Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Penelope Cruz rikthehet me një film për dhunën në familje

Penelope Cruz

Aktorja spanjolle Penelope Cruz do të luajë dhe do të jetë producente e filmit të ri “Patricia”, një dramë e Netflixit që trajton dhunën në familje dhe vështirësitë me të cilat përballen gratë kur kërkojnë drejtësi, ka shkruar FemaleFirst.

Filmi, me regji dhe skenar të Juan Diego Bottos, rrëfen historinë e Patricias, një gruaje që arrin të largohet nga një marrëdhënie abuzive pas 12 vjetësh, por përballet me një tjetër betejë në gjykatë për të mbrojtur fëmijët e saj.

Përmes kësaj historie, filmi trajton pasojat e dhunës në familje dhe vështirësitë që hasin gratë edhe pasi arrijnë të largohen nga partnerët abuzues.

Cruz, e cila ka punuar për më shumë se dy vjet për zhvillimin e këtij projekti, e cilësoi filmin si një histori të rëndësishme që përfaqëson përvojat e shumë grave.

“Është një histori shumë e nevojshme dhe një privilegj i madh për mua të interpretoj këtë personazh. Patricia përfaqëson shumë gra të tjera që, ashtu si ajo, përjetojnë këtë lloj dhune çdo ditë”, u shpreh aktorja.

Edhe regjisori Botto ka treguar se përgatitja e filmit përfshiu një proces të gjatë kërkimi dhe intervista me gra që ndanë përvojat e tyre personale.

“Pas dy vitesh shkrimi dhe një procesi të gjatë kërkimor, që përfshiu orë të tëra bisedash me gra që na besuan historitë e tyre, është privilegj të tregoj këtë histori me këtë kast dhe ekip krijues”, ka thënë ai.

Në film do të luajnë gjithashtu Goya Toledo, Ramón Barea dhe Dylan Radley. Projekti shënon bashkëpunimin e parë të Cruz me divizionin spanjoll të Netflixit.

Ndërkohë, aktorja po kalon një periudhë të rëndësishme në karrierën e saj, pasi po përmendet si një nga emrat e mundshëm për garën e çmimeve “Oscar” 2027, falë roleve në tri projekte: “La Bola Negra”, “Bunker” dhe “The Invite”.

Filmi Patricia do të shfaqet fillimisht në kinema në Spanjë dhe më pas do të jetë në dispozicion në Netflix. Data e premierës ende nuk është bërë e ditur.