Bekim Salihu nga Instituti GAP ka deklaruar se shumica e problemeve me të cilat përballen komunat janë prodhuar nga vendimet dhe ligjet e Qeverisë.
Sipas tij, kontratat kolektive janë ndër shkaktarët e gjendjes së rënduar të nivelit local, për të cilat ky nivel nuk është konsultuar e as informuar fare.
“Shumica dërmuese e problemeve me të cilat përballen komunat nuk janë prodhuar nga vetë komunat, janë prodhuar nga vendimet, ligjet e nivelit qendror, përkatësisht Qeverisë së Kosovës. Për të qenë të sinqertë dhe konkretë, pjesa dërmuese e këtyre vendimeve dhe ligjeve nuk janë nxjerrë nga Qeveria Kurti, por nga ato paraprake. Komunat veçmas janë rënduar nga kontratat kolektive në fushën e arsimit dhe atë të shëndetësisë. Në të dyja këto kontrata janë prodhuar obligime për nivelin lokal pa u konsultuar e madje as pa u informuar niveli lokal, mirëpo obligimet iu kanë bartur nivelit lokal”, ka thënë ai të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.
Salihu ka thënë se ndonëse qeveria aktuale nuk mund të fajësohet për situatën në të cilën ndodhen komunat, ajo është përgjegjëse për mosdhënien e ndihmës që komunat të dalin nga kjo situatë.
“Qeveria Kurti nuk mund të fajësohet direkt për situatën në të cilën ndodhen komunat, por as nuk mund të amnistohet sa i përket përgjegjësisë që t’iu ndihmojë komunave të dalin nga kjo situatë. Qeveria është përgjegjëse që t’u ndihmojë komunave, kësaj përgjegjësie nuk mund t’i ikë qeveria e që realisht deri sot i ka ikur. Nuk ka treguar vullnet, gatishmëri ose iniciativë konkrete që do t’i ndihmonte komunat në sfidat me të cilat po ballafaqohen. Për rrjedhojë komunat edhe mund të ndihen të anashkaluara, por edhe të arsyeshme në ngritjen e zërit që të ketë një gatishmëri më të madhe për t’i ndihmuar ato”, ka thënë ai.
Salihu ka thënë se nevojitet të kuptohet serioziteti i gjendjes në të cilën gjendet pushteti lokal aktualisht.
Edhe
Vuçiq: Ura mbi Ibër ishte pjesë e dialogut, tani duan ta heqin
“Në momentin që ka vullnet politik, zgjidhjet janë të mundshme”, ka theksuar ai.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me disa kryetarë të tjerë të komunave, ka paralajmëruar protestë para Qeverisë në muajin shtator.
Rama ka akuzuar Qeverinë për bllokim të mjeteve dhe pengim të projekteve komunale, duke pretenduar se komunat që nuk udhëhiqen nga Vetëvendosje po përballen me presion financiar dhe politik.