Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Asociacioni i komunave me shtatë kërkesa për Qeverinë, anëtarët nga VV-ja s’dalin në protestë

Protestojnë kryetarët e komunave

Foto: Driton Paçarada

Shtatë kërkesat e Asociacionit të Komunave për Qeverinë

1 muaj më parë / 1 sht 2026 12:13
Kryetarët e komunave

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka prezantuar shtatë kërkesat e këtij asociacioni për Qeverinë, duke thënë se këto kërkesa nuk janë personale të kryetarëve të komunave por përfaqësojnë interesat e komunave dhe të qytetarëve të tyre.

“Komuna nuk po kërkojnë privilegje, ato kërkojnë atë që u takon me Kushtetutë dhe me legjislacionin në fuqi buxhetin, pronën, kompetencat dhe trajtimin e barabartë institucional. Nuk mund të vazhdojnë praktikat që niveli qendror merr vendime dhe krijon obligime, ndërsa komunave ua dërgon faturën. Nuk mund të kërkohet nga komunat të ofrojnë më shumë shërbime ndërkohë që u merren mjetet, u zvogëlohet financimi dhe u cenohen kompetencat”, ka thënë Ibrahimi në protestën e mbajtur të martën. 

Ndër kërkesat e AKK-së për Qeverinë janë që t’i kompensojë obligimet financiare që burojnë nga kontrata kolektive. 

“Komunat nuk mund të paguajnë për obligime që nuk i kanë krijuar vetë”, ka thënë ai.

Një tjetër kërkesë është që “kompensimi retroaktiv për normën e përvojës së punës prej 0.5 për qind nga marsi i vitit 2023, si dhe për vitet 2024 e 2025 të mbulohen nga buxheti qendror dhe jo nga buxheti i komunave”.

“Kërkojmë rishikimin e kritereve të grantit specifik për arsim. Mbi 3,100 mësimdhënës kanë mbetur pa financim duke u krijuar komunave barrë shtesë vetëm këtë vit mbi 24 milionë euro.  Kërkojmë ndërprerjen e centralizimit dhe cenimit të kompetencave komunale, përfshirë pronën komunale, procedurat e rekrutimit dhe kompetencat tjera vetanake. Kërkojmë përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare të BE-së dhe për zvogëlimin e mjeteve të grantit të performancës komunale. Kërkojmë kompenzimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë tjera natyrore që nga viti 2022. Kërkojmë krijimin e grantit të katërt për investime kapitale m kritere të qarta ligjore dhe transparente”, ka thënë më tej Ibrahimi. 

Ai më tej ka kërkuar nga Qeveria që t’i trajtojë me seriozitet dhe të hapë dialogun për zbatimin e tyre.

Që prej 2014-s, janë nënshkruar tri kontrata kolektive mes Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës. E fundit kontratë u nënshkrua më 2021, por u ndërpre nga Ministria e Arsimit një vit më pas. Për shkak të mosrespektimit të tyre, mësimdhënësit u janë drejtuar gjykatave. Shumë lëndë janë mbyllur në favor të tyre. Komunat pastaj janë detyruar t’i kryejnë pagesat. 

Kontratat parashohin përfitime financiare si shujtat për ushqim, shpenzimet e udhëtimit e paga shtesë pas pensionimit. 

Kryetarët e komunave dorëzojnë kërkesat në Qeveri

1 muaj më parë / 1 sht 2026 12:01
komuna

Kryetarët e komunave të cilët kanë qenë pjesë e protestës së bashku me kryetarin e Asociacionit të Komunave, kanë dorëzuar në Qeveri dorëzuar kërkesat e komunave të cilat u paraqiten në protestë.

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë kanë dorëzuar në Qeveri kërkesat e komunave të cilat u paraqiten në protestë.

Ai ka thënë se me kryeministrin Albin Kurtin janë takuar para dy vjetëve, duke shtuar se kanë bërë disa kërkesa.

