Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Vezët apo tërshëra: Cili mëngjes është më i mirë për shëndetin e zemrës?

Tërshëra dhe vezët

Tërshëra dhe vezët

Mëngjesi është një nga vaktet që mund të ndikojë në shëndetin e zemrës. Dy prej ushqimeve më të rekomanduara janë vezët dhe tërshëra, por cili prej tyre është zgjedhja më e mirë?

Sipas dietologëve, Eating Well ka shkruar se të dyja kanë vlera të rëndësishme ushqyese, por tërshëra ka një epërsi të lehtë për shkak të përmbajtjes së fibrave të tretshme, të cilat ndihmojnë në uljen e nivelit të yndyrës së dëmshme në gjak apo kolesterolit.

Përfitimet e vezëve

Për shumë vite, vezët janë konsideruar ushqim që duhet kufizuar për shkak të kolesterolit që përmbajnë. Megjithatë, studimet më të fundit sugjerojnë se për shumicën e njerëzve të shëndetshëm, konsumimi i vezëve nuk shkakton domosdoshmërisht rritje të kolesterolit në gjak.

Një studim i vitit 2025 ka treguar se një dietë me pak yndyra të ngopura, por që përfshinte dy vezë në ditë, mund të ndihmojë në uljen e LDL-së, i njohur si kolesteroli i keq.

Dietologia Lauren Manaker ka theksuar se vezët nuk konsiderohen më ushqim që shumica e njerëzve të shëndetshëm duhet ta shmangin, për sa kohë konsumohen si pjesë e një diete të ekuilibruar.

Përveç kësaj, vezët janë burim i mirë i proteinave. Një vezë e madhe përmban rreth 6 gramë proteina, të cilat ndihmojnë në ngopje dhe kontrollin e urisë gjatë paradites.

E verdha e vezës përmban gjithashtu lëndë ushqyese të rëndësishme, si kolina, seleniumi, vitamina D dhe vitaminat e grupit B.

Megjithatë, rëndësi ka edhe mënyra e përgatitjes. Ekspertët rekomandojnë vezë të ziera, të pjekura ose të përgatitura me pak vaj ulliri, të shoqëruara me perime, fruta dhe drithëra integrale.

Përfitimet e tërshërës

Tërshëra njihet prej kohësh si një nga ushqimet më të mira për shëndetin e zemrës.

Sekreti qëndron te beta-glukani, një lloj fibre e tretshme që ndihmon në uljen e kolesterolit.

Kur kjo fibër përzihet me lëngjet në sistemin tretës, formon një masë xhelatinoze që ndihmon në largimin e acideve biliare. Si rezultat, mëlçia përdor më shumë kolesterol nga gjaku për të prodhuar acide të reja biliare, duke ndihmuar në uljen e nivelit të kolesterolit të keq.

Sipas studimeve, konsumimi i të paktën 3 gramëve beta-glukan në ditë, nga tërshëra, si pjesë e një diete me pak yndyra të ngopura dhe kolesterol, mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për sëmundje të zemrës.

Një gjysmë filxhani tërshërë e papërpunuar përmban rreth 4 gramë fibra dhe 5 gramë proteina, me afërsisht 150 kalori.

Për një mëngjes më të plotë, ajo mund të kombinohet me fruta, arra, fara, kos grek ose qumësht.

Megjithatë, duhet pasur kujdes me tërshërën e gatshme me shije, pasi disa produkte përmbajnë deri në 12 gramë sheqer të shtuar për paketim. Një alternativë më e shëndetshme është t’i shtoni fruta të freskëta, kanellë ose vanilje.

Cila është zgjedhja më e mirë për zemrën?

Sipas dietologëve, tërshëra ka një avantazh të vogël, pasi përfitimet e fibrave të saj në uljen e kolesterolit janë mbështetur nga një numër i madh studimesh shkencore.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se vezët duhen shmangur. Të dyja mund të jenë pjesë e një mëngjesi të shëndetshëm.

Madje, ekspertët sugjerojnë kombinimin e tyre: mund të shtoni një vezë gjatë përgatitjes së tërshërës për ta bërë më kremoze dhe më të pasur me proteina, ose ta konsumoni të zier krahas një tasi me tërshërë dhe fruta.

Shtatë zakone të tjera që ndihmojnë në mbrojtjen e zemrës

Përveç ushqimit, shëndeti i zemrës varet edhe nga mënyra e jetesës. Ekspertët rekomandojnë:

Konsumoni më shumë ushqime bimore: Përfshini në dietë perime, fruta, arra, fara, bishtajore dhe drithëra integrale.

Bëni aktivitet fizik: Ecja, çiklizmi, noti dhe ushtrimet e forcës ndihmojnë në përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe kontrollin e tensionit.

Flini mjaftueshëm: Rekomandohen 7-9 orë gjumë çdo natë, mundësisht me orar të rregullt.

Kontrolloni stresin: Meditimi, frymëmarrja e thellë dhe shëtitjet mund të ndihmojnë në uljen e stresit të përditshëm.

Pini mjaftueshëm ujë: Zgjidhni ujin në vend të pijeve me sheqer për të kufizuar marrjen e sheqerit të shtuar.

Shmangni duhanin dhe nikotinën: Moskonsumimi i duhanit dhe nikotinës është një nga mënyrat më të rëndësishme për të mbrojtur zemrën.

Kontrolloni rregullisht analizat: Matni tensionin e gjakut dhe kontrolloni kolesterolin dhe nivelin e sheqerit në gjak.