Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Me hedhjen e tymuesve kërkohet dorëheqja e Gërvallës

qika

Me hedhjen e tymuesve dhe thirrjet “Arlinda nuk e kishte gabuar adresën, shteti e braktisi” dhe “Arlinda e bëri atë që duhej, ti Donikë s’e bone, Dorëhiqu” dhe mesazhe të tjera të cilat u vendosen në objektin e Qeverisë, organizata “Qika” ka zhvilluar një aksion simbolik në kundërshtim të deklaratave të ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt nga kunati i saj.

 Në një postim në Facebook kjo organizatë ka thënë se përgjegjësia institucionale nuk mund të shmanget duke ia bartur fajin viktimës.

“Sot, në Ministrinë e Drejtësisë, vendosëm disa mesazhe dhe pjesë nga deklaratat e Arlinda Zekajt, për t’ia rikujtuar ministres së Drejtësisë dhe Koordinatores Nacionale për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore, Donika Gërvalla, se përgjegjësia institucionale nuk mund të shmanget duke ia bartur fajin viktimës”, thuhet  në postimin e tyre në Facebook.

Tutje thuhet se Gërvallës ia rikujtuan se Arlinda ka kërkuar ndihmë aty ku duhej. 

“Ka trokitur në dyert e institucioneve që kishin për detyrë ta mbronin, por shteti e braktisi. Deklaratat skandaloze, relativizimi i përgjegjësisë dhe fajësimi i viktimave nuk mund të kalojnë në heshtje. Donika Gërvalla duhet të marrë përgjegjësi politike dhe të japë dorëheqje”, thuhet në postim.

Edhe QIKA bën përgjegjës shtetin për vrasjen e Arlinda Zekajt LAJMET E MBRËMJES QIKA bën përgjegjës shtetin për vrasjen e Arlinda Zekajt

Gërvalla në seancën e djeshme e cila u thirr pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ka thënë se ajo i ishte drejtuar institucioneve të drejtësisë dhe nuk kishte marrë mbrojtjen e kërkuar. Ajo tha se Zekaj nuk iu drejtua Qeverisë. 

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare është qëlluar për vdekje me sëpatë, mbrëmjen e së dielës, në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar është kunati i saj, që sipas autoriteteve gjendet në arrati. Tri ditë para se të vritej, nëpërmjet një letre drejtuar Prokurorisë në Pejë ajo kishte njoftuar për rrezikun.