Ekipi operativ i Repartit të Kirurgjisë së Ijeve të Klinikës së Traumatologjisë në Qendrën Klinike Spitalore (KBC) Sestre milosrdnice, në rrugën Draškovićeva në Zagreb, nën udhëheqjen e doc. dr. Tomislav Čengić, më 4 nëntor 2026 kreu për herë të parë në këtë spital zgjatjen e këmbës me anë të një gozhde intramedulare që vihet në lëvizje me magnet.
Ndërhyrja u krye te pacientja K. S., e lindur më 1998. Për shkak të ndryshimit prej 6 centimetrash në gjatësinë e këmbëve, ajo ka çrregullim të theksuar të ecjes dhe çalon rëndë, gjë që ia ul ndjeshëm cilësinë e jetës.
Gjatë operacionit kirurgët e prenë kockën e kofshës mbi gju dhe, përmes gjurit, vendosën në kanalin e saj një gozhdë të posaçme me mekanizëm për zgjatje. Pas operacionit gozhda vihet në lëvizje me një pajisje të jashtme që krijon fushë magnetike të kontrolluar. Kështu kocka zgjatet gradualisht, afërsisht një milimetër në ditë, ndërsa organizmi krijon kockë të re në hapësirën që formohet. Ndryshe nga metoda klasike, pacienti nuk ka nevojë të mbajë fiksator të jashtëm, një kornizë metalike që lidhet me kockën përmes lëkurës me tela dhe kunja.
Funksionimi i mekanizmit u kontrollua që në sallën e operacionit: pas aktivizimit të pajisjes së jashtme, me radiografi u konfirmua zhvendosja e parë prej rreth një milimetri. Zgjatja e vetë kockës vazhdon në javët në vijim, me kontrolle të rregullta klinike dhe radiologjike.
Ndërhyrjen, në kuadër të bashkëpunimit profesional dhe shkëmbimit të përvojave, e ndoqën edhe kolegë nga Qendra Klinike Universitare e Lubjanës, të udhëhequr nga prof. dr. Matej Drobnič.
Me futjen e kësaj metode Klinika hap mundësi të reja trajtimi për pacientët me ndryshime të lindura ose të fituara në gjatësinë e këmbëve. Kjo vlen edhe për pacientët nga Kosova, të cilët deri tani këtë trajtim e kanë kërkuar kryesisht në Zvicër ose në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa tani mund ta marrin në Zagreb.
Ekipi operativ
doc. dr. Tomislav Čengić (udhëheqës i ekipit)
prof. dr. Matej Drobnič QKU Lubjanë)
dr. Danijel Jurković · dr. Fabijan Čukelj · dr. Ajša Muratović (anesteziologji)
instrumentistet Martina Stivičević, Tihana Krusha dhe Barbara Funtak
inxhinier i radiologjisë Dubravko Kamenar
