Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Fshati sllovak kërkon nga UNESCO-ja t’i hiqet statusi i trashëgimisë botërore

Vlkolinec

Një banor ka vendosur një pengesë në hyrje të pronës së tij me tabelat “Ndalohet hyrja” dhe “Ndalohet fotografimi”. Ai tregon se pavarësisht kësaj, disa vizitorë ende hyjnë në kopshtet private, duke shkelur lulet dhe duke e trajtuar fshatin si një atraksion, e jo si një komunitet

Intervistat me banorë, zyrtarë lokalë dhe vizitorë tregojnë se debati kishte më pak të bënte me vetë UNESCO-n dhe më shumë me mënyrën se si të mbrohej një komunitet i gjallë nga presionet e turizmit. “Ata që vijnë me përulësi, për të admiruar fshatin dhe për të kuptuar si kanë jetuar njerëzit këtu, janë gjithmonë të mirëpritur”, thotë 68-vjeçari Anton Sabucha. “Ata nuk më shqetësojnë. Janë të pasjellshmit”

Nga titujt në mediat botërore, historia dukej e thjeshtë: një fshat i vogël sllovak donte që UNESCO ta hiqte nga Lista e Trashëgimisë Botërore për shkak të presioneve të turizmit masiv.

Por kjo nuk është krejt ajo që po ndodh në Vlkolinec, në Sllovakinë qendrore.

Intervistat me banorë, zyrtarë lokalë dhe vizitorë tregojnë se debati kishte më pak të bënte me vetë UNESCO-n dhe më shumë me mënyrën se si të mbrohej një komunitet i gjallë nga presionet e turizmit.

“Ata që vijnë me përulësi, për të admiruar fshatin dhe për të kuptuar si kanë jetuar njerëzit këtu, janë gjithmonë të mirëpritur”, thotë 68-vjeçari Anton Sabucha. “Ata nuk më shqetësojnë. Janë të pasjellshmit”.

I ulur nën një tendë jashtë shtëpisë së tij prej druri, Sabucha shfletonte një histori të fshatit, duke treguar fotografi të fqinjëve dhe të afërmve. Gruaja e tij solli një tabaka me petulla të skuqura.
Ai kujtonte kohën kur rreth 200 njerëz jetonin në Vlkolinec. Sot, vetëm 17 jetojnë aty gjatë gjithë vitit.
UNESCO nuk e krijoi problemin e turizmit në Vlkolinec. Fshati u shpall Rezervë e Trashëgimisë së Arkitekturës Popullore në vitin 1977, gjatë epokës komuniste.

Edhe Shteti në tentimin e pestë për restaurimin e monumentit me rrezikshmëri Kulturë Shteti në tentimin e pestë për restaurimin e monumentit me rrezikshmëri

Por Sabucha argumentoi se përfshirja e tij në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1993 e përshpejtoi transformimin, duke sjellë vizitorë që shpesh harrojnë se njerëzit ende jetojnë në shtëpitë shekullore prej druri.

“Ti del në oborrin tënd, dëshiron të rrish qetë dhe të pish një kafe me miqtë. Pastaj vjen turisti i parë dhe të pyet: ‘Si je? Si është të jetosh këtu?’ Pastaj një tjetër. Pastaj një tjetër”, i tregoi ai DW-së.

Sabucha ka vendosur një pengesë në hyrje të pronës së tij me tabelat “Ndalohet hyrja” dhe “Ndalohet fotografimi”. Ai tregon se pavarësisht kësaj, disa vizitorë ende hyjnë në kopshtet private, duke shkelur lulet dhe duke e trajtuar fshatin si një atraksion, e jo si një komunitet.

“Dikush e sheh tabelën ‘Ndalohet fotografimi’ dhe prapë duhet të bëjë një foto. Thjesht nuk e respektojnë privatësinë e njerëzve”.

Por humbja më e madhe, sipas tij, ka qenë zhdukja graduale e jetës tradicionale të fshatit.

Livadhet përreth nuk kositen më, tarracat e vjetra bujqësore janë mbuluar nga bimësia dhe shumë prej njerëzve që formësuan këtë peizazh janë larguar.

Të ardhurat nga turizmi, sipas tij, kanë bërë pak për ta ndalur këtë rënie.

Banorët marrin rreth 400 euro në vit nga të ardhurat e biletave — “mezi mjaftojnë për të blerë një paletë briketash për dimrin” — ndërsa shumë nga ata që fitojnë nga turizmi tani nuk jetojnë më në fshat, tregon ai.

