Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të kërkojë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve nga dialogu Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian / Kosova

Nga takimi me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor javën që vjen në Bruksel, liderët e BE-së do të përsërisin përkushtimin për perspektivën evropiane të rajonit, vazhdimin e procesit të zgjerimit, përfshirjen e këtyre vendeve në shumë fusha të politikave në BE edhe para anëtarësimit. Por nga ky samit i BE-së me Ballkanin Perëndimor do të dërgohen edhe porosi se duhet të respektohen vlerat e përbashkëta, sundimi i ligjit dhe obligimet ndërkombëtare.

Sipas draftit të Deklaratës të përgatitur për miratim në këtë samit, në veçanti do të përmendet normalizimi i raporteve të Kosovës me Serbinë.

“Mungesa e normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i mbajë prapa të dy partnerët në rrugëtimin e tyre evropian. Të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, me lehtësimin e BE-së, duhet të implementohen”, thuhet në draftin e kësaj deklarate, në të cilën shtohet se edhe mbështetja nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është e kushtëzuar me progresin e matshëm në normalizimin e raporteve mes tyre.

Ende nuk është e qartë se a do ta përfaqësojë Kosovën në këtë samit presidentja Justina Shiroka-Pula apo kryeministri Albin Kurti. Po ashtu, nuk dihet se kush do ta përfaqësojë Serbinë, pasi ende nuk është formuar qeveria e re, ndërkohë që pritet të zhvillohen edhe zgjedhjet presidenciale. Kjo do të sqarohet së shpejti, sipas burimeve të Bashkimit Evropian.

Nga ky samit, BE-ja do t’ua përsërisë ftesën partnerëve nga Ballkani Perëndimor edhe për të respektuar vlerat evropiane dhe për ta dëshmuar këtë edhe me fjalë, edhe me vepra.

“Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohim i gjenocidit apo revizionizëm shkon kundër vlerave më themelore evropiane. Ne i ftojmë të gjithë partnerët nga Ballkani Perëndimor që të promovojnë kulturën e respektit dhe solidaritetit me të gjitha viktimat dhe të respektojnë verdiktet nga gjykatat ndërkombëtare dhe vendore për krimet e luftës”, thuhet në tekstin e këtij drafti.

Liderët evropianë pritet të mbështesin edhe vazhdimin e integrimit gradual të vendeve të rajonit, përfshirë edhe në fusha si roamingu, shërbimet elektronike të pagesave SEPA dhe fusha të tjera. Samiti BE-Ballkani Perëndimor zhvillohet më 25 nëntor, ndërsa një ditë më vonë do të zhvillohet edhe samiti i BE-së.