Ose si është e mundur të ndahen qytetarët e Republikës nga qytetarët e komunave?
Deklarata e kryeministrit Albin Kurti se qytetarët e Republikës jetojnë më mirë sesa qytetarët e komunave ngre një pyetje më të rëndësishme sesa vetë krahasimi: si është e mundur të ndahen qytetarët e Republikës nga qytetarët e komunave? Ata janë të njëjtët njerëz. Janë të njëjtat familje që paguajnë taksa, i dërgojnë fëmijët në shkollë, kërkojnë shërbime shëndetësore, përdorin rrugët dhe presin që institucionet t’u përgjigjen nevojave të tyre. Një qytetar nuk pushon së qeni qytetar i Republikës kur hyn në komunë, as nuk bëhet qytetar tjetër kur përfiton nga një politikë e Qeverisë.
Prandaj, edhe problemet e tij nuk mund të ndahen sipas nevojave të debatit politik. Një shkollë që ka nevojë për renovim, një ambulancë pa kushte të mjaftueshme, një rrugë e dëmtuar apo një lagje pa infrastrukturë të përshtatshme nuk janë probleme të ndonjë kategorie të veçantë të qytetarëve. Janë probleme të qytetarëve të Kosovës dhe, si të tilla, kërkojnë përgjigje nga institucionet e shtetit, secili sipas kompetencave dhe përgjegjësive që ka.
Kjo nuk do të thotë se të gjitha përgjegjësitë janë të njëjta. Përkundrazi, dallimi ndërmjet përgjegjësive të Qeverisë dhe atyre të komunave duhet të jetë i qartë, pikërisht që qytetari ta dijë kujt t’i kërkojë llogari. Por ndarja e kompetencave ndërmjet dy niveleve të qeverisjes nuk është ndarje e qytetarëve ndërmjet tyre.
Kush ka bërë më shumë?
Në thelb, deklarata e kryeministrit duket se synon të krijojë përshtypjen se Qeveria ka bërë më shumë për qytetarët sesa komunat. Mirëpo një përfundim i tillë nuk mund të nxirret pa përcaktuar më parë se çfarë po matet, me cilët tregues dhe mbi çfarë baze krahasohen dy nivele të qeverisjes që kanë kompetenca dhe burime të ndryshme. Si matet kontributi i një politike qendrore ndaj një familjeje krahasuar me kontributin e shkollës, ambulancës, rrugës apo shërbimit komunal që ajo familje përdor çdo ditë? Si përcaktohet nëse mirëqenia e një qytetari është përmirësuar më shumë nga një vendim i Qeverisë apo nga një investim i komunës? Dhe si mund të bëhet një krahasim i drejtë pa marrë parasysh përgjegjësitë dhe mundësitë financiare të secilit nivel?
Këto janë pyetje që nuk marrin përgjigje me një deklaratë politike. Përgjigjja kërkon të dhëna, tregues të qartë dhe një metodologji profesionale. Pa to, pohimi se njëri nivel ka bërë më shumë se tjetri mbetet pretendim, jo vlerësim.
Madje, edhe sikur një krahasim i tillë të tregonte se Qeveria ka shpenzuar apo investuar më shumë, kjo nuk do të ishte befasi. Qeveria ka kompetenca ligjore dhe fuqi buxhetore dukshëm më të mëdha sesa komunat. Ajo përcakton politika në nivel vendi dhe ka në dispozicion instrumente që një komunë nuk i ka. Nuk mund ta shpallësh njërin nivel më të suksesshëm vetëm sepse ka pasur më shumë mundësi të veprojë. Një vlerësim i drejtë duhet të shikojë çfarë është arritur në raport me kompetencat, burimet dhe nevojat që ka secili.
Qytetari e përjeton shtetin edhe në komunë
Për shumë qytetarë, shteti nuk përjetohet kryesisht përmes konferencave për media apo shifrave të përgjithshme të buxhetit. Ai përjetohet përmes shërbimeve që marrin në vendin ku jetojnë.
Një prind e sheh funksionimin e institucioneve te kushtet në shkollën ku mëson fëmija i tij. Një i moshuar e sheh te qasja në kujdesin parësor shëndetësor. Një banor e sheh te rruga e lagjes, ndriçimi publik apo hapësirat e përbashkëta. Për këta qytetarë, rëndësi ka nëse shërbimi është i qasshëm dhe cilësor, jo nëse merita politike i atribuohet komunës apo Qeverisë.