“Për një turist të zakonshëm, këto janë thjesht shtëpi prej druri. Për ne, janë njerëz. Ne e dimë saktësisht kush ka jetuar në çdo shtëpi”.

Justine, një turiste nga Franca, thotë se tërheqja e fshatit qëndron pikërisht në faktin se njerëzit ende jetojnë aty.

“Zakonisht vende të tilla janë muze. Këtu, njerëzit ende jetojnë. Kjo është unike”, tregon ajo.

Kur iu tha se disa banorë duan që Vlkolinec të hiqet nga lista e UNESCO-s për shkak të turizmit, ajo u përgjigj se e kuptonte frustrimin e tyre.

“Të kesh njerëz që shëtisin çdo ditë në fshatin tënd mund të bëhet e pakëndshme”, thotë ajo. “Por në të njëjtën kohë, turizmi e mbështet rajonin. Është e vështirë të dihet çfarë është më e mira”.

Edhe Toponimet serbe “mirëmbahen” nga vetoja e deputetëve serbë Arbëri Toponimet serbe “mirëmbahen” nga vetoja e deputetëve serbë

Jo të gjithë pajtohen se UNESCO është problemi.

Miro Parobek, i cili mbikëqyr turizmin për qytetin Ruzomberok, që administron Vlkolinecin si një lagje komunale, pranoi se turizmi ka sjellë sfida. Por ai argumentoi se zgjidhja është menaxhimi më i mirë, jo heqja e fshatit nga Lista e Trashëgimisë Botërore.

“Prioriteti ynë i parë është ruajtja e arkitekturës tradicionale”, thotë Parobek. “Por qëllimi ynë është gjithashtu që ky të mbetet një fshat i gjallë. Ne duam të mbështesim njerëzit që jetojnë këtu”.

Ai tregon se qyteti tashmë u është përgjigjur shqetësimeve të banorëve duke zëvendësuar festivalet e mëdha me ngjarje më të vogla kulturore, ndërsa banorët tani takohen rregullisht me zyrtarët lokalë përmes një grupi të posaçëm pune.

Komuna gjithashtu i ka ndihmuar pronarët e shtëpive të aplikojnë për grante për restaurimin e ndërtesave historike dhe madje ka ofruar transport dy herë në javë drejt Ruzomberok për banorët e moshuar.

Parobek tregon se çdo biletë hyrjeje mbart të njëjtin mesazh: “Vlkolinec nuk është një muze në ajër të hapur. Ju lutemi respektoni privatësinë e njerëzve që jetojnë këtu”.

Ai pranoi se balanca mes mbrojtjes së banorëve dhe mirëpritjes së vizitorëve nuk është gjithmonë e lehtë.

Pjesa më e madhe e optimizmit të Parobek mbështetej në plane që ende nuk janë realizuar.

Ruzomberok po kërkonte financim nga Norvegjia për një paketë masash që synojnë uljen e presionit mbi fshatin, përfshirë një sistem parkimi poshtë vendbanimit në kodër, përmirësimin e shtigjeve dhe kullimit, restaurimin e hambarëve dhe tarracave tradicionale, si dhe shndërrimin e ish-shkollës së fshatit në një qendër komunitare dhe kulturore.

Projekti gjithashtu do të krijonte më shumë mundësi që banorët lokalë të punojnë si guida dhe kujdestarë, tregoi ai.

Anton Sabucha është pakicë. Por zor se arrin dëshirën e tij, që Vlkolinec të hiqet nga Lista e Trashëgimisë Botërore. Kjo është pothuajse e pamundur.

UNESCO ka hequr vetëm tri vende që nga krijimi i programit në vitin 1978: Luginën e Elbës në Dresden të Gjermanisë pas ndërtimit të një ure me katër korsi, bregdetin historik të Liverpoolit pas zhvillimeve të mëdha urbane dhe Rezervatin Arabian Oryx në Oman pasi pjesa më e madhe e zonës së mbrojtur humbi statusin e saj.

Në secilin rast, UNESCO veproi sepse vendet kishin humbur në mënyrë të pakthyeshme cilësitë për të cilat ishin përfshirë fillimisht në listë.

Edhe Kandiq: Deklarata e Paunoviqit tregon se ideologjia e spastrimit etnik nuk është braktisur Arbëri Kandiq: Deklarata e Paunoviqit tregon se ideologjia e spastrimit etnik nuk është braktisur

Nuk ka precedent që një komunitet të kërkojë të hiqet vullnetarisht.

Dhe nuk ka asnjë shenjë që Vlkolinec do të bëhet i pari që do të ketë sukses në këtë kërkesë.