Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Libri i Mrekullive” i shekullit XVI pret mbi një milion euro

Libri i Mrekullive

Një faqe nga “Libri i Mrekullive” (rreth vitit 1552), ku paraqitet shpërthimi i vullkanit Vezuv. Dorëshkrimi do të dalë në ankandin e “Christie’s” dhe është vlerësuar prej 840 mijë deri në 1.2 milion euro

Dorëshkrimi i vitit 1552, i cili përmban 167 ilustrime në miniaturë që paraqesin dukuri të tilla si kometat, përbindëshat dhe fundin e botës, do të dalë në ankand më 10 dhjetor, në kuadër të shitjes së përvitshme të “Christie’s”. Shtëpia e ankandeve e cilëson atë si “një nga kronikat më të jashtëzakonshme të ilustruara që kanë mbijetuar nga shekulli i saj”

Fatkeqësitë natyrore, dukuritë kozmike dhe rrëfimet biblike për shkatërrimin e botës kanë magjepsur prej kohësh njerëzimin. Në disa raste, janë konsideruar si mesazhe që vijnë prej qiellit. Shtëpia e ankandeve “Christie’s” në Londër do të nxjerrë në shitje një shembull të rëndësishëm të një dorëshkrimi gjerman të shekullit XVI, i cili përmban 167 ilustrime në miniaturë që paraqesin dukuri të tilla si kometat, përbindëshat dhe fundin e botës.

Në veprën “Libri i Mrekullive” (The Book of Miracles), e njohur gjithashtu si “Augsburger Wunderzeichenbuch”, vlera e së cilës është vlerësuar prej 840 mijë deri në 1.2 milion euro, lexuesit mund të shohin hëna të kuqe si gjaku, kometa flakëruese, përmbytje, qytete të shkatërruara nga tërmetet, tufa karkalecash gjigantë, shpërthime vullkanike, dragonj dhe lindje të qenieve monstruoze.
Dorëshkrimi do të dalë në ankand më 10 dhjetor, në kuadër të shitjes së përvitshme të “Christie’s”, e njohur si “Classic Week”, kushtuar librave dhe dorëshkrimeve me vlerë të lartë. Shtëpia e ankandeve e cilëson atë si “një nga kronikat e ilustruara më të jashtëzakonshme që kanë mbijetuar nga shekulli i saj”. Vepra vjen nga koleksioni i koleksionistit amerikan me nam botëror, Mickey Cartin. “Christie’s” do të nxjerrë në shitje pjesë të koleksionit të tij me vlerë deri në 8 milionë dollarë, duke përfshirë piktura të shkollës flamane, art bashkëkohor dhe, natyrisht, libra të rrallë. Mbi 80 artefakte do të ofrohen në më shumë se 10 ankande në Londër, Paris dhe New York, duke filluar nga ky muaj deri në korrik të vitit 2027.

“Libri i Mrekullive” u përfundua në qytetin e Augsburgut rreth vitit 1552. Origjina e tij gjeografike është e njohur pasi disa prej mbishkrimeve shoqëruese u referohen ngjarjeve të ndodhura “këtu në Augsburg”, ndërsa letra përmban filigranë karakteristikë të këtij qyteti dhe të asaj periudhe. Mendohet se autorët e tij kanë qenë Hans Burgkmair i Riu, Heinrich Vogtherr i Riu dhe punëtoritë e tyre përkatëse. Sipas shtëpisë së ankandeve, ilustrimet e veprës janë frymëzuar nga krijimtaria e disa prej artistëve më të njohur të Renesancës Gjermane, si Albrecht Dürer dhe Hans Holbein i Riu.
Libri nis me Krijimin e botës, ashtu siç përshkruhet në Biblën e krishterë, dhe vazhdon në rend kronologjik me ngjarje të tjera të përmendura në të, si dhe me ngjarje nga historia e lashtë dhe ajo mesjetare, për të përfunduar me Apokalipsin.

Në të përfshihen edhe ngjarje që në atë kohë përbënin lajme me interes të veçantë, ndër to një dukuri qiellore e vërejtur në Augsburg në vitin 1541 dhe një stuhi breshëri në Dordrecht në vitin 1552.
Gjurmët e librit shpeen te një koleksion privat në Bavari. Librashitësi dhe koleksionisti nga Münichu, Hugo Ruef, duke e përshkruar atë si pjesë të bibliotekës së një kështjelle të vogël baroke në Gjermaninë Jugore, e shiti në vitin 2008 për 127 mijë e 500 euro. Deri në vitin 2010, dorëshkrimi kishte kaluar në duart e tregtarit londinez, James Faber, i specializuar në vizatimet evropiane, përpara se të bëhej pjesë e koleksionit të Mickey Cartin.

“’Libri i Mrekullive’ përbën një dritare të jashtëzakonshme drejt imagjinatës së periudhës së Renesancës”, citohet të ketë thënë Eugenio Donadoni, specialist i “Christie’s” për dorëshkrimet mesjetare dhe të Renesancës në materialet për shtyp të publikuara nga shtëpia e ankandeve. “167 miniaturat e tij pasqyrojnë një botë të magjepsur nga shenjat, mrekullitë dhe dukuritë e pashpjegueshme, duke sjellë së bashku kometat, eklipset, përmbytjet, lindjet e qenieve monstruoze dhe vegimet e Apokalipsit. Ajo që e bën këtë dorëshkrim veçmas tërheqëse është mënyra se si ai qëndron në kufirin mes vëzhgimit dhe besimit: këto imazhe dokumentojnë ngjarje reale dhe dukuri natyrore, ndërkohë që zbulojnë edhe mënyrën se si njerëzit e shekullit XVI përpiqeshin të kuptonin atë që shihnin dhe domethënien që mund të kishin këto ngjarje të jashtëzakonshme”. 

Siç vuri në dukje “The New York Review of Books” në vitin 2014, me rastin e botimit të një riprodhimi faksimilesh të veprës nga shtëpia botuese “Taschen”, libri i shekullit XVI ishte pjesë e një “lulëzimi” të përmbledhjeve kushtuar mrekullive, të cilat u zhvilluan në kuadër të një interesi të ri për leximin e Biblës.

Revista shkruante se në këtë vepër, “një ilustrim mahnitës, i mrekullueshëm dhe jashtëzakonisht i pasur me detaje pasohet nga një tjetër”. Ndërkaq, revista “Apollo” e ka cilësuar me të drejtë librin si “një zbulim të jashtëzakonshëm”, vlerësim të cilit i referohet edhe shtëpia botuese “Taschen”.