Sipas tij, për shkak të mosgatishmërisë së tij për t’u takuar më tutje, protesta e sotme u është imponuar.

Ka paralajmëruar edhe aktivitete tjera, pas kësaj proteste. 

Rama: S’lejojmë që dikush me agjendë të dyshimtë si Kurti, ta shkatërrojë Kosovën

1 muaj më parë / 1 sht 2026 11:44
Përparim Rama, kryetar i Prishtinës

Photo: Driton Paçarada

Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, e ka quajtur “për marre” gjendjen në të cilën sipas tij Qeveria Kurti i ka sjellë komunat e Kosovës. Ai madje ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për “agjendë të dyshimtë”. 

Në protestën e kryetarëve të komunave për çështjen e rëndesës buxhetore si pasojë e kontratave kolektive dhe 0.5 përqindëshit për përvojën e punës, sipas Ligjit për Paga, Rama ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti “po detyron kryetarët t’i mbrojnë komunat nga Qeveria.

“Sot është 1 shtatori. Në vitet e 90-ta kur Serbia na i mbylli shkollat, ne e nisëm mësimin nëpër shtëpi. Kishim ditarë, krijuam sistem sepse edhe atëherë nën okupim e dinim se shteti ndërtohet duke i mbajtur institucionet gjallë. Në Kosovë sot, nxënësit po e fillojnë vitin shkollor pa ditar. Sot pas gjithë sakrificës për ta ndërtuar këtë shtet, problemi ynë nuk është se nuk kemi institucione. Problemi është se Albin Kurti po i përdor institucionet për të bllokuar dhe ndëshkuar qytetarin. Shikojeni se çka po ndodh... Aty ku Vetëvendosja nuk fiton, Qeveria po e bllokon buxhetin dhe investimet. Po bllokohen të hyrat vetanake. Po merren nga buxhetet vetanake mjetet për kontrata të cilat komunat as që i kanë vetë... s’ishin pjesë e procesit vendimmarrës. Po e paguani ju qytetarë këtë. Pas gjithë kësaj sakrifice të popullit, pas luftës pas njerëzve që dhanë jetën, pas punës së brezave për të krijuar institucionet, sot jemi në një pikë që duhet t’i mbrojmë komunat nga njerëzit që iu udhëheqin këto institucione. Katastrofale kjo. Duhet t’i mbrojmë komunat nga qeveria jonë. Çfarë marre”, ka thënë Rama në fjalimin e tij.

Ai më pas ka komentuar disa figura të Vetëvendosjes e që sot janë ministra.

“Çfarë paradoksi. Shikojeni kush po i udhëheq këto institucione. Po i udhëheqin njerëzit që dikur i kanë djegë, i kanë sulmuar me zolla e gaz lotsjellës pikërisht këto institucione. Fatkeqësia edhe më e madhe është që sot ministri përgjegjës për sigurinë gjykohet për cenim të sigurisë, ai që sot udhëheq policinë dikur ka sulmuar policinë tonë... Ministri që duhet të përfaqësojë diplomacinë e Kosovës sot akuzohet për sulm ndaj institucioneve që vetë i përfaqëson.  Fatkeqësia tjetër është se presidentja që duhet të jetë shembulli më i lartë i respektit dhe integritetit është akuzuar publikisht se ka kontrabanduar gaz lotsjellës brenda këtyre institucioneve. Për më tepër për ta udhëhequr Kuvendin, për të cilin në këtë shesh është derdhur gjak, duke e kërkuar pikërisht këtë Kuvend të kësaj republike, Kurti e solli në krye të Kuvendit një njeri që UCK-në e ka quajtur organizatë kriminale. A po e kuptoni çka po ndodh o njerëz. A po e kuptoni agjendën? Këtu zhvlerësohet çdo periudhë, çdo institucion, çdo hero, çdo familje dhe njeri që ka kontribuar për lirinë dhe shtetin”, ka thënë Rama.