Kur një ambulancë ka nevojë për pajisje, qytetarit nuk i zgjidhet problemi nëse niveli qendror dhe ai lokal ia hedhin përgjegjësinë njëri-tjetrit. Kur një shkollë ka nevojë për investime, nxënësve nuk u ndihmon një debat se kush ka bërë më shumë në përgjithësi. Ata kanë nevojë për institucione që e dinë çfarë duhet bërë, kush është përgjegjës dhe si do të sigurohen mjetet. Pikërisht për këtë arsye, marrëdhënia mes Qeverisë dhe komunave duhet të ndërtohet mbi bashkëpunim dhe llogaridhënie, jo mbi konkurrencë për pronësinë politike mbi qytetarët.
Çfarë tregon projektbuxheti për vitin 2027?
Debati për rolin e komunave bëhet edhe më i rëndësishëm kur shihet projektbuxheti për vitin 2027.
Për komunat janë planifikuar 908 milionë euro. Kjo është një shumë më e lartë nominale, por vlerësimi i saj nuk mund të ndalet te numri total. Pjesëmarrja e komunave në buxhetin e përgjithshëm të shtetit bie nga 21.7% në vitin 2026 në 21.3% në vitin 2027.
Me fjalë të tjera, një buxhet më i madh në letër nuk do të thotë domosdoshmërisht më shumë shërbime apo investime për qytetarët. Nëse çmimet janë rritur, nëse një pjesë më e madhe e buxhetit nevojitet për shpenzime të detyrueshme dhe nëse mjetet për investime nuk rriten në përputhje me nevojat, fuqia reale e komunës për të bërë më shumë mund të jetë më e vogël.
Së pari, granti i performancës nuk është paraparë fare. Ky grant është i rëndësishëm sepse synon të nxisë performancë më të mirë komunale dhe të krijojë mundësi për investime shtesë. Ai nuk duhet të shihet thjesht si shpërblim për një administratë komunale. Në fund, përfitues të një qeverisjeje më të mirë dhe të investimeve që mbështeten prej saj janë qytetarët.
Sipas obligimit ligjor dhe përllogaritjes së paraqitur për vitin 2027, për këtë grant do të duhej të ndaheshin rreth 10 milionë euro. Mungesa e tij e bën të nevojshëm një sqarim publik: pse nuk është paraparë kjo ndarje ose a lidhet mosndarja me faktin se pritjet e qeverisë janë që performanca nuk është e mirë në komunat ku udhëheq partia e qeverisë, prandaj mos t’i shpërblejmë komunat e rrjedhimisht as qytetarët.
Së dyti, granti i përgjithshëm është planifikuar në nivelin 9.6%, ndonëse ligji kërkon që për këtë grant të ndahen 10% të të hyrave buxhetore në nivel vendi, pasi të zbriten të hyrat nga shitja e pasurive, të hyrat e jashtëzakonshme, të hyrat e dedikuara dhe të hyrat nga huamarrja.
Dallimi prej 0.4 pikësh përqindjeje mund të duket i vogël në një deklaratë publike, por sipas përllogaritjes së paraqitur përkthehet në rreth 15 milionë euro më pak për komunat. Për një komunë, mjete të tilla mund të nënkuptojnë hapësirë shtesë për mirëmbajtje, investime apo përmbushje të nevojave të tjera lokale.
Prandaj, Qeveria duhet ta bëjë publike llogaritjen e plotë të grantit: cilat të hyra janë përfshirë në bazë, cilat janë përjashtuar dhe si është arritur te shuma e propozuar. Pajtueshmëria me ligjin nuk duhet të mbetet çështje interpretimesh politike, por të dëshmohet me të dhëna të qarta.
Së treti, granti për arsim bie rreth 3%, ndërsa ai për shëndetësi rreth 2%. Këto nuk janë thjesht çështje administrative. Ato lidhen me shërbime që qytetarët i përdorin çdo ditë dhe për të cilat komunat mbajnë përgjegjësi të rëndësishme.
