Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nisin hetimet, si vepruan institucionet në Serbi për ta lënë të lirë Radoiçiqin

Milan Radoiciq

Një komision i Prokurorisë së Lartë Publike në Serbi është duke e shqyrtuar vendimin që ka çuar në mosdërgimin në paraburgim, të kryeterroristit të Banjskës, Milan Radoiçiq, ka raportuar mediumi serb “nova.rs”.

Në artikull theksohet se rasti po hetohet se si u mundësua lirimi i Radoiçiqit, pavarësisht peshës së rëndë të krimit për të cilin e ka marrë përgjegjësinë.

Hilja qëndronte te kërkesa e Prokurorisë për paraburgim. Në shkrim theksohet se aty u kërkua që Radoiçiqi të dërgohej në paraburgim, me arsyetimin e vetëm se “ekziston rreziku i ikjes”. E komisioni tani po e shqyrton se përse prokurori i rastit nuk ka përmendur fare rrethana të tjera që do të bënin të paevitueshëm dërgimin e Radoiçiqit në paraburgim: rrezikun e përsëritjes së veprës penale, ndikimin te dëshmitarët dhe rrezikimi i sigurisë publike.

Gjykata e pati refuzuar kërkesën për paraburgim duke thënë se vetë paraqitja e tij vullnetare dhe dorëzimi i pasaportës janë të mjaftueshme se ai do të jetë i pranishëm në procedurë. Në vend të paraburgimit, atij iu konfiskua pasaporta dhe iu caktua paraqitja e rregullt në polici.

Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, e pati marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit. Ai udhëhoqi një grup prej dhjetëra personash të armatosur në sulmin ndaj Policisë së Kosovës. Në përleshje u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa u vranë edhe tre sulmues serbë. Pjesa tjetër e grupit u largua drejt Serbisë, duke lënë pas armë, municion dhe eksplozivë.

Radoiçiqi e pati marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit përmes avokatit të tij, duke pretenduar se ka vepruar pa dijeninë e autoriteteve serbe.

Kosova e akuzon Serbinë për përfshirje në organizimin dhe mbështetjen e sulmit.

Pas sulmit, Radoiçiqi u arrestua në Serbi, por Gjykata e Lartë në Beograd e pati liruar qysh në tetor 2023. Serbia nuk ka ngritur aktakuzë ndaj tij, ndërsa Radoiçiqi endet i lirë. 

Madje së fundmi u pa i lirë edhe në fushatën për zgjedhjet e 25 tetorit, në mbështetje të ish-presidentit Aleksandar Vuçiq, që u mposht nga Lista e Studentëve.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave në shtator 2024, përfshirë Radoiçiqin, për vepra që lidhen me terrorizmin dhe cenimin e rendit kushtetues. Kosova ka kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e të akuzuarve, ndërsa Interpoli lëshoi fletarrestime ndërkombëtare për disa prej tyre, përfshirë Radoiçiqin.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë. Kosova vazhdon të kërkojë presion ndërkombëtar ndaj Beogradit.