Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ende pa marrëveshje për presidentin, PDK-ja e gatshme “menjëherë pas ndryshimit të Ligjit për Specialen”

Kurti - Hamza

6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri, përndryshe vendi do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme. 

Por, liderët e partive politike ende nuk kanë arritur një dakordim dhe ende s’është caktuar një seancë për votimin e presidentit. 

Të shtunën kryeministri Albin Kurti, njëherit lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, është takuar me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. 

Diskutumet s’përfunduan me marrëveshje. 

Pas takimit Hamza tha se deputetët e PDK-së janë të gatshëm për ta votuar presidentin, por paraprakisht duhen të miratohen ndryshimet e propozuara nga kjo parti në Ligjin për Specialen. 

“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit në dy lexime, aprovimi final i ligjit. Pastaj, Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojë e të gjejë zgjidhjen për presidentin dhe t’i japë votat për presidentin”, ka thënë ai pas takimit që ka pasur të shtunën me kryetarin e Vetëvendosjes dhe kryeministrin Albin Kurti.

Hamza ka thënë se bisedimet me Kurtin kanë përfunduar, teksa është shprehur optimist se ka ende mundësi për të arritur marrëveshje.

“Bisedat i kemi përfunduar. Janë edhe disa ditë ku kemi mundësi të arrijmë marrëveshje. Nuk e di a do të ndodhë marrëveshja. Por kjo është kërkesa jonë dhe nuk ka të bëjë me nevojën për PDK-në. Ligji kalon nevojat përtej PDK-së dhe ka të bëjë me një çështje tjetër”, ka thënë ai.

E deputetja e këtij subjekti, Blerta Deliu, është shprehur gjatë ditës se nëse Kuvendi e miraton në dy lexime projektligjin për Specialen, “PDK-ja do t’i vërë në dispozicion 22 votat e saj për zgjedhjen e presidentit”. Ajo ka thënë se kandidati për president duhet të jetë një figurë që mund të afrojë forcat politike dhe të shmangë zgjedhjet e reja parlamentare, por nuk ka përmendur ndonjë emër konkret.
Takimi i Kurtit me Hamzën zgjati rreth dy orë e gjysmë pasdite. Ata u takuan edhe të premten. Tema të diskutimit kanë qenë çështja e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe ajo e presidentit.

Javën e shkuar, Gjykata Kushtetuese vendosi që afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Vendimin e arsyetoi duke konstatuar se Kuvendi u konstituua përtej afatit kushtetues 30-ditor, dhe se ky afat ka nisur ta rrjedhë afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.

Ekzekutivi i Kosovës të premten mbrëma i ka hapur rrugë nismës së propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një mbledhje elektronike, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin. Sipas njoftimit zyrtar, është konstatuar se nuk ekzistojnë pengesa ligjore për procedimin e këtij projektligji.

Propozimi i Partisë Demokratike të Kosovës për ta ndryshuar Ligjin për Gjykatën Speciale përmban dispozita që synojnë t’ia kufizojnë mandatin lëndor, edhe kohor e edhe territorial kësaj gjykate me seli në Hagë.

PDK-ja pati refuzuar takimet me Vetëvendosjen para verdiktit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo parti pati çuar në Kushtetuese edhe çështjen e konstituimit dhe formimit të Qeverisë, por që ky institucion i cilësoi si jo antikushtetuese.

PDK-ja ka kërkuar që Kuvendi të ndryshojë Ligjin për Gjykatën Speciale, duke ia kufizuar mandatin, pas dënimit të Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselit me 18 e Rexhep Selimit me 13. Ata u dënuan nën akuzat për krime lufte. Me anë të ndryshimeve ligjore në Partinë Demokratike synojnë që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.

Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve nëse të dielën nuk do të arrihet një dakordim nga partitë politike për ndryshim të Ligjit për Gjykatën Speciale.

Pas përfundimit të takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, OVL e UÇK-së ka bërë thirrje për protestë para Kuvendit, ndërsa ka kërcënuar se nëse as të dielën s’ka lëvizje, nga e hëna do të ketë përshkallëzim veprimesh.

Organizata e veteranëve e ka akuzuar Kurtin për “kalkulime politike” e “lojëra politike e procedurale”.

“Pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje politike për votimin e menjëhershëm të plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, si dhe pas lojës së vazhdueshme politike e procedurale të Albin Kurtit me një çështje kaq të ndjeshme, durimi i veteranëve të UÇK-së dhe i qytetarëve të Kosovës po merr fund. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i fton të gjithë qytetarët që të hënën, më 5 tetor, nga ora 12:00, të mblidhemi para Kuvendit të Kosovës për të shprehur pakënaqësinë ndaj kësaj qasjeje të papërgjegjshme të pushtetit. Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së janë thellësisht të indinjuara me qasjen e z.Kurti, i cili po bënë kalkulime politike edhe me dhimbjen, sakrificën dhe dinjitetin e qytetarëve të Kosovës. Afati për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe procedurale që do të mundësonte votimin e menjëhershëm të të dy leximeve të plotësimeve dhe ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale, për veteranët e UÇK-së është vetëm deri nesër, e diel”, thuhet në reagim.