Pyetja nuk duhet të jetë vetëm sa para janë ndarë, por nëse ato para mjaftojnë për të mbuluar koston e standardeve minimale të shërbimeve që kërkohen me ligj. Nëse Qeveria vlerëson se ndarjet janë të mjaftueshme, atëherë duhet të publikojë përllogaritjet mbi të cilat mbështetet ky vlerësim.
Nuk është qeverisje e mirë t’u kërkosh komunave të ofrojnë shërbime sipas standardeve të caktuara pa treguar qartë se si financohet përmbushja e atyre standardeve. Nëse burimet nuk përputhen me përgjegjësitë, pasojat mund të shfaqen në cilësinë e shërbimit që merr qytetari.
Investimet kapitale dhe rritja që nuk ndihet
Një tjetër tregues i rëndësishëm është buxheti për investime kapitale për vitin 2027. Në nivel të të gjitha komunave, ai është rritur për më pak se 3 milionë euro krahasuar me vitin 2026. Duke marrë parasysh inflacionin, kjo llogaritet si rënie reale prej rreth 3%. Ndërkohë, pesha e investimeve kapitale në buxhetin total të komunave bie nga afro 28% në afro 27%.
Ky dallim mes rritjes nominale dhe asaj reale ka rëndësi jetike. Nëse një komunë ka pak më shumë para se vitin e kaluar, por çmimi i punëve dhe materialeve është rritur më shumë, ajo nuk mund të realizojë domosdoshmërisht më shumë projekte. Mund t’i duhet të zvogëlojë një projekt, ta shtyjë atë ose të heqë dorë nga një tjetër.
Pas këtyre shifrave mund të jenë një rrugë që pret të rregullohet, një objekt shkollor që ka nevojë për renovim apo një investim në infrastrukturë publike që shtyhet për më vonë. Jo çdo projekt i shtyrë mund t’i atribuohet vetëm mungesës së mjeteve: planifikimi dhe menaxhimi komunal kanë po ashtu rëndësi. Por as performanca e komunave nuk mund të vlerësohet drejt pa parë nëse ato kanë burime të mjaftueshme për përgjegjësitë që u janë caktuar.
Në këtë kuptim, projektbuxheti i vitit 2027 nuk paraqet një buxhet ekspansiv që mundëson rritje dhe fuqizim të investimeve komunale.
Fuqizimi i komunave nuk është privilegj për kryetarët
Të kërkosh financim të mjaftueshëm për komunat nuk do të thotë të kërkosh privilegje për kryetarët e tyre, pavarësisht përkatësisë politike. Do të thotë të kërkosh që institucionet më të afërta me qytetarët të kenë mundësi t’i kryejnë detyrat e tyre.
Kjo kërkesë nuk i përjashton komunat nga kritika. Ato duhet të japin llogari për mënyrën si i planifikojnë dhe si i shpenzojnë mjetet publike, për cilësinë e projekteve dhe për shërbimet që ofrojnë. Menaxhimi i dobët, mungesa e transparencës apo dështimet lokale nuk mund të arsyetohen automatikisht me veprimet e Qeverisë. Por e njëjta llogaridhënie vlen edhe për nivelin qendror. Qeveria duhet të tregojë nëse i ka respektuar obligimet ligjore për financimin e komunave, nëse grantet janë të mjaftueshme për standardet e kërkuara dhe nëse buxheti u jep komunave hapësirë reale për zhvillim.
Në vend të një gare retorike se kush ka bërë më shumë, qytetarëve u duhet një debat i ndershëm për atë që është bërë, atë që mungon dhe përgjegjësinë e secilit institucion. Një debat i tillë fillon duke e pranuar një fakt të thjeshtë: qytetarët e komunave janë qytetarët e Republikës.
Kur dobësohet aftësia e një komune për të ofruar shërbime apo për të investuar, pasoja nuk mbetet brenda një zyre komunale. Ajo ndihet në jetën e qytetarëve. Dhe kur përmirësohen shërbimet lokale, përfitimi nuk është vetëm i komunës. Është përfitim për Republikën. Kosova nuk ka dy lloje qytetarësh. Ka një shtet me dy nivele të qeverisjes, të cilat duhet t’u shërbejnë qytetarëve.
Autori i shkrimit është analist politikash në Institutin GAP dhe ekspert i qeverisjes lokale