Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rrustemi: PDK-ja e Aleanca të ndryshojnë qëndrimin për presidentin, pas verdiktit të 16 shtatorit

Adnan Rrustemi

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka shprehur pritje që Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca do të ndryshojnë qëndrimin për çështjen e zgjedhjes së presidentit, pas 16 shtatorit kur Gjykata Speciale dënoi me 81 vjet burgim katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këto dy parti patën refuzuar negociatat me Vetëvendosjen për çështjen e presidentit. E të mërkurën, Gjykata Kushtetuese bëri të ditur se partitë kanë afat deri më 6 tetor për të zgjedhur presidentin. E sipas Rrustemit, situata e krijuar pas verdiktit të Speciales, duhet të ndikojë edhe në ndryshime për çështjen e formimit të institucioneve.

“Këto 12 ditë janë 12 ditë për presidentin. Vërtetë është shkurtuar mjaft shumë afati, por secila parti politike duhet ta ketë parasysh se kjo është gjëja më e rëndësishme për t'i dhënë vendit stabilitet dhe për t'i shmangur zgjedhjet që të pajtohemi për presidentin konsensual. Kosova ka nevojë për president, nuk ka nevojë për zgjedhje të reja. Dhe ka nevojë për një president konsensual dhe kështu t'i krijojë mundësinë për stabilitet institucional dhe të përballet me të gjitha sfidat, me punët natyrisht që na presin edhe ato që u përmendën. Do të habitesha shumë që edhe pas 16 shtatorit, nëse partitë politike opozitare kanë qëndrimet e njëjta sikurse para 16 shtatorit. Unë mendoj që pas 16 shtatorit secila parti politike opozitare që ka kalkuluar për ta pamundësuar Qeverinë Kurti duke kufizuar në mandat nëpërmjet procesit të zgjedhjes së presidentit të Republikës, duhet të reflektojë dhe duhet të ulemi dhe të gjejmë një konsensus për sa i përket presidentit dhe pastaj të vazhdojmë punën, natyrisht secili në rolin dhe pozicionin e tij apo të saj”, ka thënë Rrustemi për KosovaPress.

Rrustemi ka shtuar se tejkalimi i çështjes së presidentit do t’i mundësonte Kosovës të kishte institucione stabile dhe me mandat të plotë për t’u përballur me sfidën e Speciales dhe për t'i ofruar mbështetje të plotë shtetërore, me strategji të bashkërenduar, 4 ish-krerëve të UÇK-së.

Rrustemi ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë një ditë më parë konstatoi se konstituimi i Kuvendit është kryer përtej afateve, se formimi i Qeverisë nuk është antikushtetues dhe caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit.

“Vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e kaluar, për sa i përket shpërndarjes së Kuvendit, që ndërlidhej me zgjedhjen e presidentit të Republikës, e kishte thënë decidivisht, shprehimisht që procedura e zgjedhjes së Presidentit të Republikës fillon nga momenti i konstituimit të Kuvendit. Nuk mund t'i bartet një përgjegjësi institucionit dhe deputetëve, për sa kohë institucioni nuk është i fuqiplotë dhe nuk ka kapacitet. Domethënë, ne e kemi pasur të pamundur të nisim procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës pa u konstituuar Kuvendi. Vetëm nga momenti i konstituimit duhet të fillojë dhe të rrjedhë ky afat. Megjithatë, e kemi këtë interpretim të çuditshëm të Gjykatës Kushtetuese, që e ka shkurtuar dukshëm periudhën dhe përpjekjen, natyrisht, për ta gjetur një president konsensual”, deklaron Rrustemi.

I pyetur se mund të bëhet një kompromis me PDK-në që të sigurohen votat për president duke miratuar ndryshimet ligjore për Gjykatën Speciale, ai ka thënë se çështja e Gjykatës Speciale nuk duhet të trajtohet përmes kalkulimeve politike të ditës.

“Unë jam kundër që çështjen e Gjykatës Speciale ta trajtojmë me kalkulime politike të politikës ditore. Domethënë, unë ta bëj këtë, e ju ma bëni këtë e të tjerë e të tjerë. Me Gjykatën Speciale duhet të përballemi si shtet, si shoqëri, si institucione, me një strategji shtetërore të bashkërenduar dhe, natyrisht, me parashikueshmëri të qartë të veprimeve dhe të dobishmërisë së këtyre veprimeve. Prandaj është shumë e rëndësishme që të kemi institucione stabile të fuqiplota. Domethënë, ne e kemi tepër të vështirë, po e them këtë edhe si shqetësim edhe si qytetar para së gjithash, që të përballemi me këtë betejë që na prek të gjithëve, që është përtej secilës palë, nëse nuk kemi institucione stabile. Prandaj është shumë e rëndësishme që ta zgjedhim Presidentin e Republikës së Kosovës, të vazhdojë puna e institucioneve me mandat të plotë dhe të fillojmë një punë të përbashkët përtej dallimeve politike për t'u përballur me këtë gjykatë të padrejtë e me proces të padrejtë, pa asnjë dyshim. Në anën tjetër, këto janë 12 ditë, tash ju secili mund ta merrni me mend se çfarë pune mund të bëhet në Kuvend të Kosovës në 12 ditë, me procedurat që ekzistojnë e kështu me radhë”, ka thënë ai.

Gjykata Kushtetuese po ashtu u ka kërkuar deputetëve që sa më parë ta zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, pra të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

PDK-ja pas zgjedhjeve të 7 qershorit ka thënë se do të qëndrojë në opozitë dhe nuk do të përfshihen në negociatat për zgjedhjen e presidentit. Ndërkaq, Aleanca ka vendosur disa kërkesa, mes tyre edhe pranimin e gazit amerikan për të mbështetur zgjedhjen e presidentit.

PDK-ja pati tërhequr emrin nga nominimi për nënkryetar, pasi pushteti fillimisht nuk e mbështeti emrin e Vlora Çitakut. Kjo parti më pas çoi në Kushtetuese konstituimin e Kuvendit edhe pa votimin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e saj, por edhe votimin e Qeverisë.

Ndërkaq, pas vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, PDK-ja inicioi ndryshimin e Ligjit për Specialen.