Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Salihu: Kurti me deklaratën për komunat synoi të krijojë polarizim

Bekim Salihu nga Instituti GAP ka thënë se deklarimi i kryeministrit Albin Kurti në Kuvend, se “më mirë jetojnë qytetarët e Republikës sesa të komunave”, ishte i qëllimshëm dhe kishte për synim të nxiste polarizim në opinion.

Salihu ka thënë se deklarata e Kurtit e kishte shtyrë të reagojë, pasi, sipas tij, është paradoksale të bëhet një dallim i tillë mes qytetarëve të Republikës dhe atyre të komunave.

“Dje Kurti në Kuvend u shpreh ‘më mirë jetojnë qytetarët e Republikës sesa të komunave’. Kjo ishte ajo pika ku u revoltova dhe mora iniciativën që të bëja një shkrim (që u botua në Koha.net) të pasqyrimit nga perspektiva ime, për të dokumentuar se një qëndrim i tillë, më e pakta që mund të thuhet, është paradoksal”, ka thënë Salihu në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai u shpreh se nuk e beson se deklarata e Kurtit ishte e pamenduar, duke qenë se, sipas tij, kryeministri është pjesë e një elite politike që e di se çfarë thotë.

“Kurti ka dashur të krijojë një polarizim dhe ia ka arritur. Por pse ka dashur polarizim? Nuk e kam të qartë. Ka dashur polarizim për të larguar vëmendjen nga ndonjë temë, qoftë ajo e buxhetit, energjisë, ekonomisë e temave të tjera. Qëllimi prapa kësaj është krijimi i një polarizimi në opinion”, deklaroi Salihu.

Edhe Opinion Unë qytetar i Republikës, i komunës apo i dorës së dytë?

Sipas tij, Kurti e di se në Kosovë nuk ka “dy lloj qytetarësh”.

“Kurti e di që nuk i ka dy lloj qytetarësh, por i ka dy nivele të pushtetit që i shërbejnë të njëjtit qytetar”, shtoi ai.

Salihu theksoi se nuk ekziston një mënyrë teknike për të përcaktuar se cili nivel i pushtetit ndikon më shumë apo më mirë te qytetarët, duke e cilësuar deklaratën e Kurtit si “retorikë politike të panevojshme”.

Ai kritikoi gjithashtu Kurtin për mënyrën se si, sipas tij, i ka adresuar kritikat gjatë viteve të qeverisjes.

“Nuk kam dëgjuar në këto gjashtë vjet qeverisje që Kurti t’i kritikojë dikasteret e veta. Kritikat i ka drejtuar qoftë në sistemin e drejtësisë apo pushtetin lokal – pikërisht aty ku nuk e ka pushtetin”, vijoi Salihu.

Edhe Salihu: Shumica e problemeve të komunave janë prodhuar nga vendimet e Qeverisë Arbëri Salihu: Shumica e problemeve të komunave janë prodhuar nga vendimet e Qeverisë

Sipas tij, një qasje e tillë mund të ketë kuptim në aspektin politik, por jo në atë etik.

“Nëse e shikojmë në pikëpamjen politike, ndoshta kështu aplikohet, por nëse e shohim në pikëpamje etike kjo nuk qëndron”, përfundoi ai.