Aktorja franceze Lea Seydoux, e njohur për rolin e Madeleine Swann në filmat “Spectre” dhe “No Time to Die”, ka komentuar të ardhmen e sagës së famshme James Bond, duke thënë se nuk është aspak e interesuar se kush do të jetë aktorja e ardhshme që do të interpretojë përkrah agjentit 007.
Gjatë një interviste në podcastin The Runthrough, aktorja u pyet se kë do të dëshironte të shihte në rolin e ardhshëm të partneres së Bondit, ka shkruar Femalefirst.
“Nuk më intereson shumë. Si mund t'ju interesojë juve?”, u përgjigj ajo me humor.
Seydoux ka folur gjithashtu për ndryshimet në drejtimin e ekskluzivitetit, pasi “Amazon MGM Studios” mori kontrollin krijues të filmave, ndërsa regjisori Denis Villeneuve u zgjodh për të drejtuar filmin e ri.
“Franshiza është bërë amerikane. Por jam e bindur se filmi do të jetë i shkëlqyer, sepse do të drejtohet nga Denis Villeneuve, i cili është një regjisor shumë i talentuar”, ka thënë ajo.
Aktorja ka pranuar se fillimisht ishte ndier e trishtuar nga ndryshimi i pronësisë, pasi kontrolli krijues kaloi nga producentët e njohur Barbara Broccoli dhe Michael G. Wilson te Amazon.
“U trishtova pak kur mora vesh se ishte shitur, por kur mësova se do ta drejtonte Denis Villeneuve, mendova: të paktën është ai, kështu që do të jetë një film i vërtetë artistik”, u shpreh Seydoux.
Ajo komentoi edhe zgjedhjen e aktorit që do të interpretojë James Bondin e ri, duke vënë në pikëpyetje nëse brezi i ri i aktorëve ka përvojën dhe thellësinë e nevojshme për këtë personazh.
“Është shumë e vështirë të zgjedhësh aktorin për James Bondin. Duhet dikush me thellësi dhe shumë dimensione në interpretim. Nuk mendoj se brezi i ri i aktorëve i ka vërtet këto cilësi”, ka deklaruar ajo.
Ndërkohë, Amazon MGM Studios ka konfirmuar zyrtarisht se Robert Pattinson do të jetë aktori i shtatë që do të interpretojë agjentin e famshëm britanik, duke pasuar Daniel Craigun.
Filmi i 26-të i sagës do të drejtohet nga Denis Villeneuve, ndërsa skenari do të shkruhet nga Steven Knight, krijuesi i serialit "Peaky Blinders".
Data e premierës ende nuk është bërë e ditur.
Pattinson e ka cilësuar këtë rol si një nga nderimet më të mëdha të karrierës së tij.
“James Bond është një nga personazhet më legjendarë të kinemasë. Të më besohet roli i 007 është nderi i jetës sime. Të them se kjo është një ëndërr e bërë realitet është pak”, u shpreh aktori.