Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjykata e Beogradit lëshon urdhërarrest për Radoiçiqin

Milan Radoiciq

Milan Radoiçiq

Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar urdhërarrest dhe ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë për ish-nënkryetarin e Listës Serbe dhe organizatorin e sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq.

Në një përgjigje për “N1”, gjykata ka konfirmuar se urdhërarresti dhe vendimi për paraburgim janë lëshuar pasi Radoiçiqi nuk është paraqitur në stacionin policor më 15 nëntor.

Radoiçiqi ishte urdhëruar që të paraqitej në polici dy herë në muaj, më datën 1 dhe 15. Ai ishte paraqitur më 1 nëntor, por nuk ishte paraqitur në datën 15.

Mediat në Serbi kanë raportuar se Radoiçiqi është larguar drejt Rusisë pas rezultateve të zgjedhjeve, në të cilat partia e Aleksandar Vuçiqit pësoi humbje përballë Listës së Studentëve. Radoiçiqit më herët i ishte konfiskuar edhe pasaporta.

Radoiçiqi është në kërkim edhe nga INTERPOL-i, ndërsa Kosova e konsideron atë si organizatorin kryesor të sulmit të armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Edhe Nisin hetimet, si vepruan institucionet në Serbi për ta lënë të lirë Radoiçiqin Arbëri Nisin hetimet, si vepruan institucionet në Serbi për ta lënë të lirë Radoiçiqin

Pesë ditë pas sulmit, Radoiçiqi, përmes avokatëve të tij, kishte pranuar se e kishte organizuar sulmin. Në të njëjtën kohë, ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe.

Kryeministri Albin Kurti vazhdimisht ka bërë thirrje që Serbia duhet ta dorëzojë Radoiçiqin tek autoritetet e Kosovës.