Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komuna e Pejës kundërshton Gërvallen lidhur me pretendimet për mangësitë në rastin e Zekajt

Arlinda Zekaj

Foto: Driton Paçarada

Komuna e Pejës e ka kundërshtuar deklaratën e ministres së Drejtësisë Donika Gërvalla lidhur me mangësitë e evidentuara të Komunës së Pejës, për rastin e Arlinda Zekajt. Sipas komunës, deklaratat janë të padrejta e të pabaza. Ndërkaq, ministrja Gërvalla tha se ka mangësi edhe për Qendrën për Punë Sociale në Pejë

Të padrejtë e të pabazë e ka quajtur Komuna e Pejës, deklaratën e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla lidhur me mangësitë e evidentuara të Komunës së Pejës, për rastin e Arlinda Zekajt.

Ministrja Gërvalla, në konferencën ku u prezantuan detaje nga institucionet përgjegjëse për vrasjen e Zekajt, tha se nga Komuna e Pejës kanë marrë vetëm një përgjigje në 7 rreshta dhe se nuk kanë marrë informacione as për masa konkrete dhe as çfarë plane ka kjo komunë, që të ndërmarrë ditëve në vijim.

Por, Valmir Deqani, zëdhënës në Komunën e Pejës, i kundërshtoi deklarimet e ministres Gërvalla.

“Deklaratat e ministres si shpeshherë janë të padrejta dhe të pabaza gjë që Komuna e Pejës nuk i pranon. Procedura është në hetim e sipër dhe do të merren masat e nevojshme për të gjithë atë se çfarë ka ndodhur brenda institucioneve sidomos komunale, ku do të reagoj edhe kryetari i komunës, në qoftë se shpallen fajtorë personeli apo ndonjë zyrtar i komunës”, ka thënë zëdhënësi Deqani.

Ai tha se Inspektoratit i janë dorëzuar edhe dosje për gjithë ngjarjen që është zhvilluar për rastin e tani së ndjerës, Arlinda Zekajt.

Edhe Gërvalla nuk ndien përgjegjësi të ekzekutivit pas vrasjes së Zekajt, hedh dyshime te ndikimet politike Arbëri Gërvalla nuk ndien përgjegjësi të ekzekutivit pas vrasjes së Zekajt, hedh dyshime te ndikimet politike

“Ne veç se e kemi dorëzuar në inspektorat komplet dosjen për krejt ngjarjet që janë zhvilluar në kuadër të Arlinda Zekajt. Janë dorëzuar në inspektorat krejt procesverbalet prej muajit korrik deri në ditën fatale. Tani veç i posedon ato dokumente inspektorati, të cilët e bëjnë punën e vet. Ne zotohemi që do t’i përkrahim ata që e bëjnë punën e drejtë. Mirëpo, deklaratat e ministres janë bërë të përditshme gabimet e tyre dhe janë të papranueshme për Komunën e Pejës”, ka thënë ky zëdhënës.

Kritika ministrja e Drejtësisë dha edhe për Qendrën për Punë Sociale në Pejë.

“Nga korriku-tetor QPS kishte komunikim me Arlinda Zekaj, megjithatë nuk e kishte konsideruar detyrim të saj krijimin e kushteve për kthimin e saj në shtëpi. Qendra nuk dorëzoi brenda afatit raportin e kërkuar. Më 5 tetor përfaqësuesi i saj mungoi në seancë gjyqësore. Vlerësimi i psikologes përmban të dhëna që kundërshtojnë paraqitjen publike të thjeshtuar që fëmija nuk dëshironte të qëndronte me nënën”, ka thënë Gërvalla.

Kritikat e Gërvallës nuk i komentuan përgjegjësitë e Qendrës për Punë Sociale në Pejë.

Lidhur me pretendimet e Ministrisë së Drejtësisë, KOHA ka provuar të marrë një përgjigja nga Qendra për Punë Sociale në Pejë. Zyrtarë të këtij institucioni i thanë KOHËS se përgjegjësitë janë në një takim, e nuk dihet se kur do ta përfundojnë takimin.

Edhe Ekzekutivi evidenton varg shkeljesh në rastin e Arlinda Zekajt, ministrat s’mendojnë për dorëheqje Arbëri Ekzekutivi evidenton varg shkeljesh në rastin e Arlinda Zekajt, ministrat s’mendojnë për dorëheqje

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është arrestuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Ndërkohë që ish-bashkëshorti i Zekajt, Jeton Sylaj, ditën e vrasjes ishte ndaluar nga organet e rendit pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.