Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haddad: Do të punojmë me autoritetet e reja serbe pët dialogun me Kosovën

Benjamin Haddad

I deleguari për Evropën i Republikës së Francës, Benjamin Haddad, ka deklaruar se vendi i tij do të vazhdojë të punojë me autoritetet e reja serbe për dialogun me Kosovën, me synimin për të promovuar paqen, pajtimin dhe stabilitetin në rajon.

Në një deklaratë dhënë KOHËS, Haddad ka theksuar se mbështetja e Francës për rrugën evropiane të Serbisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor mbetet e pandryshuar, duke e cilësuar zgjerimin e Bashkimit Evropian si ribashkim të kontinentit evropian.

“Do të punojmë me autoritetet serbe edhe në dialogun rajonal dhe dialogun me Kosovën, siç kemi bërë gjithmonë, pikërisht për të promovuar paqen, pajtimin dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë ai.

Haddad shtoi se zgjerimi i BE-së është në interes gjeopolitik të Francës dhe Bashkimit Evropian, pasi sipas tij, ai përbën garanci për stabilitet dhe prosperitet, veçanërisht në kohën e konkurrencës gjeopolitike.

Duke folur për zhvillimet e brendshme në Serbi, ai vlerësoi mobilizimin paqësor të studentëve gjatë dy viteve të fundit, si dhe atë që e quajti sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e fundit.

“Populli francez është impresionuar dhe frymëzuar shumë nga mobilizimi paqësor i studentëve gjatë dy viteve të fundit dhe nga suksesi i jashtëzakonshëm në zgjedhjet e fundit”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, Haddad rikujtoi lidhjet historike dhe kulturore mes Francës dhe Serbisë, duke theksuar se presidenti Emmanuel Macron e ka bërë marrëdhënien me Serbinë prioritet dhe se ky shtet tashmë është partner strategjik i Francës.