Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Kamberi, Krasniqi e Abrashi, “besnikët” e klubeve zvicerane

Lindrit Kamberi

Lindrit Kamberi i Zurichut dhe Amir Abrashi i Grasshopperit janë përballur me situata të ndryshme në klubet ku ata lujanë për kohë të gjatë. 

Mediumi “Sport.ch” të enjten më shumë është përqendruar në besnikërinë që ata kanë shfaqur ndaj klubeve të tyre, pavarësisht shumë sfidave nëpër të cilat kanë kaluar. 

Kamberi që është edhe kapiten, i ka shërbyer Zurichut më së shumti nga futbollistët aktiv që janë te kjo skuadër. Ai është pjesë e Zurichut prej 1 korrikut 2018. Prej 3 korrikut 2018 është edhe Bledian Krasniqi.  Kamberi kishte huazime te Wili dhe Winterthuri, para se të kthehej te Zurichu në vitin 2021. Prej asaj kohe, ai ka qenë titullar i padiskutueshëm. Ishte pjesë e ekipit që e fitoi titullin në vitin 2022. Ka luajtur mbi 100 ndeshje në Superligë për Zurichun. Në këtë edicion, 26-vjeçari i ka realizuar dy gola. 

Abrashi ka luajtur për Grasshopperin prej vitit 2010 deri në vitin 2015. E fitoi Kupën e Zvicrës në vitin 2013 e më vonë kaloi kohë te Freiburgu. Prej kthimit të tij në verën e vitit 2021, ai vazhdon të jetë prej lojtarëve më të rëndësishëm. Kapiteni i ka mbi 280 paraqitje për Grasshopperin, të cilin e vlerëson si shtëpi të dytë. 36-vjeçari ka vendosur ta luajë edhe një sezon. Në këtë edicion i ka dy gola e një asistim.