Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti - Hamza polemizojnë në distancë – drejt zgjedhjeve, pa marrëveshje për presidentin e ligjin

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, hapur kanë shprehur dallimet mes tyre, pas dështimit për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe miratimin në lexim të dytë të Ligjit për Specialen.

Pasi tha se Hamza më nuk pranon kërkesat për takim, kryeministri Kurti publikoi në një konferencë për media një ofertë për PDK-në.

“Nëse PDK-ja zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër e kemi bashkë me LDK-në, atëherë po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Kërkojmë që të zotohen para jush. Ata mund të votojnë edhe kundër. Sa herë kanë kërkuar prej nesh, ne kemi qenë të gatshëm për votën për, e ne po e kërkojmë gjysmën e tyre kundër”, tha Kurti. 

Por, profesori i Juridikut, Bekim Sejdiu, ka thënë se mbetet në fuqi vendimi për t’u tërhequr nga gatishmëria për të qenë kandidat për president, por nuk ka treguar se si do të veprojë në rast se do të siguroheshin votat për të.

“Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj vetën pjesë të procesit të zgjedhjes së presidentit, për arsye të mos arritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend”, tha shkruar Sejdiu në Facebook. 

Edhe Hamza: Qëndrimi ynë nuk ndryshon, Sejdiu s’është marrëveshje me PDK-në Arbëri Hamza: Qëndrimi ynë nuk ndryshon, Sejdiu s’është marrëveshje me PDK-në

Në konferencë, kryeministri Kurti është zotuar se nëse presidenti zgjidhet deri në mesnatë, me çka do të evitoheshin zgjedhjet, atëherë ndryshimet në Ligjin për Specialen do të votohen të enjten, kur të arrihet afati procedural prej 72 orësh. 

Por, atij i është kundërpërgjigjur Hamza. Ai ka insistuar se vota për ndryshimet ligjore për Specialen nuk mund të kushtëzohet me votën për presidentin.

“Marrëveshja për Sejdiun nuk është me PDK-në. Është me një subjekt tjetër politik. As nuk kam vërejtje për Sejdiun, por është marrëveshje jashtë PDK-së. Po t’i kërkoj 10 deputetë, 11 atëherë edhe unë po t’i kërkoj ty 29. Sillni në sallë qysh do le të votojnë, por nuk shkojnë kështu. Nëse duam ta bëjmë ligjin, sjelli 29 deputetë në sallë, le të votojnë për a kundër ose edhe abstenim. Në orët e fundit nuk mundesh të imponosh marrëveshje”, tha Hamza. 

Sipas Hamzës, zgjedhjet e reja janë projekt i Vetëvendosjes.

Këtë e ka theksuar edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, që është deputet i kësaj legjislature.

Edhe Sejdiu: Nuk e konsideroj veten pjesë të procesit për zgjedhjen e presidentit Arbëri Sejdiu: Nuk e konsideroj veten pjesë të procesit për zgjedhjen e presidentit

“Kurti po e çon vendin në zgjedhje. I njëjti Kurti që tri herë para kësaj here i fitoi zgjedhjet dhe prapë po e çon vendin në zgjedhje. Kjo është hera e katërt që i njëjti person po e çon vendin në zgjedhje. Kurti po do me ia dhënë edhe një goditje Kosovës. Ky po punon ta zhbëjë Kosovën të tillë çfarë e kemi dhe e kemi mbërritur me shumë mund, përfshirë gjak e vuajtje të mëdha. Nuk do t’ia arrijë, Kosova është më e madhe…” – tha Haradinaj. 

Pasojë e moszgjedhjes së presidentit, deri mesnatën e së martës, është shpërndarja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme. Për rrjedhojë, edhe nismat ligjore, përfshirë atë për kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale, kthehen nga e para në procedurë. 
 

Lexo përditësimet tjera
LIVE: Dita vendimtare për presidentin, tensione për Specialen

LIVE: Dita vendimtare për presidentin, tensione për Specialen