, jo vetëm në rregullimin e sheqerit në gjak”, ka thënë për Fox News neurologia amerikane Kellyann Niotis.

Ajo ka shpjeguar se insulina ndihmon komunikimin mes qelizave të trurit dhe proceset që lidhen me të mësuarit dhe kujtesën.

A mund të parandalojnë kikirikët Alzheimerin?

Jo domosdoshmërisht. Ekspertja ka theksuar se rezultatet nuk duhet të interpretohen si provë se kikirikët parandalojnë sëmundjen e Alzheimerit.

“Rezistenca ndaj insulinës dhe çrregullimet metabolike lidhen me rrezik më të lartë për rënie të funksioneve njohëse dhe Alzheimer. Ajo që ende po përpiqemi të kuptojmë është nëse përmirësimi i mënyrës se si truri reagon ndaj insulinës mund të ndihmojë në parandalimin ose vonimin e sëmundjes”, ka shpjeguar Niotis.

Ajo ka shtuar se studimi ishte shumë i vogël për të përcaktuar nëse ndryshimet e vërejtura përkthehen në përmirësim të kujtesës apo në përfitime afatgjata për shëndetin e trurit.

“Nuk do t’i interpretoja këto rezultate si dëshmi se kikirikët parandalojnë Alzheimerin. Ka pak gjasa që një ushqim i vetëm të ketë një fuqi kaq të madhe”, ka theksuar neurologia.

Sipas saj, provat shkencore mbështesin më shumë mënyrën e përgjithshme të të ushqyerit sesa konsumimin e një produkti të vetëm.

“Do të preferoja që dikush të përqendrohej te ndjekja e vazhdueshme e një diete të stilit mesdhetar, në vend që të shqetësohej nëse po ha mjaftueshëm kikirikë”, ka thënë ajo.