Lista Studentore që ka rrëzuar nga pushteti Aleksandër Vuçiqin, shpejt pritet të përballet me realitetin sa i përket Kosovës. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe deputetë shqiptarë në Kuvendin e Serbisë presin që qeverisja e re të tregojë më shumë gatishmëri për dialog, ndonëse vlerësojnë se ndryshimet nuk do të jenë të menjëhershme
Ndryshimet politike në Serbi kanë ngritur pritjen për një qasje të re ndaj Kosovës, përkundër se deklarimet e zyrtarëve të Listës Studentore që kanë marrë pushtetin nuk dallojnë me ato të qeverisjes së mëparshme.
Pjesëtarë të shoqërisë civile në Beograd thonë se rrëzimi i Aleksandër Vuçiqit nga pushteti i jep mundësi dy shteteve që të ndërtojnë besimin mes vete, i munguar deri tash.
Maja Stojanoviq, drejtoreshë ekzekutive e organizatës “Iniciativat Qytetare”, ka thënë se ndryshimi i pushtetit në Serbi do të ndërrojë për të mirë edhe në procesin e dialogut me Kosovën.
Ajo ka vlerësuar se në 14 vjetët e fundit, edhe pse ka pasur shumë bisedime dhe shumë marrëveshje të nënshkruara, situata në terren është përkeqësuar.
“Dhe ka shumë më tepër gjuhë urrejtjeje, ka shumë më tepër shkëputje midis Serbisë dhe Kosovës sesa lidhje. Dhe jam plotësisht e sigurt se ky është një ndryshim i mirë edhe për bashkëpunimin rajonal dhe konkretisht me Kosovën”, ka thënë Stojanoviq. “Por, unë besoj se si Serbia ashtu edhe Kosova duhet të gjejnë potencialet dhe të punojnë mbi potencialet dhe të përdorin mundësinë për të ndërtuar së pari besimin, besimin bazë në rilidhjen dhe bisedimet aktuale, dhe më pas ky besim mund të bëjë hapa të mëtejshëm në zgjidhjen e çështjeve”.
E, tek ka folur për paralajmërimin e Listës Studentore për rishikim të marrëveshjeve me Kosovën, ajo thotë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet njëanshëm.
“Nëse marrëveshjet rishikohen, ato duhet të rishikohen nga të dyja palët. Nuk mund të rishikohet vetëm nga njëra palë. Pra, shumë marrëveshje përmbajnë edhe gjërat që zbatohen dhe që janë shumë të mira për marrëdhëniet Serbi-Kosovë, disa pjesë të disa marrëveshjeve”, ka thënë Stojanoviq. “Por në thelb, dhe nuk mendoj se do ta bëjnë, ata duhet t’i lexojnë ato. E dini, disa prej tyre nuk ishin transparente për publikun serb. Pra, në thelb mendoj se procesi i rishikimit do të çojë në ndërtimin e marrëdhënieve më të qëndrueshme dhe jo në krijimin e mosbesimit më të madh”.
Ndërkaq, politologu Nikola Burazer thotë se Lista Studentore duhet të jetë më e hapur lidhur me çështjen e dialogut, fillimisht brenda Serbisë.
Sipas tij, me kalimin e kohës, qeverisja e re do të përballet me realitetin dhe do ta shohë se nuk do të mund t’i përmbushë premtimet e dhëna, si për shembull ato për marrëveshjet me Kosovën.
“Një gjë është kur krijon një program zgjedhor në një situatë kur je në opozitë dhe e vetmja gjë që të intereson është të fitosh zgjedhjet dhe kur mbrohesh nga qeveria që po përdor të gjitha llojet e propagandës kundër teje, kurse një situatë krejtësisht e ndryshme është kur je në pushtet, kur duhet të marrësh disa vendime dhe kur duhet t’i marrësh këto vendime në thelb në një mjedis dhe rrethana që nuk janë gjithmonë aq pozitive. Pra, në këtë kuptim, nuk shoh që qeveria e re mund t’i përmbushë plotësisht të gjitha premtimet e saj në lidhje me këtë rishikim të marrëveshjeve”, ka thënë Burazer. “Do të thosha se këto mesazhe ishin kryesisht aty për qëllime të brendshme, për kuptimin e fushatës zgjedhore, dhe gjithashtu disa qeveri dhe parti të mëparshme që erdhën më parë në pushtet kishin premtime të ngjashme se do të bënin gjëra të tilla kur të vinin në pushtet, por pastaj përballen me realitetin”.
