Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

IHMK-ja paralajmëron erëra të forta për të enjten, kërkon kujdes nga qytetarët

ERERA

Ilustrim

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të enjten e kësaj jave priten erëra të forta.

Në një njoftim të përditësuar, për të mërkurën, IHMK-ja ka njoftuar se  dita nis me mot të  butë me temperatura rreth 9 gradë celsius e cila pritet të rritet deri në 16 gradë. Priten gjithashtu edhe reshje të lehta.

Sipas IHMK-së, e enjtja është dita më e paqëndrueshme e javës dhe ajo që kërkon vëmendjen më të madhe. Temperaturat arrijnë kulmin e ngrohtësisë, rreth 15-18 °C, vlera të larta për mesin e nëntorit. Presioni zbret në nivelin më të ulët, rreth 999 hPa.

Elementi kryesor është era. Pritet erë e fortë nga jugu dhe jugperëndimi, me shpejtësi të vlerësuara 30-45 km/h dhe me rrebeshe të mundshme edhe më të forta. Ajo do të jetë më e ndjeshme nga mesdita deri në mbrëmje. Gjatë ditës priten edhe reshje të lehta me ndërprerje, rreth 1 mm për çdo tre orë, ndërsa nga fundi i ditës kalon një front atmosferik që ndryshon drejtimin e erës.

Qytetarët këshillohen të sigurojnë objektet e lehta jashtë shtëpive, tabelat reklamuese dhe skelat e ndërtimit. Vozitësit duhet të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos në rrugë të hapura.

Ndërkaq të premten moti pritet të bëhet më i pastër dhe më i thatë. Mëngjesi do të jetë më i freskët, rreth 8-9 °C, por gjatë ditës temperatura kthehet përsëri në rreth 17 °C. Era kalon në drejtim verior deri veriperëndimor, ende e fortë në orët e para, pastaj dobësohet ndërsa presioni rritet drejt 1008-1011 hPa.

IHMK-ja paralajmëron se temperatura më të ulëta priten gjatë fundjavës, me temperatura maksimale rreth 9-11 °C nga e shtuna. Moti do të mbetet kryesisht i thatë, me pak rreshje të lehta në fund të ditës.