Fatmir Curri është propozuar për ambasador të Kosovës në Belgjikë, ndërsa pritet ta zëvendësojë Agron Bajrami, të cilit i përfundon mandati. Kështu ka mësuar KOHA nga burime në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Curri do të jetë përgjegjës edhe për përfaqësimin e Kosovës në Luksemburg.
Ai tashmë ka përfunduar procedurat në Kuvend dhe pritet të dekretohet nga presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula. Pas dekretimit, emri i tij do t’u përcillet autoriteteve të Belgjikës dhe Luksemburgut.
Ndërkohë, sipas të njëjtave burime, ambasadori aktual, Agron Bajrami, pritet të kthehet në Prishtinë, ku “do të merret me dialogun”.
Kush është Fatmir Curri?
Edhe
Ambasadori Bajrami emërohet kryenegociator në dialogun me Serbinë
Fatmir Curri është ekspert i politikave publike, integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal, me mbi 20 vjet përvojë profesionale në administratën publike, organizatat ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.
Aktualisht ai shërben si ekspert i lartë në Sekretariatin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) në Sarajevë. Në këtë pozitë, Curri koordinon procese të nivelit të lartë në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal, zhvillon mekanizma rajonalë të monitorimit dhe mbështet dialogun politik ndërmjet qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Ai gjithashtu koordinon hartimin dhe zbatimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian.
Në vitet 2022–2025, Curri ka shërbyer si këshilltar i jashtëm për integrim evropian në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës. Në këtë pozitë, ai ishte pjesë e ekipit kryesor që përgatiti aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Curri ka pasur rol edhe në procesin e liberalizimit të vizave, përfshirë koordinimin e fushatës kombëtare të informimit për qytetarët, ndërsa ka udhëhequr edhe ekipin për hartimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë karrierës së tij, ai ka udhëhequr dhe menaxhuar programe shumëmilionëshe të financuara nga Bashkimi Evropian dhe donatorë ndërkombëtarë. Ka mbi 15 vjet përvojë në zhvillimin e shoqërisë civile, menaxhimin e skemave të riggrantimit, ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe hartimin e politikave publike.
Curri ka udhëhequr gjithashtu programin e Shkollës së Integrimit Evropian, nga i cili kanë diplomuar mbi 1,100 pjesëmarrës.
Edhe
Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të kërkojë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve nga dialogu Kosovë-Serbi
Ai ka qenë edhe trajner në menaxhimin e ciklit të projekteve, fondet e Bashkimit Evropian, monitorimin dhe vlerësimin, teorinë e ndryshimit dhe qasjen e bazuar në të drejta.
Gjatë karrierës së tij, Curri ka fituar përvojë të gjerë në koordinimin e proceseve ndërinstitucionale dhe rajonale, si dhe në zhvillimin e partneriteteve ndërmjet institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.