Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar shitjen dhe e ka urdhëruar tërheqjen e mishit të ngrirë të pulës të importuar nga Brazili nga kompania “Apetit”, pasi në të ka konstatuar bakterin “Salmonella Minnesota”.
Në një njoftim të AUV-së është bërë e ditur se janë ndaluar dhe është vendosur për tërheqjen e dy lotëve.
Produktet e përfshira në vendim:
Marka Origjina Nr. i aprovimit LOT
Coopavel Brazil SIF 3887 R-14427
Edhe
Asgjësohen mbi 19 mijë kilogramë mish pule
Superfrango Brazil SIF 3404 R20598
Ky bakter, sipas AUV-së, paraqet rrezik potencial për shëndetin e njeriut. “Ky bakter mund të shkaktojë infeksione gastrointestinale dhe të transmetohet përmes konsumimit të ushqimit të kontaminuar ose kontaminimit të kryqëzuar gjatë trajtimit dhe përgatitjes së mishit. Në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-120 për Ushqim, konstatimi i këtij patogjeni kërkon vlerësimin e rrezikut dhe ndërmarrjen e masave proporcionale për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve”, thuhet në njoftim.
AUV-ja ka bërë thirrje që qytetarët që kanë mish me këta numra identifikues, të mos i konsumojnë dhe t’i kthejnë në pikat e shitjes.
“Kontrollet e jashtëzakonshme po vazhdojnë me verifikimin e të gjithë sasisë së importuar, përfshirë gjurmueshmërinë nga hyrja në Kosovë deri te pikat e shitjes, sasitë e shpërndara dhe të mbetura, etiketimin, datat e prodhimit dhe skadencës, certifikatat veterinare, kushtet e ruajtjes dhe analizat shtesë laboratorike”, thuhet në njoftim. “Në përputhje me nenet 21, 22 dhe 23 të Ligjit për Ushqim, operatori është përgjegjës për sigurinë, gjurmueshmërinë, tërheqjen e produkteve nga tregu dhe informimin e konsumatorëve. AUV do të mbikëqyrë zbatimin e masave dhe do të përcaktojë trajtimin përfundimtar të produkteve në bazë të vlerësimit të rrezikut, përfshirë asgjësimin kur është i nevojshëm”.
Edhe
Muja për mishin nga Brazili: Rezultatet e 5 mostrave me parametra shqetësues
Në fund të shtatorit, u bë e ditur se Mali i Zi i ka ndaluar më shumë se 100 tonë mish të skaduar nga Brazili, të importuar nga “Apetiti”. Sipas njoftimeve zyrtare, mishi kishte destinacion Kosovën. Institucionet e Malit të Zi patën thënë se ka hasur në persona nga kjo kompani, të pajisur me pajisje për falsifikimin e tiketave të datave të skadimit.
“Apetiti” u përpoq ta arsyetonte skadimin e afatit me vonesat e transportit.