Polonia ka dënuar atë që e cilësoi si “provokim” nga Rusia, pasi tri objekte ruse shkelën hapësirën e saj ajrore gjatë natës.
Ministri polak i Mbrojtjes tha të premten se bëhej fjalë për dy raketa dhe një dron, të cilat kishin hyrë në territorin polak, raporton Reuters.
Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, dronët kanë hyrë vazhdimisht në hapësirën ajrore të vendeve që ndodhen në krahun lindor të NATO-s.
Këto incidente kanë shtuar tensionet me aleancën ushtarake dhe kanë nxitur frikën se lufta mund të përhapet edhe në vende të tjera.
“Është shkelur hapësira ajrore e Polonisë dhe objekte nga Federata Ruse kanë hyrë në territorin tonë”, tha ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, në një konferencë për media.
Ai bëri të ditur se njëri prej objekteve ishte raketë e tipit Kh-101. Sipas tij, edhe objekti i dytë mund të ketë qenë raketë, ndërsa i treti dyshohet të ketë qenë një dron me motor reaktiv.
Këto incidente ndodhën në kohën kur Polonia po përgatitej që të premten të zhvillonte stërvitje ushtarake me vendet e koalicionit të të vullnetshmëve, një grup i përbërë nga aleatët e Ukrainës.
Kosiniak-Kamysz tha se koha e këtyre incidenteve nuk ishte e rastësishme, duke pasur parasysh se në stërvitje do të merrnin pjesë edhe ministrat e Mbrojtjes nga Franca, Britania dhe vendet baltike, si dhe tetë shefa të shtabeve të ushtrive, përfshirë përfaqësues të aleatëve kryesorë të Polonisë.
Ai theksoi se stërvitjet do të zhvillohen sipas planit dhe se Polonia do t’i kërkojë NATO-s mbështetje shtesë për sigurinë e krahut lindor të aleancës.
Edhe kryeministri polak, Donald Tusk, tha se nuk kishte dyshim që objektet që kishin rënë në territorin e vendit të tij ishin ruse.
“Duket se kemi të bëjmë me një provokim të qëllimshëm”, deklaroi ai.
Incidenti i fundit ndodh pasi vendet evropiane paralajmëruan se nuk do të pranojnë që të merret ndonjë vendim për paqen në Ukrainë pa përfshirjen e tyre. Ky reagim erdhi pas takimit të presidentit amerikan, Donald Trump, me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, ku Trump e cilësoi presidentin rus, Vladimir Putin, si “mik”.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Polonisë, Marcin Kierwinski, njoftoi se hetimet po zhvillohen në tri lokacione: Rudnik nad Sanem, Molodycz dhe Nowy Lipowiec.