Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ndërpritet mësimi tërëditor në shkollën “Nazim Gafurri”

Nazim Gafurri

Mësimdhënësit e shkollës fillore “Nazim Gafurri” në Prishtinë, i kanë ndërprerë aktivitetet shtesë në mësimin gjithëditor.

Ata kanë refuzuar të punojnë me këtë model, pasi që nga shtatori nuk janë paguar për orët shtesë të angazhimit.

Pa u realizuar kompensimi, mësimi gjithëditor nuk do të rifillojë, ka thënë Gëzime Fejzullahu, kryetare për këtë shkollë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës (SBASHK).

“Mësimi gjithëditor nuk është që është ndërprerë në tërësi. Lëndët bazë po mbahen, por njëkohësisht hahet edhe dreka brenda shkollës, ashtu siç ka qenë gjatë gjithë kohës. Mësimi gjithëditor është ndërprerë për shkak të pagesës”, ka thënë ajo. “Për orët shtesë nuk jemi paguar që nga shtatori. Domethënë, ky është viti i tretë që ne pagesat nuk i marrim me kohë dhe si shkak-pasojë ka ardhur kjo pasi që edhe paratë kur po grumbullohen mandej atyre veç po iu humb vlera. Ky është i vetmi problem që e kemi”.

Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka thënë se Komuna përballet me vështirësi buxhetore për mbulimin e pagesave të mësimdhënësve dhe stafit të angazhuar në mësimin gjithëditor.

Megjithatë, ai nuk ka dhënë një afat se kur mund të zgjidhet ky problem dhe të bëhen pagesat për mësimdhënësit.

“Kjo për shkak të kategorisë së pagave. Në këtë kategori buxhetore, buxheti nuk i përballon. Ajo çka është prej grantit specifik, nuk i përballon kërkesat e mësimdhënësve, në këtë rast orët shtesë dhe stafi që angazhohet në kuadër të aktiviteteve të mësimit tërëditor. Prandaj e kemi këtë si shqetësim dhe e kemi shprehur edhe në kabinet dhe jemi duke i parë mundësitë më të shpejta, më të mundshme që me u pagu secili mësimdhënës për punën që e bën”, ka thënë Elshani.

Ndërprerja e mësimit gjithëditor ka vështirësuar organizimin e përditshëm edhe për prindërit e nxënësve, të cilët është dashur të ndryshojnë oraret e punës për t’u kujdesur për fëmijët.

Një prind, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, ka thënë se për shkak të kësaj situate është detyruar edhe ta ndërpresë kontratën e punës.

“Ne paraprakisht bëjmë plane të punës, besa edhe kontratat e punës i kam ndërprerë për shkak të fëmijëve. Nuk ka qenë aspak e lehtë, po kur është në pyetje fëmija duhet me i lënë krejt”, ka thënë ai. “Njëherë e kanë pasur (orarin v.j.) deri në 12:00, pastaj deri në 14:30, tash prapë 12:45.”

Problemi me pagesën e orëve shtesë i ka prekur edhe mësimdhënësit e Shkollës së Gjelbër në Prishtinë. Megjithatë, pas takimit me drejtorin e Arsimit, ata kanë pranuar të vazhdojnë mësimin gjithëditor, pasi u është premtuar se pagesat do të bëhen në janar.

Projekti i mësimit tërëditor zhvillohet në disa shkolla në kryeqytet.