Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

RrGK-ja në takim me Shiroka-Pulën propozon përfshirjen e femicidit në Kodin Penal

shiroka-pula rrgk

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, është takuar me një delegacion të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), të kryesuar nga Nermin Mahmuti, kryetare e Bordit të RrGK-së.

Përfaqësueset e RrGK-së shprehën gatishmërinë për bashkëpunim në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të grave.

Në takim përfaqësuese të këtij rrjeti kanë propozuar përfshirjen e femicidit në Kodin Penal.

“Në takim u diskutua për masat konkrete që duhet të ndërmerren për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vrasjeve të tyre. Përfaqësueset e RrGK-së propozuan përfshirjen e femicidit në Kodin Penal, fuqizimin e mekanizmave për mbrojtjen e viktimave, fuqizimin ekonomik, si dhe rritjen e buxhetit për punëtorët socialë dhe shërbimet e specializuara për mbrojtjen e grave”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sipas njoftimit, Presidentja Shiroka Pula vlerësoi rëndësinë e punës së RrGK-së dhe të organizatave të shoqërisë civile në adresimin e dhunës ndaj grave.

“Ajo shprehu gatishmërinë për të mbështetur përpjekjet e tyre, duke theksuar nevojën për veprime konkrete, koordinim institucional dhe angazhim të vazhdueshëm për të garantuar sigurinë dhe të drejtat e grave”, thuhet tutje në njoftim.