Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka tërhequr nga tregu një ngarkesë me produktin “Flips Ketchup”, të prodhuesit “Pestova” pasi në Slloveni u konstatua se nuk është deklaruar prania e alergjenit qumësht.
Sipas njoftimit, këtyre patatinave ishte paraparë t’u skadonte afati më 11 shkurt 2027.
AUV-ja ka bërë të ditur se gjatë kontrollit në Slloveni është konstatuar prania e gjurmëve të qumështit dhe produkti është vlerësuar si i pasigurt për konsumatorët e ndjeshëm ndaj alergjenit qumësht.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), përmes Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF) nr. 2026.8267, është njoftuar për ndalim të një ngarkese me produktë: “Flips Ketchup” me datë skadimi 11.02.2027, prodhues PESTOVA L.L.C lidhur me mosdeklarimin e pranisë së alergjenit qumësht në produktin ushqimor. Gjatë kontrollit zyrtar në Slloveni është marrë mostër e këtij produkti, ku përmes analizave laboratorike është konstatuar prania e gjurmëve të qumështit. Sipas vlerësimit të riskut të bërë në kuadër të njoftimit RASFF, produkti është vlerësuar si i pasigurt për konsumatorët e ndjeshëm ndaj alergjenit qumësht. AUV menjëherë ka nisur gjurmueshmerinë për prodhimin dhe tregtimin e produktit”, thuhet në njoftim.
AUV-ja ka thënë se tek operatori në fjalë ka gjetur produktit në stok, që sipas dokumentacionit ishte prodhuar në sasi prej më shumë se 20 mijë pakosh dhe është eksportuar në disa vende.
Edhe
Ngrihet alarmi për sigurinë e ushqimit në Kosovë
AUV-ja ka njoftuar se ka urdhëruar operatorin ekonomik ta tërheqë produktin nga tregu dhe të ndalë shitjen apo shpërndarjen e sasie në depo, deri në kryerjen e analizave laboratorike ose korrigjimin e deklaracionit.
“Thërrasim konsumatorin për vëmendje gjatë blerjes se produkteve ushqimore. Nëse e hasni produktin sipas të dhënave me lartë ne treg, të njoftoni menjëherë AUV-në. Po ashtu nëse të njëjtin e keni ne shtëpitë e juaj duhet ta ktheni ne piken e blerjes. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes AUV-së është duke ndërmarrë të gjitha veprimet për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve. Mbetemi të përkushtuara në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave të nevojshme mbi secilin dyshim qe paraqitet”, thuhet në njoftim.
E lidhur me rastin ka dal me sqarim Pestova, që ka thënë se bëhet fjalë për një seri të caktuar të produktit “Flips Ketchup”.
Pestova, në postim në Facebook, tha se menjëherë pas njoftimit ka bashkëpunuar me AUV-në dhe ka ndërmarrë veprimet e kërkuara nga autoritetet kompetente.
“Sipas formulimeve, proceseve të prodhimit dhe dokumentacionit të lëndëve të para që përdor Pestova, qumështi, laktoza, hirra dhe nënproduktet e tjera të qumështit nuk janë përbërës të paraparë në prodhimin e këtyre produkteve. Kontrollet dhe inspektimi i deritanishëm nuk kanë identifikuar përdorimin e tyre të drejtpërdrejtë në procesin e prodhimit. Për të përcaktuar me saktësi burimin e gjurmëve të evidentuara, janë duke u zhvilluar verifikime dhe analiza shtesë në laboratorë të akredituar. Rezultatet përfundimtare do t’u komunikohen autoriteteve kompetente dhe publikut sapo procesi i verifikimit të përfundojë”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Edhe
ADN e pulës në suxhukun shtëpiak të “Buqukut”, AUV-ja urdhëron masa kufizuese të prodhimit
Po ashtu “Pestova” ka thënë se lidhur me tregun e Sllovenisë, pas trajtimit të rastit nga autoritetet atje, produktet janë lejuar për qarkullim.
“Në lidhje me tregun e Sllovenisë, pas trajtimit të rastit me autoritetet kompetente atje, produktet janë lejuar për qarkullim. Produktet e Pestovës vazhdojnë të jenë të pranishme në tregun slloven dhe në tregje të tjera të Bashkimit Evropian. Pestova zbaton standarde dhe procedura të përcaktuara për sigurinë dhe cilësinë e ushqimit dhe i nënshtrohet certifikimeve dhe kontrolleve nga organizata të pavarura dhe autoritetet kompetente. Këtë rast po e trajtojmë me seriozitet, transparencë dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse. Do ta informojmë publikun për çdo zhvillim relevant dhe për rezultatet përfundimtare të verifikimeve”, thuhet në sqarim.