Në fund Rama ka thënë se “Kosova nuk është e një mashtruesi si Albin Kurti” teksa ka përfunduar fjalimin me thirrjet “poshtë diktatura”.

“S’do të lejojmë që ta shkatërrojë këtë shtet, dikush me agjendë të dyshimtë si Albin Kurti”, ka thënë Rama.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se komuna që ai drejton është përballur drejtpërdrejtë me vërshimet. Ai ka thënë se komuna është adresa e parë e qytetarëve, porse ajo nuk mund t’i kompensojë për dëme dhe se kjo është në duar të Qeverisë. Ai ka thënë se shumë qytetarë e komuna nuk janë kompensuar nga niveli qendror.

Ka shtuar se kjo pritje është e padrejtë.

“Kërkojmë që raportet e dërguara nga komunat të trajtohen menjëherë nga Qeveria. Solidariteti i shtetit nuk dëshmohet me vizita në terren por me përkrahje”, ka thënë ai.

Ka thënë se kërkojnë gjithashtu përgjegjësi institucionale për humbjen e miliona eurove për mbështetjen e performancës dhe zhvillimit të komunave.

Një problem tjetër ka thënë ai është mënyra e ndarjes së mjeteve për investime kapitale.

Ka shtuar se qytetari nuk duhet të dënohet për mënyrën se si ka votuar, duke akuzuar Qeverinë se buxhetin e ka orientuar nga komunat ku qeveris vetë.

Kryetarë të komunave protestojnë ndaj Qeverisë: Po na falimentoni

1 muaj më parë / 1 sht 2026 11:28
Agim Aliu, kryetar i Asociacionit të Komunave,

Photo: Driton Paçarada

Agim Aliu, kryetar i Asociacionit të Komunave, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka përkeqësuar gjendjen financiare të komunave.

Në protestën e kryetarëve të komunave, pa mbështetjen e disave që vijnë nga radhët e Vetëvendosjes, Aliu ka thënë se mesazhi i protestës është: “Mos ua merrni komunave, atë që iu takon qytetarëve”.

Aliu e ka akuzuar Qeverinë Kurti për “qasje selektive, jombështetëse e diskriminuese për komunat”.

Në fjalim ai ka kërkuar që Qeveria të marrë përsipër pagesën e kontratës kolektive, por edhe të normës prej 0.5 për qind për përvojën për punëtorët publikë, sipas Ligjit për paga.

“Kur dëmtohet buxheti, dëmtohen qytetarët. Kontratat kolektive janë negociuar në nivelin qendror pa pjesëmarrjen e komunave dhe faturat u janë bartur komunave. Nga viti 2022 deri më 2026, qindra miliona euro u janë marrë komunave. Do të ndërtoheshin shkolla, çerdhe, kanalizime, qendra sportive e të tjera. Do të mbështeteshin fermerë, bujq e familje në nevojë... Kompensoni komunat për mjetet e marra dhe t’i marrë përsipër financimin e obligimeve që burojnë nga vendimet dhe marrëveshjet e nivelit qendror”, ka thënë Aliu, teksa kur për normën prej 0.5 për qind për përvojë pune, ka kërkuar që “kostoja të mbulohet nga niveli i buxhetit qendror”.

VIDEO:

“Të mos përsëritet skenari i kontratës kolektive. Kjo do të ishte falimentim dhe mbyllje e dyerve të komunave për shërbime të qytetarëve. S’mund të merrni vendime në nivel qendror e përgjegjësia financiare t’u bartet komunave pa asnjë konsultim dhe pa asnjë buxhet shtesë”, ka thënë ai.

Protestës i janë bashkuar edhe deputetët e Partisë Demokratike dhe të Aleancës, që protestuan në Kuvend për mokonstituimin.

Kërkesat kryesore të Asociacionit të Komunave të Kosovës janë mbrojtja e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale, kompensimi i obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive, zbatimi i normës së përvojës së punës prej 0.5 për qind nga buxheti i nivelit qendror, kompensimin e dëmeve nga vërshimet, financim të drejtë për komunat dhe ndalimin e, siç është thënë, ndërhyrjeve të nivelin qendror në autonominë lokale.

