Autoritetet e Malit të Zi kanë njoftuar se të enjten në Portin e Tivarit e kanë ndalur edhe një kontejner me mish viçi të skaduar që ishte i destinuar për tregun e Kosovës.
Në njoftimin e Drejtorisë së Doganave të Malit të Zi thuhet se në kontejnerin që ishte i destinuar për kompaninë kosovare “Apetiti SHPK”, ishin 1.321 paketime me mish viçi të ngrirë, me peshë bruto 24.650 kilogramë.
Gjatë kontrollit thuhet se është konstatuar se afati i përdorimit të mishit kishte skaduar më 14 maj 2026.
Kjo është hera e dytë brenda 10 ditësh që në këtë port ndalohet mish i kësaj kompanie, pasi që edhe më 15 shtator autoritetet e Malit të Zi raportuan se kishin kapur tre kontejnerë me mish me afat të skaduar të destinuar për Kosovë.
KOHA ka dërguar pyetje tek kompania “Apetiti SHKP” lidhur me këto raste dhe posa të marrë përgjigje teksti do të përditësohet.
Ndërkohë që në njoftimin e Drejtorisë së Doganës së Malit të Zi thuhet se përmes komunikimit me administratat doganore të vendeve fqinje, është konstatuar se parregullsi në lidhje me këtë kompani janë evidentuar edhe në Portin e Durrësit.
Kjo Drejtori ka njoftuar se mishi i kapur në tre kontejnerët para dy javësh do të asgjësohet pasi të përfundojnë formalitetet e tjera ligjore.
“Kujtojmë se në rastin e mëparshëm, Drejtoria e Doganave kishte ndërprerë procedurën e tranzitit për tre kontejnerë me mish viçi, me peshë totale bruto prej 77.841,03 kilogramësh, pasi ishte konstatuar se deklaratat origjinale, në të cilat shënohej afati i skaduar i përdorimit, ishin hequr dhe më pas ishin zëvendësuar me deklarata ku ishte shënuar një afat tjetër përdorimi”, thuhet në njoftim.
“Për këtë janë mbledhur informacione, të cilat janë shkëmbyer me administratat doganore kompetente. Për këto ngjarje është njoftuar edhe Organizata Botërore e Doganave, në mënyrë që edhe administratat e tjera doganore të jenë të informuara për këtë mënyrë të tentimit për shpërndarjen e mishit”, thuhet tutje në njoftim.
Në dy rastet e lartpërmendura, Drejtoria e Doganave ka ndaluar tranzitin e mishit të viçit me peshë totale bruto prej 102.491,03 kilogramësh, ose gati 103 tonë.
Lidhur me këto raste KOHA ka dërguar pyetje edhe tek autoritet në Kosovë dhe posa të marrë përgjigje teksti do të përditësohet.
“Apetit”: Mishit nga Brazili i skadoi afati për shkak të vonesave në transport
Kompania “Apetit” ka reaguar lidhur me ngarkesat me mish nga Brazili, të cilat u kapën nga autoritetet e Malit të Zi pasi u ka skaduar afati i përdorimit, duke thënë se bëhet fjalë për mish të prodhuar në shkurt të vitit 2026, me afat përdorimi prej 120 ditësh nga data e prodhimit. Por nuk kanë treguar për akuzat e autoriteteve malaziase se punëtorë të kësaj kompanie u kapën me pajisje për ndërrimin e etiketave të afatit të skaduar.
Sipas “Apetit”, ngarkesat qe planifikuar të mbërrinin në destinacion brenda 45 deri në 50 ditësh, por transporti u vonua për shkak të problemeve në transportin detar ndërkombëtar, përfshirë vonesat në portet e tranzitit.
Kompania ka thënë se pas mbërritjes në portin e Tivarit, në Mal të Zi, ngarkesat janë vendosur në magazina doganore shtetërore, nën mbikëqyrjen e autoriteteve kompetente malazeze, ndërsa “Apetit” ka pritur për përfundimin e procedurave për ri-eksportin e tyre.
“Apetit” ka theksuar se asnjëra prej këtyre ngarkesave nuk ka hyrë në procedurë importi në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Shqipëri apo Bosnje e Hercegovinë.
Sipas kompanisë, asnjë kilogram mish nuk është importuar, zhdoganuar, vendosur në treg, shitur apo shpërndarë në këto vende.
“Ngarkesat kanë qëndruar në magazina doganore në Mal të Zi gjatë gjithë kësaj periudhe, në pritje të procedurave të ri-eksportit”, ka thënë kompania, transmeton RTK.
“Apetit” ka deklaruar se siguria ushqimore, cilësia dhe transparenca ndaj konsumatorëve janë prioritete të saj dhe se gjatë gjithë procesit ka bashkëpunuar me autoritetet dhe palët përkatëse, duke respektuar procedurat doganore dhe administrative.
Për dhjetë ditë, 103 tonë mish të destinuar për “Apetitin” u kapën nga autoritetet e Malit të Zi pasi ishin me afat të skaduar.
Aktivizohen institucionet pasi Mali i Zi kapi sërish mish të skaduar të destinuar për Kosovën
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ngritur nivelin e masave të kontrollit ndaj operatorit ekonomik “Apetit”, pasi autoritetet e Malit të Zi kanë ndaluar sot sërish një ngarkesë me mish me origjinë nga Brazili, me afat të skaduar, e cila ishte e destinuar për tregun e Kosovës.
Dhjetë ditë më herët, po ashtu nga autoritetet e Malit të Zi, u ndaluan tre kontejnerë me mish viçi me afat të skaduar me origjinë nga Brazili, që ishte destinuar po për kompaninë “Apetit”. Duke përfshirë edhe rastin e sotëm, sipas Doganës së Malit të Zi, mish i kapur është rreth 103 tonë.
Ndërkohë në një reagim në rrjetet sociale, AUV-i ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet malazeze për sigurinë ushqimore dhe se është në pritje të informatave të plota zyrtare për rastin.
Megjithatë, AUV-i ka njoftuar se që nga 18 shtatori ka nisur kontrolle të detajuara ndaj “Apetitit”, i cili, sipas saj, është nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Kontrollet përfshijnë verifikimin e dokumentacionit të importit dhe origjinës, afateve të përdorimit, sasive të importuara e të shpërndara, si dhe destinacioneve të produkteve.
“Kontrollet janë plotësuar edhe me marrjen e mostrave dhe analizat përkatëse. AUV ka vendosur masa shtesë në dy linjat e kontrollit kufitar, ndërsa inspektorati i brendshëm po kontrollon sasitë e produkteve në depo dhe ato të vendosura në treg”, thuhet në njoftim.
Agjencia ka paralajmëruar se, në varësi të rezultateve të kontrolleve dhe nivelit të rrezikut të identifikuar, do të ndërmarrë masa ligjore, përfshirë ndalimin e qarkullimit dhe tërheqjen nga tregu të çdo produkti që nuk i plotëson kriteret e sigurisë ushqimore.
AUV-i ka thënë se konsumatorët do të informohen për çdo të gjetur gjatë kontrolleve. Në rast se identifikohet ndonjë produkt që paraqet rrezik për shëndetin publik, do të publikohen të dhënat për identifikimin e tij dhe udhëzimet për konsumatorët.
“Secili produkt që nuk i plotëson kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore nuk do të lejohet të hyjë apo të mbetet në tregun e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar AUV-i.