Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Municipality of Peja objects to Gërvalle regarding allegations of shortcomings in Zekaj's case

Arlinda Zekaj

Photo: Driton Pacharada

Komuna e Pejës e ka kundërshtuar deklaratën e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, lidhur me mangësitë e evidentuara të komunës së Pejës, për rastin e Arlinda Zekajt. Sipas komunës, deklaratat janë të padrejta e të pabaza. Ndërkaq, ministrja Gërvalla tha se ka mangësi edhe për Qendrën për Punë Sociale në Pejë.

Të padrejta e të pabazë e ka quajtur Komuna e Pejës, deklaratën e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla lidhur me mangësitë e evidentuara dhe planet e ardhshme të komunës së Pejës, për rastin e Arlinda Zekajt.

Ministrja Gërvalla, në konferencën ku u prezantuan detaje nga institucionet përgjegjëse për vrasjen e Zekajt, tha se nga Komuna e Pejës kanë marrë vetëm një përgjigje në 7 rreshta dhe se nuk kanë marrë informacione as për masa konkrete dhe as çfarë plane ka kjo komunë, ditëve në vijim.

Por, Valmir Deqani zëdhënës në komunën e Pejës, i kundërshtoi deklarimet e ministres Gërvalla.

“Deklaratat e ministres si shpeshherë janë të padrejta dhe të pabaza gjë që Komuna e Pejës nuk e pranon. Procedura është në hetim e sipër dhe do të merren masat e nevojshme për të gjithë atë se çfarë ka ndodhur brenda institucioneve sidomos komunale, ku do të reagojë edhe kryetari i Komunës në qoftë se shpallen fajtorë personeli apo ndonjë zyrtar i komunës”, tha ai.

Ai tha se Inspektoratit i janë dorëzuar edhe dosje për gjithë ngjarjen që është zhvilluar për rastin e tani së ndjerës, Arlinda Zekajt.

“Ne veç se e kemi dorëzuar në inspeksion komplet dosjen për krejt ngjarjet që janë zhvilluar në kuadër të Arlinda Zekajt. Janë dorëzuar në inspeksion krejt procesverbalet prej muajit korrik deri në ditën fatale. Tani veç i posedojnë ato dokumente inspeksioni, të cilët e bëjnë punën e vet. Ne zotohemi që do t’i përkrahim ata që e bëjnë punën e drejtë. Mirëpo deklaratat e ministres, janë bërë të përditshme gabimet e tyre dhe janë të papranueshme për Komunën e Pejës”, tha Deqani.

Kritika ministrja e Drejtësisë dha edhe për Qendrën për Punë Sociale në Pejë.

“Nga korriku-tetor QPS kishte komunikim me Arlinda Zekaj, megjithatë nuk e kishte konsideruar detyrim të saj krijimin e kushteve për kthimin e saj në shtëpi. Qendra nuk dorëzoi brenda afatit raportin e kërkuar. Më 5 tetor përfaqësuesi i saj mungoi në seancë gjyqësore. Vlerësimi i psikologes përmban të dhëna që kundërshtojnë paraqitjen publike të thjeshtuar që fëmija nuk dëshironte të qëndronte me nënën”, tha Gërvalla.

Lidhur me pretendimet e Ministrisë së Drejtësisë, KOHA ka provuar të marrë një përgjigja nga Qendra për Punë Sociale në Pejë. Zyrtarë të këtij institucioni i thanë KOHËS, se përgjegjësit janë në një takim, e nuk dihet se kur do ta përfundojnë takimin.

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është arrestuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Ndërkohë që ish-bashkëshorti i Zekajt, Jeton Sylaj, ditën e vrasjes ishte ndaluar nga organet e rendit pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.