Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Apetit”: Mishit nga Brazili i skadoi afati për shkak të vonesave në transport

“Apetit”: Mishit nga Brazili i skadoi afati për shkak të vonesave në transport

Kompania “Apetit” ka reaguar lidhur me ngarkesat me mish nga Brazili, të cilat u kapën nga autoritetet e Malit të Zi pasi u kishte skaduar afati i përdorimit, duke thënë se bëhet fjalë për mish të prodhuar në shkurt të vitit 2026, me afat përdorimi prej 120 ditësh nga data e prodhimit.

Sipas “Apetit”, ngarkesat ishte planifikuar të mbërrinin në destinacion brenda 45 deri në 50 ditësh, por transporti u vonua për shkak të problemeve në transportin detar ndërkombëtar, përfshirë vonesat në portet e tranzitit.

Kompania ka thënë se pas mbërritjes në portin e Tivarit, në Mal të Zi, ngarkesat janë vendosur në magazina doganore shtetërore, nën mbikëqyrjen e autoriteteve kompetente malazeze, ndërsa “Apetit” ka pritur për përfundimin e procedurave për ri-eksportin e tyre.

“Apetit” ka theksuar se asnjëra prej këtyre ngarkesave nuk ka hyrë në procedurë importi në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Shqipëri apo Bosnje e Hercegovinë.

Sipas kompanisë, asnjë kilogram mish nuk është importuar, zhdoganuar, vendosur në treg, shitur apo shpërndarë në këto vende. 

“Ngarkesat kanë qëndruar në magazina doganore në Mal të Zi gjatë gjithë kësaj periudhe, në pritje të procedurave të ri-eksportit”, ka thënë kompania, transmeton RTK. 

“Apetit” ka deklaruar se siguria ushqimore, cilësia dhe transparenca ndaj konsumatorëve janë prioritete të saj dhe se gjatë gjithë procesit ka bashkëpunuar me autoritetet dhe palët përkatëse, duke respektuar procedurat doganore dhe administrative.

Për dhjetë ditë, 103 tonë mish të destinuar për “Apetitin” u kapën nga autoritetet e Malit të Zi pasi ishin me afat të skaduar.

Lexo përditësimet tjera
mish brazili

Në Tivar kapet edhe një kontejner me mish me afat të skaduar, i destinuar për Kosovë

Autoritetet e Malit të Zi kanë njoftuar se të enjten në Portin e Tivarit e kanë...