Kryekomunarët nga VV-ja kundër protestës ndaj Qeverisë

1 muaj më parë / 1 sht 2026 10:06
asociacioni

Protesta e paralajmëruar e Asociacionit të Komunave të Kosovës është kritikuar nga kryetarët e komunave që vijnë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në reagime në Facebook, kundër protestës kanë dalë kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ai i Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe ai i Gjilanit, Alban Hyseni. Të tre kanë fajësuar ish-qeverisjet për çështjen e kontratave kolektive që po u kushton miliona komunave.

Në një shkrim në Facebook, Peci ka thënë se protesta “e sotme e disa kryetarëve të komunave nuk e ka hallin e qytetarit, por agjendën e pazarit”. Peci ka thënë se nisma ka agjendë politike dhe se për milionat për të cilët po protestohet janë obligime të ish-qeverisë PAN dhe jo të asaj Kurti.

“Jam kundër protestës së nxitur me agjendë politike. Komunikimi ndërinstitucional duhet të zgjidhet përmes dialogut. Kjo nismë që synon të krijohet si praktikë, ku disa kryetarë komunash paralajmëruan të marrin pjesë në një protestë kundër Qeverisë, ka agjendë tërësisht politike dhe nuk e avancon ngritjen e shërbimit ndaj qytetarit. Qindra milionat euro e barrës financiare të komunave nuk janë obligime të Qeverisë së Albin Kurtit, por janë obligime të qeverisë PAN”, ka shkruar Peci tutje.
Ndërkaq, Hyseni ka thënë se “Asociacioni i Komunave të Kosovës duhet të jetë zëri i të gjitha 38 komunave, jo një mekanizëm për përplasje politike me Qeverinë”.

Edhe Hyseni ka thënë se për kontrata kolektive pasojat janë nga nënshkrimet e ish-qeverive.
“Faktet flasin qartë: nga 546 milionë euro buxhet për komunat në vitin 2021, në vitin 2027 ky buxhet pritet të arrijë në 907 milionë euro. Pra, një rritje prej rreth 66%. Mjetet për komunat nuk janë zhdukur dhe as nuk janë “marrë” nga Qeveria, siç pretendohet nga Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit, Sazan Ibrahimi. Ato kthehen sërish te komunat përmes projekteve dhe investimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Nëse flasim për dëmet financiare të komunave, atëherë duhet të flasim edhe për pasojat e kontratës kolektive të nënshkruar gjatë qeverive Mustafa dhe Haradinaj. Për këtë, zëri i Asociacionit ka munguar. Nëse Asociacioni është zëri i komunave, atëherë duhet të jetë zëri i të gjitha komunave. Jo zë selektiv. Jo presion politik. Jo protesta të instrumentalizuara. Komunat kanë nevojë për bashkëpunim institucional, jo për përplasje politike. Kosova ka nevojë për punë, investime dhe rezultate”, ka shkruar Hyseni.

Ndërkaq Bulliqi ka thënë se “Kosova ka nevojë për punë, bashkëpunim dhe zhvillim, jo për protesta pa kauzë”. “Interesat e komunave nuk mbrohen me dezinformim, alarm të rremë apo thirrje për protestë puro politike”, ka shkruar Bulliqi.

Asociacioni i Komunave të Kosovës do të protestojë sot me fillim prej orës 11 para ndërtesës së Qeverisë. Ky Asociacion ka bërë të ditur se përmes protestës do të kërkohet mbrojtja e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale, kompensimi i obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive, zbatimi i normës së përvojës së punës prej 0.5 për qind nga buxheti i nivelit qendror, kompensimin e dëmeve nga vërshimet, financim të drejtë për komunat dhe ndalimin e, siç është thënë, ndërhyrjeve të nivelin qendror në autonominë lokale.