Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se importet janë rritur në Kosovë, pasi sipas tij është rritur edhe fuqia blerëse.
“Është zgjeruar klasa e mesme në Kosovë. Ky zgjerim vjen nga disa faktorë, një nga ta është rritja e pagave, po ashtu rritja e punësimit, rritja e pensioneve, shtesat për nëna e fëmijë”, ka thënë Kurti në seancën e Kuvendit ku po debatohet për buxhetin.
Ai ka thënë se është trefishuar paga minimale e po ashtu është rritur paga në sektorin publik, por thotë se do të kishte dëshirë që pagat në sektorin privatë të ishin rritur më tepër. Kurti ka thënë se nga janari deri në tetor shpejtësia e eksporteve e rritjes së eksporteve ishte trefishë më e madhe se e importeve.
“E vërtetë se fatura e importit po vjen duke u rritur, por shumë më shpejt po rritet eksporti”, tha Kurti.
Sa i përket Brezovicës, ai ka thënë se deri para tre vjetëve ishte e pamundur të investohej, pasi e kontrollonte Inexi i Beogradit.
Edhe
Kurti për buxhetin e vitit 2027: Synon ta çojë Kosovën në fazë të re të transformimit ekonomik
Por, thotë se tash nuk është kjo pengesë dhe janë krijuar kushtet e vërteta.
Për investimet e huaja direkte Kurti ka thënë se janë dyfishuar në Kosovë, por thotë se problem është struktura ku po investohet.
“Edhe mëtutje investohet në patundshmëri, banesa e tokë. Por, tokë që jo doemos punohet.
E për migrim si brenda Kosovës ashtu edhe jashtë vendit, ai i ka cekur dy shkaqe kryesore: cilësinë e arsimit dhe drejtësinë.
Ai ka thënë se qytetarët detyrohet të migrojnë nga zonat rurale, për shkak të cilësisë së dobët të arsimit ndër shkaqet kryesore dhe migrojnë brenda vendit apo edhe jashtë.
“Mund t’i rregullojmë të gjithë, industrinë, mbrojtjen, sigurinë, investimet, kulturë, sport. Por, sfidë e madhe mbetet arsimi. Në arsim duhet të mbjellësh sivjet e dy vjetët në vijim, që me korr pas 10 -15 vjetëve. Është shumë e ngadalshme, duhet stabilitet i madh. E ka sfida që i ka edhe bota”, tha Kurti.
Edhe
Kurti për “Le Monde”: E dimë se kush humbi në zgjedhjet në Serbi, por s’e dimë kush fitoi
Ai tha se do të kishte dëshirë që të centralizohej puna e arsimit, "por nga propizimi i Marti Ahtisaarit, arsimi u takon komunave". Ai tha se kjo u bë shkaku i 10 komunave me shumicë serbe.
Po ashtu ka thënë se problemi tjetër është drejtësia, ku shumë qytetarë janë të pakënaqur.
“Duhet të rregullojmë drejtësinë e arsimin. Jam optimist për krejt tjerat, por për këto dyjat jam optimist i përmbajtur. Është sfida jonë në vitet në vijim”, tha Kurti.
Kurti, duke iu referuar një analize, ka thënë se komunat me shumicë serbe nga viti 2008 e tutje kanë marrë 50 për qind më tepër buxhet sesa mesatarja e buxhetit të komunave tjera të Kosovës.
Ai ka thënë se tash “disa që po humbin privilegjet po u duket padrejtësi”.
Edhe
Hoti: Kurti po e mashtron veten e botën se ka ulur pabarazinë në paga
“Fakti që i ke humbur ato është drejtësi...Askush nuk ka dëshirë të paguajë energjinë elektrike. Kur veriu fillon ta paguajë, duket padrejtësi diqysh pasi je mësuar 20 vjet mos me pagu. Humbja e privilegjeve përjetësohet si padrejtësi”, tha Kurti.