Prokuroria Speciale e ka intervistuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, në cilësinë e të dyshuarit. Organi i akuzës pretendon se ai ka keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar në lidhje me projektin “Arkitekti i Qytetit”. Pas intervistimit, Rama ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë dhe të ofrojë sqarimet e tij
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është intervistuar të premten në Prokurorinë Speciale, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Rama është intervistuar në cilësinë e të pandehurit lidhur me projektin “Arkitekti i Qytetit”. Statusi në të cilin ai është intervistuar, është konfirmuar me shkrim për KOHËN edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
“Prokuroria Speciale ju njofton se personi me inicialet P. R. është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të veprimeve hetimore që Prokuroria është duke i zhvilluar në rastin penal ‘Arkitekti i Kryeqytetit’, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Pas më shumë se dy orësh intervistim, kur doli nga Prokuroria Speciale, Rama tha se është i gatshëm që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë.
“Ne jeni të gatshëm të bashkëpunojmë me Prokurorinë sepse kështu zhvillohet shteti demokratik. Puna ime është zhvillimi i kryeqytetit. Puna e Prokurorisë është të dijë që çdo gjë po bëhet në bazë të legjislacionit”, ka thënë ai.
Avokati i Ramës, Artan Qerkini, i cili ishte i pranishëm gjatë intervistimit tha se klienti i tij është shprehur i gatshëm që të japë sqarimet e tij lidhur me këtë projekt në Prokurori.
“Z. Rama është intervistuar në lidhje me projektin ‘Arkitekti i Qytetit’ edhe pse dihet që në këtë rast kemi të bëjmë me politika publike që vlerësohen prej votuesve. Mirëpo, z. Rama ka shprehur gatishmërinë e tij që në rast se Prokuroria dyshon për aspekte të ndryshme të këtij projekti me i jep sqarimet e nevojshme në mënyrë që Prokuroria lidhur me këtë projekt me çdo gjë të shkojë sipas ligjit”, ka thënë avokati Qerkini.
Në Qershor të vitit 2024, KOHA ka raportuar se Komuna e Prishtinës e ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik që në fillim të procesit tenderues për kontratën “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, në vlerë prej 12 milionë eurosh.
Konsorciumi që ka fituar kontratën, e që përbëhet nga kompanitë “Anarch” e “Ardi Ç”, kishte përfshirë në dosje dokumentin për Sigurim të Tenderit, në vlerë prej 12 mijë eurosh.
Vlera në këtë sigurim është dhjetëfish më e vogël sesa minimalja që kërkohet me ligj.
“Nëse autoriteti kontraktues vendos që të detyrojë depozitimin e sigurisë së tenderit, shuma e sigurisë së tillë duhet të jetë jo më pak se një për qind (1%) dhe jo më shumë se tre për qind (3%) e vlerës së parashikuar të kontratës publike ose konkursit të projektimit, por sidoqoftë, në asnjë rast nuk duhet të jetë më pak se njëmijë (1.000) euro”, thuhet në nenin 57 i Ligjit për Prokurimin Publik.
Bazuar në këtë normë ligjore, në fazën e aplikimit, konsorciumi fitues do të duhej të depononte jo më pak se 120 mijë euro. Por, Komuna e Prishtinës kishte kërkuar dhjetëfish më pak dhe konsorciumit ia kishte pranuar shumën prej 12 mijë eurosh.
KOHA pati pyetur edhe Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) nëse ekziston ndonjë rrethanë e cila lejon që shuma e Sigurisë së Tenderit të jetë nën minimumin prej 1 për qind të vlerës së parashikuar të kontratës. Në këtë institucion, e kanë mohuar ekzistimin e një rrethane të tillë.
“Në përputhje me paragrafin 3 të nenit 57 të LPP-së, shuma e sigurisë së tenderit në rast se një siguri e tillë kërkohet, duhet të jetë jo më pak se një (1) % dhe jo më shumë se tre (3) % e vlerës së parashikuar të kontratës publike, por sidoqoftë jo më pak se njëmijë (1000) euro. Kjo duhet të kuptohet se në rast se një (1)% e vlerës së parashikuar i bie më pak se njëmijë (1000) euro, atëherë AK-së nuk i lejohet të kërkojë siguri nën njëmijë (1000) euro”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së.
KOHA po ashtu pati raportuar se shkaku i një dokumenti tjetër, Komuna e Prishtinës nuk do të mund t’i tërheqë 1.2 milion euro, në rast se fituesi i tenderit 12-milionësh nuk i zbaton kushtet e kontratës. Dokumenti që njihet si “Siguri e ekzekutimit”, të cilin e ka lëshuar banka, është thuajse i ngjashëm në përmbajtje me “sigurimin e tenderit”, dokument që vlen në fazën para nënshkrimit të kontratës.
Gjithashtu në maj të 2024-s, KOHA ka raportuar se pronar i njërës kompani në konsorcium që ka fituar kontratën 12-milionëshe “Shërbimi i arkitektit të kryeqytetit” është Astrit Nixha, i cili në të kaluarën ka pasur raporte pune edhe me një biznes të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Me pretendimet për keqpërdorime në Komunën e Prishtinës, këtë vit dy sinjalizues kishin tentuar që të dërgojnë dëshmi në Prokurorinë Speciale, por ata i kanë thënë KOHËS se adresa elektronike e Prokurorisë ishte jashtë funksionit.
Lidhur me këto pretendime, Prokuroria nuk i ishte përgjigjur.