Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sejdiu: Nuk e konsideroj veten pjesë të procesit për zgjedhjen e presidentit

bekim sejdiu

Profesori Bekim Sejdiu ka deklaruar se nuk e konsideron më veten pjesë të procesit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, disa orë pasi kryeministri njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi mbështetjen e gjysmës së deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ta zgjedhur Sejdiun president në këmbim të votimit të projektligjit për Spcialen në lexim të dytë. 

Sejdiu ka thënë se më 14 shtator kishte njoftuar tërheqjen e tij nga procesi i zgjedhjes së presidentit, pasi, sipas tij, nuk ishte arritur marrëveshja mes LDK-së dhe LVV-së, dy partitë që e kishin propozuar dhe mbështetur kandidaturën e tij.

Ai ka treguar se ditëve të fundit ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me krerët e LDK-së, duke theksuar se fillimisht ishte ftuar nga kjo parti në fillim të shtatorit, kur edhe i ishte ofruar posti i presidentit.

“Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj veten pjesë të procesit të zgjedhjes së Presidentit, për arsye të mosarritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend”, ka shkruar Sejdiu në rrjetet sociale.

Ai ka thënë se motivi i vetëm për të pranuar kandidaturën kishte qenë interesi i vendit dhe përpjekja për të ndihmuar në tejkalimin e krizës politike.

Sejdiu ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për besimin dhe komunikimin korrekt, ndërsa mirënjohje ka shprehur edhe për mbështetësit e tij nga skena politike dhe ajo akademike.

Në fund, ai ka shprehur shqetësimin për situatën politike në vend.

Edhe LIVE: Dita vendimtare për presidentin, tensione për Specialen Arbëri LIVE: Dita vendimtare për presidentin, tensione për Specialen

“Nuk mund të përmbyll këtë postim pa shprehur dhimbjen time personale për ankthin dhe zhgënjimin që po përjeton Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj. Le të jenë këto momente reflektimi për të gjithë, përtej inateve të ngushta dhe interesave personale”, ka shkruar Sejdiu.

Pas konferencës së Kurtit, në të cilën ai kërkoi mbështetjen e PDK-së për zgjedhjen e Sejdiut president, dhe deklarimit të këtij të fundit se i kishte njoftuar krerët e partive se nuk është më pjesë e garës, pati reaguar edhe ministri i Financave, Hekuran Murati. Murati ka shkruar se nëse kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, do të shprehej pro emrit të Sejdiut, atëherë Kurti dhe Abdixhiku, do ta bindnin Sejdiun që të mos lejonte që vendi të shkonte në zgjedhje. Ndërkohë, në konferencën e mbajtur pas deklarimit të Kurtit, Hamza ka thënë se qëndrimi i PDK-së nuk ka ndryshuar, duke theksuar se Sejdiu është emër i marrëveshjes mes LDK-së dhe LVV-së dhe jo një kandidat i dakorduar me PDK-në.

Kosova do të shkojë në zgjedhje brenda 45-ditësh nëse deri në orën 00:00 nuk e zgjedh presidentin e ri. 

Lexo përditësimet tjera
LIVE: Dita vendimtare për presidentin, tensione për Specialen

LIVE: Dita vendimtare për presidentin, tensione për Specialen