Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kryetarë të komunave protestojnë ndaj Qeverisë: Po na falimentoni

Agim Aliu, kryetar i Asociacionit të Komunave,

Agim Aliu, kryetar i Asociacionit të Komunave, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka përkeqësuar gjendjen financiare të komunave.

Në protestën e kryetarëve të komunave, pa mbështetjen e disave që vijnë nga radhët e Vetëvendosjes, Aliu ka thënë se mesazhi i protestës është: “Mos ua merrni komunave, atë që iu takon qytetarëve”.

Aliu e ka akuzuar Qeverinë Kurti për “qasje selektive, jombështetëse e diskriminuese për komunat”.

Në fjalim ai ka kërkuar që Qeveria të marrë përsipër pagesën e kontratës kolektive, por edhe të normës prej 0.5 për qind për përvojën për punëtorët publikë, sipas Ligjit për paga.

“Kur dëmtohet buxheti, dëmtohen qytetarët. Kontratat kolektive janë negociuar në nivelin qendror pa pjesëmarrjen e komunave dhe faturat u janë bartur komunave. Nga viti 2022 deri më 2026, qindra miliona euro u janë marrë komunave. Do të ndërtoheshin shkolla, çerdhe, kanalizime, qendra sportive e të tjera. Do të mbështeteshin fermerë, bujq e familje në nevojë... Kompensoni komunat për mjetet e marra dhe t’i marrë përsipër financimin e obligimeve që burojnë nga vendimet dhe marrëveshjet e nivelit qendror”, ka thënë Aliu, teksa kur për normën prej 0.5 për qind për përvojë pune, ka kërkuar që “kostoja të mbulohet nga niveli i buxhetit qendror”.

“Të mos përsëritet skenari i kontratës kolektive. Kjo do të ishte falimentim dhe mbyllje e dyerve të komunave për shërbime të qytetarëve. S’mund të merrni vendime në nivel qendror e përgjegjësia financiare t’u bartet komunave pa asnjë konsultim dhe pa asnjë buxhet shtesë”, ka thënë ai.

Lexo përditësimet tjera
Asociacioni i Komunave - Agim Aliu

Protestojnë kryetarët e komunave