Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Reforma e zgjerimit të BE-së mund të hapë një dritare për Kosovën

Komisioni Evropian, sipas një drafti që e ka parë KOHA, mes propozimeve për përgatitjen e bllokut për zgjerim që do t’i publikojë në raportin më 30 shtator, do të angazhohet për vendimmarrjen me shumicë të kualifikuar në vende të konsensusit në procesin e negociatave të anëtarësimit në hapat e ndërmjetëm, duke ruajtur konsensusin për vendimin përfundimtar. Po ashtu, do të kërkohet nga vendet e reja anëtare zotimi se nuk do të përdorin veton e tyre as në vazhdimin e zgjerimit. Duke marrë parasysh se pos 5 vendeve anëtare që nuk e njohin Kosovën, pavarësinë e saj nuk e njohin as 5 vende kandidate, një reformë e tillë do të paraqesë një rast edhe për Kosovën. Ndërkohë, derisa të mos ndodhë ky ndryshim, Kosova duhet të dijë se ka probleme edhe me vendet që e kanë njohur, e jo vetëm me ato të cilat nuk e kanë njohur.

Procesi i zgjerimit evropian nuk është as përafërsisht i suksesshëm sa fitohet përshtypja kur dëgjohen zyrtarët e lartë të BE-së duke folur për të. Numërimet se sa kapituj i ka mbyllur Mali i Zi e sa i ka hapur Shqipëria nuk mjaftojnë për të ndërtuar një pasqyrë pozitive për një proces, i cili në 20 vjetët e fundit ka rezultuar me vetëm një vend të ri anëtar (Kroacinë në vitin 2013), e ndërkohë BE-ja është zvogëluar me largimin e Britanisë së Madhe. Maqedonia pret që nga viti 2009 t’i nisë negociatat, por mbetet e bllokuar. Kosova ka aplikuar për anëtarësim, por kërkesa e saj nuk është marrë parasysh fare. Serbia praktikisht është e bllokuar tash e 5 vjet pa hapur asnjë kapitull të ri në negociatat e anëtarësimit. Bosnjë-Hercegovina ka status kandidati, por për shkak të konstelacioneve të brendshme, nuk po arrin të lëvizë përpara. Gjeorgjia me ligjet e saj ia ka mbyllur vetes rrugën drejt BE-së. Ukraina dhe Moldavia gëzojnë mbështetje, por as ato nuk po lëvizin me ritmin e dëshiruar. Se Turqia është akoma formalisht vend kandidat, duket se kanë harruar edhe në Bruksel, edhe në Ankara. Ndërsa populli i Islandës nuk e ndërroi mendjen dhe në referendum u shpreh se nuk dëshiron rifillimin e negociatave të anëtarësimit.

Procesi i zgjerimit kështu vazhdon të jetë proces i cili kombinon shpresën dhe frikën. Shpresa se do të ndodhë dhe frikën që nëse ndodh, mund të krijojë çrregullime të reja në BE. Për të adresuar këto dhe për të përgatitur BE-në për zgjerim të suksesshëm, i cili pos që do ta zgjeronte edhe do ta forconte BE-së, Komisioni Evropian tashmë ka përgatitur një analizë të gjerë dhe precize me disa rekomandime.

Sipas propozimeve të Komisionit, të cilat do të prezantohen më 30 shtator, BE-ja për vendet e reja anëtare do të vendosë disa kufizime, së paku në një fazë të kufizuar kohore. Kjo do të përfshinte përkohësisht edhe mohimin e të drejtës së vetos e në raste ekstreme, nëse do të ketë dëshmi se vendi i ri anëtar nuk i respekton vlerat themelore të BE-së, do të mund të çonte edhe deri te heqja e së drejtës së votës. Të ashtuquajtura “klauzola mbrojtëse”, BE-ja do të vendoste edhe në aspektin financiar, atë institucional, tregun e përbashkët, çështjet e brendshme dhe disa fusha të tjera. Por këto nuk do të ishin të njëjta për secilin vend anëtar, sepse, sipas propozimit të Komisionit Evropian, do të dizajnohen veç e veç për secilin kandidat duke i pasur parasysh specifikat e tyre.

Mali i Zi duket se do të jetë vendi i parë i ri anëtar në një të ardhme. Ai nuk do të paraqesë ndonjë sfidë për BE-në në asnjë aspekt. Një qytetari të BE-së pranimi i Malit të Zi do t’i kushtonte më pak se 1 euro në vit. Por gjërat do të ndryshonin shumë me vendet e tjera, sidomos nëse në radhë do të jetë Ukraina.

Komisioni Evropian beson se një prej ndryshimeve praktike do të duhej të jetë kalimi i vendimeve me shumicë të kualifikuar në vend të konsensusit. Madje Komisioni vlerëson se edhe tash sipas Traktatit, konsensusi është i nevojshëm vetëm për pranimin e një vendi të ri anëtar, ndërsa Këshilli po e përdor konsensusin në secilin hap, përfshirë edhe hapjen dhe mbylljen e kapitujve. Kjo, beson Komisioni Evropian, mund të ndryshohet me vendim të Këshillit pa pasur nevojë të ndryshohen traktatet e BE-së.       

Komisioni Evropian, sipas një drafti që ka parë KOHA, mes propozimeve për përgatitjen e bllokut për zgjerim që do t’i publikojë në raportin më 30 shtator, do të angazhohet për vendimmarrjen me shumicë të kualifikuar në vende të konsensusit në procesin e negociatave të anëtarësimit në hapat e ndërmjetëm, duke ruajtur konsensusin për vendimin përfundimtar. Po ashtu, do të kërkohet nga vendet e reja anëtare zotimi se nuk do të përdorin veton e tyre as në vazhdimin e zgjerimit. Duke marrë parasysh se pos 5 vendeve anëtare që nuk e njohin Kosovën, pavarësinë e saj nuk e njohin as 5 vende kandidate, një reformë e tillë do të paraqesë një rast edhe për Kosovën. Ndërkohë, derisa të mos ndodhë ky ndryshim, Kosova duhet të dijë se ka probleme edhe me vendet që e kanë njohur e jo vetëm me ato të cilat nuk e kanë njohur. Sikur të ishin angazhuar më shumë në favor të Kosovës vendet kyçe të BE-së ka mundur të arrihej një formulë që së paku t’i jepet mandati Komisionit Evropian për të përgatitur opinionin për statusin e kandidatit për Kosovën. Kosova ka humbur dhe do të humbë akoma kohë në këtë drejtim duke mbetur edhe për disa vite pa status kandidati. Edhe nëse do të pranohen propozimet e Komisionit Evropian, ndryshimet nuk do të ndodhin brenda natës, por do të marrin kohë, sikur gjithçka tjetër në BE-në e ngadalshme. Këto reforma gjithsesi do të mund të hapin një dritare për Kosovën, por jo edhe derën automatikisht. Por edhe Kosovën e kanë ndërmend, kur në Bruksel propozojnë që vendet e reja anëtare të mos kenë mundësi për të bllokuar vendet që do të vinin më vonë në radhë pas tyre për anëtarësim.