Përveç lëngut të shegës, ekzistojnë disa ushqime që mund të ndihmojnë në mbajtjen e tensionit të gjakut në nivele të shëndetshme dhe të përmirësojnë shëndetin kardiovaskular me kalimin e kohës.
1. Perimet me gjethe te gjelbra
Spinaqi dhe lakra jeshile janë të pasura me nitrate natyrale. Sipas Geoffrey Abbott, profesor i fiziologjisë dhe biofizikës në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Kalifornisë, trupi i shndërron këto nitrate në oksid nitrik, një molekulë që luan rol të rëndësishëm në rregullimin e tensionit të gjakut.
“Oksidi nitrik ndihmon në relaksimin e enëve të gjakut, duke bërë që ato të zgjerohen. Kjo mund të ulë rezistencën ndaj rrjedhjes së gjakut dhe, si rezultat, edhe tensionin”, shpjegon Abbott.
Perimet me gjethe të gjelbra janë gjithashtu pjesë e rëndësishme e dietës DASH, e cila rekomandohet për personat që duan të kontrollojnë tensionin. Ato ndihmojnë jo vetëm përmes nitrateve, por edhe duke zëvendësuar ushqimet e përpunuara dhe të pasura me kripë, të cilat mund ta rrisin tensionin.

2. Bananet dhe frutat e tjera të pasura me kalium
Bananet, avokadot dhe pjepri janë burime të mira të kaliumit. Ky mineral ndihmon trupin të eliminojë natriumin e tepërt, duke kontribuar në uljen e tensionit të gjakut.
“Në rastet kur tensioni është i lartë, trupi përpiqet të nxjerrë më shumë natrium. Konsumimi i ushqimeve të pasura me kalium e mbështet këtë proces dhe ndihmon në relaksimin e enëve të gjakut”, ka shpjeguar Liz Weinandy, dietologe në Qendrën Mjekësore Wexner të Universitetit Shtetëror të Ohajos.

3. Rrepa e kuqe
Rrepa përmban dy lëndë ushqyese që ndihmojnë në ruajtjen e tensionit të shëndetshëm, nitratet dhe kaliumin.
Sipas Michelle Routhenstein, dietologe e specializuar në kardiologjinë parandaluese, studimet kanë treguar se lëngu i panxharit mund të ulë tensionin sistolik me rreth 4 deri në 10 mmHg te të rriturit me tension të lartë ose me vlera pak mbi normalen.

4. Tërshëra
Tërshëra është e pasur me beta-glukan, një lloj fibre e tretshme që formon një masë xhelatinoze në zorrë dhe ndihmon trupin të eliminojë kolesterolin.
“Konsumimi i rregullt i tërshërës mund të përmirësojë nivelet e yndyrës së dëmshme në gjak, duke ndihmuar në parandalimin e grumbullimit të pllakave në arterie dhe në ruajtjen e tensionit në nivele më të shëndetshme”, ka shpjeguar Abbott.
Megjithatë, provat shkencore për ndikimin e drejtpërdrejtë të tërshërës në uljen e tensionit nuk janë të njëtrajtshme. Disa studime kanë vërejtur përmirësime, ndërsa të tjera nuk kanë gjetur efekt të dukshëm.

5. Peshqit e pasur me yndyrë
Salmoni, sardelet dhe skumbria përmbajnë acide yndyrore omega-3, sidomos EPA dhe DHA. Këto yndyra ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe në zgjerimin e enëve të gjakut, duke lehtësuar qarkullimin.
“Konsumimi i rregullt i peshkut të yndyrshëm, të paktën dy deri në tri porcione në javë, lidhet me rrezik më të ulët për sëmundje kardiovaskulare, përmirësim të profilit të yndyrave në gjak dhe tension më të shëndetshëm”, ka thënë Routhenstein.
Ndërkohë, një analizë e disa studimeve e përmendur nga Abbott ka treguar se marrja e rreth dy deri në tri gramëve EPA dhe DHA në ditë mund të ndihmojë në uljen e lehtë të tensionit, sidomos te personat me hipertension të patrajtuar.

6. Çokollata e zezë
Konsumimi i moderuar i çokollatës së zezë, sidomos asaj me të paktën 70 për qind kakao, është lidhur me ulje të vogla, por të rëndësishme të tensionit të gjakut.
Sipas Jacqueline Vernarelli, profesoreshë në Universitetin Sacred Heart, ky efekt lidhet kryesisht me flavanolet, përbërës natyralë që gjenden në kakao.
“Flavanolet e kakaos i bëjnë arteriet më elastike dhe më pak të ngurta, duke ulur rezistencën ndaj qarkullimit të gjakut”, ka shpjeguar ajo.
Këta përbërës mund të mbrojnë gjithashtu enët e gjakut nga dëmtimet oksidative dhe të përmirësojnë aftësinë e tyre për t’u zgjeruar.

Si t’i përfshini këto ushqime në dietën tuaj?
Ekspertët këshillojnë që këto ushqime të shtohen gradualisht në regjimin e përditshëm, duke filluar me një vakt ose një mesvakt në ditë.
Rritja e menjëhershme e konsumit të fibrave mund të shkaktojë shqetësime në tretje, ndërsa ndryshimet e mëdha në dietë mund të jenë të vështira për t’u ruajtur. Ndaj, krijimi i zakoneve të vogla dhe të qëndrueshme është mënyra më e mirë për të mbështetur shëndetin e zemrës.
Një mënyrë e thjeshtë është zëvendësimi i mishrave të përpunuar me peshk të yndyrshëm një ose dy herë në javë, ose zgjedhja e tërshërës në vend të drithërave të mëngjesit me shumë sheqer.
Megjithatë, personat që vuajnë nga hipertensioni ose që marrin barna për uljen e tensionit duhet të këshillohen me mjekun ose dietologun përpara se të bëjnë ndryshime të rëndësishme në dietën e tyre.