Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shiroka-Pula siguron kryetarët e komunave se do t’i mbështesë brenda kompetencave të saj

Justina Shiroka-Pula

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, i ka siguruar kryetarët e komunave se do t’i mbështesë brenda kompetencave të saj, pas një takimi që ka zhvilluar me ta të premten.

Gjatë takimit, sipas njoftimit të Presidencës, Shiroka-Pula është njoftuar nga afër me punën e komunave, si dhe ka dëgjuar për arritjet, problemet dhe sfidat me të cilat përballen ato. 

“Kryetarët e komunave e kanë uruar presidenten për marrjen e detyrës dhe i kanë shprehur mbështetjen e tyre”, thuhet në njoftim. 

Ajo ka theksuar se pushteti lokal është niveli më i afërt i qeverisjes me qytetarët, pasi komunat janë institucionet e para ku ata kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre.

Shiroka-Pula është zotuar se në takimet me përfaqësues të shteteve të tjera, institucione ndërkombëtare dhe partnerë zhvillimorë, do ta prezantojë potencialin e komunave të Kosovës dhe do të angazhohet për tërheqjen e investimeve të huaja dhe sigurimin e mundësive të reja për financimin e projekteve nga donatorët ndërkombëtarë.