Burazer ka insistuar se është realitet që procesi i dialogut është domosdoshmëri si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, dhe jo vetëm për shkak të anëtarësimit në BE, por sepse nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të arritur paqe dhe stabilitet minimal në rajon.
“Pra, ndoshta do të shohim disa përpjekje për rivlerësim të disa prej këtyre marrëveshjeve. Ndoshta do të ketë disa probleme gjatë rrugës, por do të thosha se në planin afatgjatë thjesht nuk ka asnjë mënyrë tjetër që Serbia dhe Kosova të vazhdojnë të jenë të angazhuara në procesin e dialogut në një mënyrë ose në një tjetër. Ky dialog duhet të jetë shumë më i mirë, duhet të jetë shumë më i sinqertë, duhet të shoqërohet me mesazhe shumë më pozitive, jo vetëm për dialogun, por edhe për palën tjetër në këtë dialog, të cilën na ka munguar për disa vite, sepse ky duhet të jetë një proces që të sjellë jo vetëm normalizim midis dy qeverive, por edhe midis dy shoqërive”, ka thënë ky politolog. “Mendoj se na mungon shumë kjo dhe na ka munguar për një kohë të gjatë dhe thjesht shpresoj se kjo mund të ndryshojë tani pasi të kemi këtë përbërës kyç, do të thosha, në të gjithë këtë, dhe kjo është demokracia në Serbi për herë të parë pas një kohe të gjatë”.
Për ndryshime pozitive shpresojnë edhe deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë.
Shaip Kamberi thotë se deklarimet e tashme të përfaqësuesve të Listës së Studentëve janë në presion të Vuçiqit dhe listës së tij që studentët “do ta shesin Kosovën”.
“Do të shohim ballafaqimi direkt. Do të jetë herën e parë kur të marrin detyrat shtetërore dhe do të shohin tentimin për të hyrë në Kosovë. Ata do të ballafaqohen me një realitet krejtësisht tjetër, të cilin ndoshta edhe nuk e kanë njohur dhe do të duhet të ecin në atë drejtim që në radhë të parë t’i normalizojnë raportet me Kosovën sepse kjo është në inertes të të gjithëve, është në interes të Serbisë dhe të serbëve që jetojnë atje dhe ky normalizim presim të sjellë mandej një reflektim pozitiv edhe në pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Pra, duhet parë shumëçka, nuk duhet nxituar me qëndrime”, ka thënë Kamberi. “Ne jemi në pritje, jemi optimistë, por jemi optimistë të moderuar”.
Në këtë linjë ka folur edhe deputeti Visar Memeti.
“Ka qenë e ditur që nuk do të ketë ndryshime rrënjësore, ndoshta ndryshime të pakta të cilat ende nuk janë dalë në pah, por besoj që do të lëvizë diçka. Sa do të jetë kjo lëvizje, t’ia lëmë kohës sa do të jetë kjo lëvizje”, ka thënë ai.
Lidhur me ndryshimin e qeverisjes në Serbi e ndikimin eventual që mund të ketë në dialogun me Kosovën, KOHA ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Qeveria e Kosovës. Por, nga ekzekutivi kosovar, të premten nuk iu përgjigjen pyetjeve të.
Kryeministri Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Francë javën e shkuar, ka shprehur pritshmërinë që qeverisja e re në Serbi ta njohë Kosovën, ndonëse ka thënë që qëndrimet e tyre do të kuptohen pas formimit të qeverisë atje.