Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Ndërpritet seanca fillestare për rastin e dytë për sulmin në Banjskë

Rasti Banjska

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ndërprerë seanca fillestare ndaj Stefan Radulloviqit, i akuzuar për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë. Arsyeja e ndërprerjes ishte kërkesa e mbrojtjes së të pandehurit që provat të dorëzohen në formë të shtypur e jo elektronike

Është ndërprerë të enjten seanca fillestare ndaj Stefan Radulloviqit, i akuzuar për përfshirje në sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Nebojsha Vllajiq, avokati i të pandehurit, tha se i kanë pranuar provat në formë elektronike, por kërkoi që ato t’u dorëzohen edhe në formë të shtypur.

“Ne i kemi pranuar në formë elektronike. Një pjesë është në tri CD. Sot nuk po ekzistojnë më kompjuterët të cilët kanë pjesën e CD-së dhe nuk mund t’i hap ato. Kemi pranuar një pjesë të dokumenteve në një hardisk kontestues. Për mua është në rregull, por i pandehuri nuk mund ta shfrytëzojë këtë dhe ai duhet t’i ketë të shtypura”, ka thënë avokati Vllajiq.

Prokurori Special, Naim Abazi, tha se në CD dhe hardisk ka video-incizime, të cilat nuk ka formë tjetër se si mund të dorëzohen, për çka ofroi mbështetjen teknike të Prokurorisë.

E për shkresat u shpreh se do t’i dorëzojnë në formë të shtypur brenda pesë ditësh.

“Ne do të bëjmë përpjekje që këto shkresa t’i përcjellim nëpërmjet rrugëve zyrtare te Qendra e Paraburgimit ku tani gjendet i akuzuari”, ka thënë prokurori Abazi.

Pas kësaj, gjyqtari i rastit, Lutfi Shala, e ndërpreu seancën.

Sipas Prokurorisë, Stefan Radulloviq akuzohet se mori pjesë në sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023 ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Po ashtu u plagos polici Alban Rashiti dhe u lënduan tre zyrtarë të tjerë policorë.

Në një gjykim tjetër për këtë rast, më 24 prill të këtij viti, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Blagoje Spasojeviq me 30 vjet burgim.