Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rrjeti i Grave kërkon përfshirjen e femicidit në Kodin Penal

Rrjeti i Grave kërkon përfshirjen e femicidit në Kodin Penal

Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) ka kërkuar përfshirjen e femicidit dhe dhunës së kryer përmes teknologjisë në Kodin Penal, në listën e rekomandimeve për institucionet për të parandaluar dhunën dhe vrasjet e grave.

Rekomandimet e këtij rrjeti u diskutuan në takimin që të premten udhëheqës të RRGK-së zhvilluan me kryeparlamentaren Albulena Haxhiu.

Ky rrjet ka rekomanduar ndryshimin e Kodit Penal për përfshirjen e femicidit dhe dhunës së kryer përmes teknologjisë, fuqizimin e mekanizmave për mbrojtjen dhe trajtimin e rasteve të dhunës, si dhe sigurimin e buxhetit të mjaftueshëm për punëtorët socialë dhe për shërbimet e specializuara për mbrojtjen dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore.

Sipas njoftimit, në takim është theksuar edhe rëndësia e mbështetjes për organizatat e të drejtave të grave dhe përfshirjes së tyre në proceset vendimmarrëse.

Ditë më parë, RRGK-ja u ka dërguar letra 120 deputetëve dhe kryeministrit e ministrave me rekomandimet, që ka thënë se janë të bazuara në hulumtime e ekspertizë.

Në letër janë këto gjashtë rekomandime:

  1. Kriminalizimi me kohë i femicidit dhe të themelohet Mekanizmi i Vëzhgimit të Femicidit (Femicide Watch).
  2. Të forcohet edukimi si mjet për parandalimin e dhunës.
  3. Të forcohen Qendrat për Punë Sociale dhe të garantohet numër i mjaftueshëm i punonjësve dhe burime të nevojshme.
  4. Të sigurohet financim i mjaftueshëm dhe i qëndrueshëm për strehimoret dhe shërbimet e tjera përmes buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.
  5. Të sigurohet llogaridhënie institucionale efektive dhe përcjellje e veprimeve.
  6. Të sigurohet mbrojtje dhe mbështetje e koordinuar, me viktimën/të mbijetuarën në qendër.