Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-ja e gatshme për presidentin “menjëherë pas ndryshimit të Ligjit për Specialen”

Bedri Hamza duke hyrë në objektin e Qeverisë

Bedri Hamza duke hyrë në objektin e Qeverisë

Foto: Driton Paçarada

Afrimi i afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit ka intensifikuar diskutimet mes liderëve të tri partive më të mëdha. Kryeministri dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, të shtunën ka takuar Bedri Hamzën e PDK-së dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së. Diskutimet nuk kanë përfunduar me marrëveshje, ndërsa PDK-ja është shprehur e gatshme për të votuar presidentin, nëse paraprakisht miratohen ndryshimet e propozuara në Ligjin për Specialen

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se është e gatshme që të kontribuojë në zgjedhjen e presidentit, por vetëm pasi Kuvendi të miratojë ndryshimet e propozuara nga kjo parti në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Kryetari i këtij subjekti, Bedri Hamza, ka thënë se diskutimet për zgjedhjen e presidentit mund të bëhen qysh në ditën kur të ndryshohet ky ligj.

“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit në dy lexime, aprovimi final i ligjit. Pastaj, Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojë e të gjejë zgjidhjen për presidentin dhe t’i japë votat për presidentin”, ka thënë ai pas takimit që ka pasur të shtunën me kryetarin e Vetëvendosjes dhe kryeministrin Albin Kurti.

Hamza ka thënë se bisedimet me Kurtin kanë përfunduar, teksa është shprehur optimist se ka ende mundësi për të arritur marrëveshje.

“Bisedat i kemi përfunduar. Janë edhe disa ditë ku kemi mundësi të arrijmë marrëveshje. Nuk e di a do të ndodhë marrëveshja. Por kjo është kërkesa jonë dhe nuk ka të bëjë me nevojën për PDK-në. Ligji kalon nevojat përtej PDK-së dhe ka të bëjë me një çështje tjetër”, ka thënë ai.

E deputetja e këtij subjekti, Blerta Deliu, është shprehur gjatë ditës se nëse Kuvendi e miraton në dy lexime projektligjin për Specialen, “PDK-ja do t’i vërë në dispozicion 22 votat e saj për zgjedhjen e presidentit”. Ajo ka thënë se kandidati për president duhet të jetë një figurë që mund të afrojë forcat politike dhe të shmangë zgjedhjet e reja parlamentare, por nuk ka përmendur ndonjë emër konkret.

Takimi i Kurtit me Hamzën zgjati rreth dy orë e gjysmë pasdite. Ata u takuan edhe të premten. Tema të diskutimit kanë qenë çështja e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe ajo e presidentit.

E të shtunën, para takimit me Hamzën, Kurti ka takuar edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Asnjëri nuk janë deklaruar për media.

Kurti nuk ka folur as për takimet e fundit me Hamzën, përveçse të premten paraprakisht pati thënë se kanë nisur komunikimet për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit e se fundjava do të jetë vendimtare.

Javën e shkuar, Gjykata Kushtetuese vendosi që afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Vendimin e arsyetoi duke konstatuar se Kuvendi u konstituua përtej afatit kushtetues 30-ditor, dhe se ky afat ka nisur ta rrjedhë afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.

PDK-ja pati refuzuar takimet me Vetëvendosjen para verdiktit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo parti pati çuar në Kushtetuese edhe çështjen e konstituimit dhe formimit të Qeverisë, por që ky institucion i cilësoi si jo antikushtetuese.

PDK-ja ka kërkuar që Kuvendi të ndryshojë Ligjin për Gjykatën Speciale, duke ia kufizuar mandatin, pas dënimit të Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselit me 18 e Rexhep Selimit me 13. Ata u dënuan nën akuzat për krime lufte. Me anë të ndryshimeve ligjore në Partinë Demokratike synojnë që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.

I vetmi subjekt që pati takime para këtij verdikti me Kurtin qe Lidhja Demokratike e Kosovës. Madje kjo parti pati edhe marrëveshje me Kurtin për emrin e Bekim Sejdiut për president. Por gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër dhe u rrezikua numri prej 80 deputetësh, aq sa duhet për të zgjedhur presidentin në dy rundet e para. Sejdiu më pas u tërhoq nga kandidimi. Pas 16 shtatorit, nuk është raportuar për takime mes LDK-së e VV-së.

Partia Demokratike ka 22 deputetë në Kuvend dhe bashkë me koalicionin qeverisës (62) kalojnë numrin e kërkuar prej 80 deputetësh për ta zgjedhur presidentin.

LDK-ja ka 18 deputetë.

Aleanca, si partia më e vogël parlamentare shqiptare, në vazhdimësi ka refuzuar takimet me Vetëvendosjen dhe kryeministrin Albin Kurti. Ajo ka kërkuar t’i plotësohen disa kërkesa, të udhëhequra nga ajo për gazin amerikan.

Moszgjedhja e presidentit të ri deri më 6 tetor e çon vendin në zgjedhje të cilat duhet të mbahen më së largu më 15 nëntor. E këto zgjedhje do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet. Në shkurt vitin e shkuar zgjedhjet ishin të rregullta, ndërsa më vonë në pamundësi të formimit të qeverisë u mbajtën në dhjetor. E në qershor sivjet u bënë për shkak të dështimit të Kuvendit për të zgjedhur president.